Një vit që Kosova po tronditet nga lufta e klasave
– Qasje konstruktiviste për të shquar karakterin e luftës politike të pushtetarëve kundër të tjerëve
Shkruan: Hajdin Abazi
Në Kosovë po ndodhin disa zhvillimet partikulare që nga ardhja në pushtet e “Trinisë+” – Kryeministri A. Kurti, ZvKM dhe ministrja e jashtme D.Gërvalla-Schwarz, ZvkM B. Bislimi, Presidentja V.Osmani-Sadriu dhe qeveria Kurti 2), zhvillime këto të cilat nëse merren të shkëputura atëherë, shpesh, humbet thelbi i karakterit të vërtetë të tyre dhe atyre mund tu jepet konotacion kamuflues sa të mos vërehet se çka në të vërtetë po ndodhë, dhe vetëm po qe se ato lidhen me njëra tjetrën, si pjesëzat në një mozaik, atëherë mund të krijohet një tërësi, një pamje e vërtetë e asaj që duket e shkapërderdhur, amorfe, e pa strukturuar – shquhet një ind i përbashkët i cili njihet si luftë e klasave, pra luftë e një klase kundër një klase tjetër.
Çka është lufta e klasave?
Lufta e klasave historikisht ka lindur bashkë me krijimin e klasave në shoqëri, që atëherë historia botërore është e mbushur me luftëra të këtilla klasore, të cilat në të shumtën e herave janë rrjedhojë e zhvillimeve shoqërore në sfera të ndryshme: i këtillë ishte Revolucioni Francez e vitit 1789, që rrëzoi rendin feudal, rend ky i cili ishte absorbuar duke u kthyer në frenues të zhvillimit shoqëror, e në vend të tij u ngrit rendi kapitalist, shoqërinë pluraliste dhe sistemi demokratik. Ndonjëherë lufta e klasave ndodhë kundër rrjedhës historike, domethënë pa ekzistuar kushtet socio- ekonomiko-shoqërore por vetëm faktorët politik si fjala vjen Revolucioni Proletar, i njohur si Revolucioni Bolshevik i tetorit 1917 në Rusi, që ndodhi në një rend feudal ndërkohë që ai ishte projektuar nga Karl Marx dhe Fridrich Engelstë të ndodhte në rendin kapitalist pasi ai t’i ketë shtjerrë mundësitë zhvillimore që i krijon vetë dhe shkakton nevoja reale të shoqërisë për të shembur pengesat zhvillimore dhe për të shkuar përpara.
Në konceptin e të majtëve, bazuar në ideologjinë e Manifesti Komunist, lufta e klasave në rendin kapitalist, pra në sistemin demokratik, ishte projektuar si lufta finale midis dy klasave kryesore, asaj borgjeze dhe proletare, luftë e cila do të rezultonte me vendosjen e rendit socialist si rend kalimtar drejt komunizmit, në të cilin do të shuheshin klasat në shoqëri, e besuar kështu se ajo do të ishte një luftë e çlirimit përfundimtar të njerëzimit nga shtypja e shfrytëzimi klasor.
Instalimi i frymës klasore në Kosovë
Fryma dhe qasjen klasore, duke i portretizuar pa dallim pushtetarët si armiq, antagonistë e kundërshtarë (të popullit!?), kishte filluar nga Albin Kurti qysh para 15 viteve, duke indoktrinuar kryesisht të rinjtë, e që pastaj bashkuan rreth vetes këndo që mbështeste A. Kurtin, dhe frymën e tij për të ngritur kauza në aparencë të mëdha por realisht të rreme, të pavërteta e gjysmë të vërteta, duke i bërë këto me planifikim dhe strategji, dhe kur ato dilnin publikisht se kishin qenë mashtrime – ajo nuk i bënte ithtarët të reflektonin aspak pasi që ata zhvillimet i perceptonin “nga prizmi i Albinit” (qasja klasore), duke besuar se ata meritojnë t’u thuhet gjithçka e keqe, edhe kur nuk i kanë ato atribute.
Fuqizimi politik
Kur u bashkua edhe presidentja e tashme V. Osmani-Sadriu me A. Kurtin, duke i thurur elozhe dhe duke folur për të si për një të shenjtë, i krijua përshtypja se ishte diçka e madhe që po i bashkonte, gjë që e bëri një pjesë të madhe të elektoratit të zhgënjyer nga të gjitha partitë t’i tërhiqte për të votuar “duon” lideriste. Ky bashkim forcash, krahas arrestimit të figurave kryesore të UÇK nga Tribunali i Kosovës në Hagë, krijoi një klimë e brendshme dhe e jashtme, në favor të klasës së re politike, e cila premtonte se do t’i luftonte të gjitha fenomenet e këqija që e kishin karakterizuar vendin, duke e “çrrënjosë korrupsionin”, duke e ndalë vjedhjen e shtetit, farefisin duke i lënë për ahengje e profesionistët e meritorët duke i vënë në vendin e duhur, dhe se do të ndalnin ikjen e të rinjve e do të bënin përmirësime në kushtet e jetesës të cilat ishin ëndrra të qytetarëve.
Revani i luftës klasore nga pushteti
Rezultati i zgjedhjeve i tejkaloi të gjitha pritjet.
Më 14 shkurt 2021 “Trinia+” mori 50.28% të votave qytetare, duke u dhënë pushtet të mjaftueshëm, që ata të mund të vepronin papengueshëm dhe të përmbushnin premtimet e tyre. Asnjë qeveri pas luftës çlirimtare nuk kishte pasur pushtet kaq të madh sa “Trinia+”. Këtë legjitimitet e shfrytëzuan jo për të ndërmarrë përmirësime – për të korrektuar gabimet nga e kaluara, për të luftuar fuqishëm fenomenet që e kanë lodhur shoqërinë si korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi dhe abuzimi me pushtetin – ashtu sikurse kishin premtuar “Trinia+”. Përkundrazi, në emër të gjoja përmbushjes së këtyre premtimeve elektorale, kjo “Trini+” nisi luftën e klasave, si një revolucion të heshtur, jo kundër fenomeneve negative (që do të ishte i mirëseardhur dhe një kurë për të cilën ka nevojë shteti) por për të përmbysur “klasën politike armike” dhe nomenklaturat e pasçlirimit. Beteja është politike, dhe po bëhet nga lart, e gjatë një viti e kanë përdorë fuqinë e pushtetit për të flakur kastën ekzistuese tekno-burokratike dhe për të sjellë kastën e re lojale ndaj “Trinisë+”..
Mekanizmat e luftës së klasave në Kosovë
Mekanizmat e kësaj lufte klasore janë të llojllojshme dhe ato marrin trajta të ndryshme e do të shtohen të tjera edhe në të ardhmen, por që, disa që janë manifestuar deri më tash, mund të përmblidhen si në vijim.
Propaganda. Në mënyrë sistematike, por sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 “Trinia+”, është zhvilluar një propagande të rafinuar dhe agresive e dizajnuar nga A. Kurti, përmes së cilës u demonizuan qeveritë që nga paslufta çlirimtare sikur vetëm kishin rrënuar institucionet (sintagma: shteti i shtrirë përtokë), sigurisht jo se ato nuk ishin pa mëkate ndonjëherë vërtetë të rënda, por duke i targetuar si “klasë politikisht armike” ju mohonin gjithçka që kishin bërë përfshirë luftën çlirimtare, shpalljen e pavarësisë (sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i njohur si Pakoja e Martti Ahtisaarit), pjesëmarrjen në dialog me Serbinë dhe bashkërendimin gjeopolitik e gjeostrategjik me SHBA-në (për këtë veç sa nuk i quajnë kolaboracionistë). Pas marrjes së pushtetit u intensifikua propaganda përmes fajësimit për gjithçka të “qeverive të 20 viteve të shkuara”. E zërat kritik i etiketojnë si “recidivistë”, në shërbimi të qeverive të shkuara e deri te “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” (etiketim ky i ngjashëm me atë që akuzohen drejtuesit e UÇK në Tribunalin e Kosovës në Hagë). Kjo shpërfaq urrejtjen klasore deri në armiqësi, duke brumosur ideologjikisht kastën e re të bashkuar për pushtet dhe ata që bashkëngjiten, për t’i përdorë në betejat e ardhshme kundër klasës politike tashmë të demonizuar në opinion dhe perceptim.
Shkarkimet. Shkarkimet janë bërë instrumenti me të cilin po operon dendur “Trinia+”, duke shpërfaqur qasjen klasore pa e fshehur (shkarkohen njerëzit jo-lojalë në rastet edhe kur nuk kanë bërë asnjë shkelje, kurse nuk shkarkohet asnjë lojalist ani se bën shkelje të hapur – duke nxjerrë në shesh karakterin klasor të luftës në kuptimin se “lojali im edhe kur bën shkelje ligjore – nuk dënohet sepse është lojal ndaj meje” e si i tillë është mbi ligjin si p.sh. burri i Presidentes dhe Charge d’Affaires i cili edhe pse bën veprim krejt në kundërshtim me misonin e diplomatit – nuk merret asnjë masë ndaj tij!?). Ato po bëhen duke shpërfillur frymën demokratike të ligjeve, për shembull, duke shfrytëzuar arbitrarisht kompetencën për emërim dhe shkarkim, diku-diku duke abuzuar me diskrecionin, pasi që nga postet e larta duhet shkarkuar vetëm nëse ka arsye të bazuara ligjore, si një praktikë që kjo ndodhë thuaja në të gjitha republikat parlamentare sikurse është dhe Kosova. Me këtë formë të luftës duan të spastrojnë institucionet nga ata që i konsiderojnë si pjesëtarë të nomenklaturave të vjetra (prej pas luftës çlirimtare deri më 14 shkurt 2021), ani se të tillët janë zgjedhur përmes mekanizmave legjitim sipas ligjeve në fuqi, për të krijuar perceptimin sikur “Trinia+” po e spastrojnë pushtetin e në të vërtetë po e kapin shtetin përmes njerëzve lojalë.
Emërimet. Si instrument i luftës klasore po shfrytëzohet edhe mekanizmi i emërimeve. Parulla e dikurshme “familjarët janë për ahengje e dasma e jo për pushtet” u konvertua në “familjarët po bëkan edhe për pushtet, kur ata janë tanët”! Në ministri, në borde, ambasada etj. instalohen njerëzit që kanë lidhje farefisnore me “Trininë+”, lidhje partiake dhe klienteliste. Të emëruarit e dinë se nuk kanë merita karriere (në të shumtën e rasteve) për të arritur në ato poste kaq të larta, që domethënë se ata e dinë se mund të qëndrojnë aty vetëm duke ua kthyer me shërbime, në gjithçka e për gjithçka të veprojnë në emër të institucioneve por duke realizuar synimet, ambiciet dhe vullnetin ideologjik të pushtetarëve.
Reformat. Shkarkimet dhe emërimet nuk janë aspak të mjaftueshëm për të shtrirë në gjerësi luftën dhe përmbysjen klasore. Instrumenti tjetër i goditjes tërësore është reforma, e cila në të vërtetë është pseudo-reformë. Pilot-eksperimenti ka nisur në MPJD. Veprimi është politik, ku ligji ka pushuar së vepruari. Nuk ka reformë legjitime e cila e kthen gjendjen në zanafillë, natyrisht duke goditur “kundërshtarët” kurse “lojalët” e vet as që preken por vetëm avancohen. Reforma nuk bazohet te ndryshimi kualitativ, për të korrektuar ndonjë shkelje a ngritën në pozita, por te heqja e njerëzve vetëm pse kanë lidhje me partitë që ishin në pushtet deri më 14 shkurt 2021, kurse shumica dërrmuese e atyre që kishin lidhje me “Trininë+” edhe kur janë krejt të dobët – avancohen. Kjo tregon se reforma bëhet për të akomoduar disa e jo për të sjellë ndryshime aty ku ka nevojë, pasi që për njerëzit lojalë ligji shpërfillet hapur e për “kundërshtarët” – abuzohet në të shumtën me ligjin.
Inspektorati administrativ. “Trinia+” ka paralajmëruar krijimin e një Inspektorati administrativ, duke përpiluar edhe një projektligj. Detyra themelore do të jetë “kontrollimi” i shërbyesve civilë në vendin e punës, por që nga këta të fundit po perceptohet si një lloj policie përndjekëse, e cila besohet se do të fabrikojë shkelje të llojllojshme për të krijuar kushtet për marrje masash deri në suspendim e largim nga puna. Ky, me gjasë, do të jetë një instrument tjetër i cili do të shërbejë si mjet disiplinimi, nënshtrimi dhe frikësimi, por edhe burim ndëshkimi, me qëllim të largimit të të punësuarve duke i etiketuar – për të hapur vende të reja pune për të sjellë njerëzit e klasës së vet. Administrata, sigurisht, duhet kontrolluar, por në vendet demokratike njihen mjete kontrolli hierarkik, vendosja e kamerave në hyrje-dalje të objekteve dhe nëpër korridore, dhe prej tyre mund të selektohen të dhëna dhe të dërgohen në komisione disiplinore; raporte pune javore, kryerja e punëve sipas kërkesave nga eprorët etj.
Kush goditet e kush përfiton nga kjo luftë politike e klasave?
Sigurisht, pyetja që shtrohet pas gjithë kësaj, është ajo se përse po bëhet kjo luftë, kush po humb e kush po përfiton prej saj?
Goditja bëhet në mënyrë selektive ndaj klasës politike armiqësore dhe nomenklaturave të tyre “të 20 viteve të shkuara”. Cak i goditjeve janë kryesisht njerëzit e qëndresës kombëtare, pjesëtarë të UÇK-së të cilët janë aktivë në politikë, ose ata që kishin marrë pozita administrative gjatë kohës së qeverive të ndryshme deri më 14 shkurt 2021, duke i amnistuar vetëm ndonjë që ka koketuar me “Trininë+”. E njëjta hakmarrje nuk bëhet (me ndonjë përjashtim tepër të rrallë) ndaj atyre që kanë votuar ose janë rreshtuar krah “Trinisë+” ani se janë në poste të larta, madje, në disa sektorë, vërehet një kursim i tyre, edhe kur nuk janë aspak meritorë në aspektin profesional.
Ata që përfitojnë janë një strukturë konglomerat, por që po bashkohen duke u lidhur me interesa karriere, pozite e avancimi, duke u kthyer gradualisht në një klasë të re jo vetëm politike por edhe tekno-burokratike, e cila po merr formë dhe po krijohet. Nuk është asfare pengese fakti se origjina e tyre është kryesisht nga familjarë të ish regjimit komunist, të atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë deri në kapitullimin e saj në Kosovë (10 qershor 1999), atë soj individësh që kishin qenë kundër luftës çlirimtare dhe ishin marrë me shpifje të gjithfarshme kundër luftëtarëve të lirisë; duke tërhequr e futur në kastat e tyre nga të gjitha shtresat – njerëz karrieristë, arrivistë, të dëgjueshëm, të nënshtrueshëm, përfitues e të këtillë, dhe i tërë ky bashkim do të profilizohet në një klasë të re, me tipare gjoja-elitiste, e cila lidhet me frymën antipatike të luftës çlirimtare dhe të pushteteve 20-vjeçare të demonizuar nga propaganda. Kjo klasë e re politike, me përfitimet e veta, mirënjohëse ndaj padronëve që i sollën në ato pozita e privilegje, do të jetë “dora e tyre e zgjatur”.
Zgjerimi i luftës së klasës së re politike kundër sindikatave dhe mediave
Kjo luftë klasash po vendos një nomenklaturë të re në pushtet e në institucione, në përmasa që i ngjanë një revolucioni, sa që individë të kësaj klase të re, për të dëshmuar lojalitetin, po spastrojnë “feudet” e tyre nga “ata”, pra nga kundërshtarët. Diku kjo po bëhet në heshtje e diku me publicitet.
Por duket se “Trinia+” nuk mjaftohet vetëm me spastrimet klasore të pushtetit, sektorët e ndryshme të shtetit, institucione të pavarura, borde e kudo që ligji ju jep kompetenca.
Ata, duke parë suksesin dhe mundësitë e ristrukturimit klasor në këto sfera, kanë mësyrë dhe shtresa të tjera të shoqërisë, që janë tepër relevante për demokracinë.
Kryeministri u vërsul Sindikatave të pavarura të shëndetësisë dhe të arsimit, duke pohuar se edhe ato duhet të përfshihen nga fryma e ndryshimit, duke synuar diktimin e njerëzve në krye të tyre, ashtu që përmes tyre të heshtën pakënaqësitë, të bojkotohen e minohen ato, të instrumentalizohen dhe të vihen në shërbim të klasës së re politike e të luftës së tyre klasore. Po qe se do të arrijnë edhe këtu të vendosin “duart e tyre të zgjatura”, atëherë këta dy sektorë, arsimi dhe shëndetësia, do të goditen njëlloj kudo që kjo është e mundur, dhe do të mbështeten e arsyetohen nga sindikatat po qe se ato pushtohen politikisht nga nomenklatura e “Trinisë+”.
Që nga fillimi e ka zhvilluar një luftë klasore tipike për regjimet populiste dhe ato autoritare, autokratike, despotike e moniste – kjo e drejtuar kundër mediave, në fillim duke i izoluar nga to, duke mos komunikuar në të shumtën e herave, e tash edhe duke i sulmuar në mënyrë frontale, madje duke i etiketuar si “ndërmarrje e organizuar kriminale” dhe “përfaqësues të tyre”. Me këtë, synohesht intimidimi, heshtja e tyre, shuarja e zërit kritik ndaj “Trinisë+” dhe kthinimi në instrumente të pushtetit.
Epilogu i kësaj lufte klasash në Kosovë
Me sa duket, suksesi i kësaj lufte të klasave, suma suma rrum, do të varet nga “reforma” në drejtësi (përmes vettingut ama pa standardet Euro-Atlantike). Nëse aty arrihet të bëhet e njëjta përmbysje si në ministrinë e jashtme, atëherë do të sigurohet fitorja e luftës së klasave nga “Trinia+”. Pse? Sepse, lojalistët në drejtësi lehtësisht do ta përdornin drejtësinë me dioptrinë e pushtetit dhe klasës së repolitike, duke e instrumentalizuar atë në funksion të motiveve politike, për ta klasifikuar të zezën si të bardhë dhe anasjelltas.
Lufta klasore ndaj “klasës politike armike”, ndaj nëpunësve administrativë vetëm pse janë punësuar gjatë kohës së “qeverive të 20 viteve të shkuara” e të cilët nuk kanë përkrahur ose nuk janë vënë në shërbim të motiveve politike të “Trinisë+” si liderë e klasës së re politike, ndaj sindikalistëve dhe fjalës së lirë, mendimtarëve kritikë dhe të atyre që mendojnë ndryshe nga pushtetarët, do të bëhej jo më drejtpërdrejtë nga pushteti i “Trinisë+”, por nga institucionet “e pavarura” dhe do t’u vërsulen atyre në mënyrë frontale, u mor vesh – gjithnjë duke i fituar betejat juridike nëse arrin të instalohet nomenklatura e klasës së re politike.
Duke i parë veprimet e “Trinisë+” gjatë këtij viti në pushtet mund të arrihet në përfundimin se nëse arrin ta bëjë këtë përmbysje përmes luftës së hapur të klasave, sidomos po qe se arrin ta nënshtrojë (ta kapë) edhe drejtësinë, ajo do ta mundet ta metamorfozojë sistemin e brishtë demokratik në autoritar ku ligji do të zbatohet sipas interesave të kësaj nomenklature të “Trinisë+”, ku frika, ndëshkimi dhe përndjekja (inkuizicist) do të marrin karakter të proceseve të institucioneve “të pavarura”, do të fabrikohen të dhënat, do të inskenohen procese gjyqësore e sistemi shtetëror do të shndërrohet në shtypës të qytetarëve dhe mbrojtës me çdo kusht dhe kundrejt çdo gabimi të pushtetarëve të klase të re.
Ku do të jetë fundi e cili do të jetë epilogu, varet shumë se sa larg do të shkojë kjo luftë e klasave nga “Trinia+”, por që shenjat deri më tash janë tepër shqetësuese për demokracinë dhe lirinë qytetare në Kosovë, sepse lufta e klasave nuk sjell dot paqe e as stabilitet – ashtu sikurse nuk solli në asnjë vend ku është bërë luftë klasash sidomos duke u munduar nga lart për të ndryshuar realitetin historik, po vetëm shtypje, nënshtrim e padrejtësi, të cilat shkaktojnë pakënaqësi në rritje e këto çojnë deri te konfliktet politike e deri te lufta civile, gjë që do të ishte një fatkeqësi e kobshme, të cilën “klasa politike armike” ka arritur ta shmangë gjatë luftës çlirimtare dhe deri më 14 shkurt 2021.