Një vit nga nisja e gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit në Hagë
Më 3 prill të vitit 2023 filloi edhe zyrtarisht pas gati 3 vitesh pritje, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Aso kohe në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale ishte shënuar edhe një protestë, ku morën pjesë mijëra shqiptarë që jetojnë në vendet e diasporës.
Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, deri më tash janë dëgjuar 54 dëshmitarë. Nga ta kishte shqiptarë, serbë e ekspertë ndërkombëtarë që në kohën e luftës kishin shërbyer në Kosovë.
Në mesin e emrave më të njohur që dëshmuan ishin Rrustem Mustafa, Gjergj Dedaj, Sadik Halitjaha, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, hulumtuesi Fred Abrahams, e dëshmitarë të tjerë.
Gjatë një viti të gjykimit, krerët e UÇK-së vazhduan të qëndrojnë në paraburgim. Megjithatë, njëra prej arsyeve të paraburgimit u rrëzua. Ajo ishte rreziku i arratisjes, për të cilën gjyqtarët vlerësuan se nuk përbën më arsye për ta vazhduar paraburgimin.
Por arsyet e rrezikut të ikjes e ndikimit në dëshmitarë vazhdojnë të qëndrojnë, gjithnjë sipas Gjykatës Speciale.
Me këto arsye, Gjykata Speciale për një kohë ndaloi edhe vizitat në Qendrën e Paraburgimit. Kjo pasi vlerësuan se ka pasur tendenca që krerët e UÇK-së të zbulojnë informacione me vizitorë. Si rezultat, vendimi përfundimtar ishin disa masa strikte për vizitë në Qendrën e Paraburgimit.
Kritika më e madhe nga juristët e organizatat joqeveritare ka qenë mbajtja e pjesës më të madhe të seancave si private, kjo në mbrojtje të dëshmitarëve. Sipas të dhënave, më shumë se 60% e seancave janë zhvilluar të mbyllura.
Gjatë vitit të gjykimit, në Kosovë qëndroi edhe kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, Ekaterina Trendafilova.
Fjalët e krerëve të UÇK-së
Në seancën hyrëse, krerët e UÇK-së mbajtën fjalët e tyre hyrëse, përveç ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Secili prej tyre, u deklaruan sërish të pafajshëm.
“Kur raporti i Dick Martyt para 13 vjetësh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, edhe populli i Kosovës, gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, pati deklaruar Hashim Thaçi.
“Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe familjeve të tjera, të cilat na strehonin dhe na mbanin, ne nuk kishim akademi ushtarake, por na kishin mësuar prindërit tanë se si duhet të mbrohemi e të luftonim për vendin tonë, ne nuk kishim uniforma, por ato i sajonim, disa i blinim e disa edhe i ngjyrosnim vetë që të dukeshim si ushtarë, kujtoj se si piktori akademik Idriz Berisha, me brushën e tij të piktorit i pikturonte rrobat e punëtorëve, që ato të dukeshin sikur rrobat e ushtarëve”, deklaroi Rexhep Selimi në seancën e parë në Hagë.
“Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha ‘Jakup nuk ka fitore’ pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte ‘çmimi i lirisë’. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre,. Në ato momente e kuptova se nuk mund të jetoja më duke futur kokën në zall si struci. Ishin momente vendimtare. Në ato momente thashë ‘liri a vdekje’ por kurrë më nën këtë gjenocid”, tha Jakup Krasniqi.
Fjala e prokurorisë
Në seancën e parë, Prokuroria e Specializuar e pati thënë fjalën e saj.
“Ushtarët e UÇK-së mbanin emra të koduar, mbanin maskë. Pas lufte disa dëshmitarë dhe persona të dyshuar kanë pasur interes për të fshehur strukturën dhe rolin që ekzistonin gjatë luftës. Edhe pse kjo çështje gjyqësore do të vërtetojë me shumë copëza mozaiku, sjellje kriminale është mjaft e thjeshtë. Do ta dëgjoni gjatë deklaratës hyrëse se shtabi i përgjithshëm i UCK-së ku 4 të akuzuarit ishin më të rëndësishëm, përqafoi një politikë të shprehur shumë qartë: të shënjestrimit të kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve. Katër të akuzuarit u përfshin direkt në zbatimin e kësaj politike, përfshirë këtu duke caktuar mbikëqyrjen e komandandatëve që e vunë këtë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu vërtetë në jetë”, tha prokurori i specializuar Alex Whiting, që tash është larguar nga Specialja.
Në anën tjetër, avokatët mbrojtës mohuan akuzat, duke theksuar se gjykimi do të dëshmojë që krerët e UÇK-së nuk janë fajtor për veprat që akuzohen. /Nacionale