NJË VIT PA BACËN ADEM

26 korrik 2019 | 08:06

Sot bëhet një vit nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi.

Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Bacës Adem, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës në orën 12:00 do të mbajnë një akademi përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Një ditë para përvjetorit të parë të vdekjes së Bacës Adem, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe te varri i tij në Prishtinë.

Pas homazheve, Thaçi ka thënë se Demaçi do të nderohet dhe përkujtohet gjithmonë nga shteti i Kosovës.

Me këtë rast, Thaçi e ka quajtur Bacën Adem si baba të pavarësisë së Kosovës.

Baca Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2018, ndërsa ishte varrosur me nderime të larta shtetërore më 28 korrik.

Po më 27 korrik Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Demaçit.

Në ceremoninë e varrimit të tij kishin marrë pjesë personalitetet kryesore të jetës politike, kulturore dhe akademike nga të gjitha trevat shqiptare.

Adem Demaçi ka qenë i burgosur politik. Ai kishte mbajtur 28 vjet burgim në kazamatet serbe për shkak të kauzës kombëtare. Baca Adem Demaçi në vitin 1991 ishte nderuar nga Parlamenti Evropian me çmimin “Sakharov”.

Demaçi në vitin 1998 ishte zgjedhur përfaqësues politik i UÇK-së, ku kishte hapur zyrën në Prishtinë. Ndryshe, Adem Demaçi njihet edhe si “Gandi i Ballkanit”. Përpos veprimtarisë kombëtare, Demaçi ka lënë pas edhe krijimtarinë publicistike.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari për marrëdhënie me publikun i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala,…