Një vit pa Haqif Mulliqin, bashkëshortja: Kjo është barra e vitit më të gjatë në jetë
Një vit më parë ka ndërruar jetë profesori, publicisti, regjisori dhe dramaturgu Haqif Mulliqi.
Në njëvjetorin e vdekjes së tij, bashkëshortja e tij, Shpresa Mulliqi, e ka kujtuar nëpërmjet një shkrimi emocional. Në llogarinë e vet në “Facebook”, ajo ka shkruar:
“Me pengun e thirrjes së fundit dhe premtimit se do të shihemi pas pak. Një “pak” që do të zgjasë pafundësisht. Që do të zgjasë deri në takimin e radhës.
39 vjet jetë me dikë që e do qenkan pak, Haqif. Pak, (e di se do të pajtohesh me mua), përkundër faktit se ishin vite të mrekullueshme, vite të mbushura me dashuri të thellë për njëri-tjetrin, për fëmijët, për mbesat, farefisin dhe miqtë. Një jetë në të cilën isha qendër e universit tënd. E respektuar, e kuptuar thellësisht, e mbështetur sinqerisht dhe e dashuruar plotësisht – një dhuratë kjo që do ta çmoj përherë.
Zemër, familja jonë e vogël sërish numëron aq sa ishim vjet. Sivjet në jetë erdhi Antoni, një pasardhës i cili do të lumturonte pa masë. Besoj po aq sa të ka lumturuar lindja e Eva Zoe dhe Borës, që aq shumë i deshe dhe të deshën. Ne vazhdojmë të qajmë, të qeshim, shpresojmë, të kemi frikë, dhe sërish zhytemi thellë në dhimbjen e pafund sepse fizikisht nuk të kemi pranë, shpirt.
Dhe, kjo është barra e vitit më të gjatë në jetë.
Por, ajo që kurrë, as edhe për një moment të vetëm nuk është zbehur, është dashnija për ty. Krenaria që ishe yni, që ishe i artit teatror, i kulturës, sportit, gazetarisë, i studentëve dhe i mbarë kombit. Andaj, deri në takimin e radhës pusho i qetë në parajsë! Pusho në mendjen dhe zemrën time dhe të fëmijëve, në shtratin tënd të përjetshëm! Të dua engjëlli im!”