Një vjet nga vdekja e Dritëro Agollit
Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli, ka vdekur më 3 shkurt të vitit që shkoj në moshën 85 vjeçare.
Agolli vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, ndërsa nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga dora.
Veprat e autorit të madh shqiptar, që lindi me 13 tetor të vitit 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja.
I paharrueshëm është edhe romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit, u bë subjekt filmash dhe këngësh.
Vepra e fundit e tij është libri me poezi “Prit edhe pak”, i botuar vitin e kaluar, e të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadijes.
Pos krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politikë, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste.
Më poshtë njëra ndër poezitë më të njohura të autorit:
Kur të Jesh Mërzitur Shumë
Këtu s’do të jem, do jem larguar;
Nën tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë të gjallë,
Dhe, kur në xham të fryje erë,
Do qash me erën dalëngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje i fshehur do të jem unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë
Mjafton qeë librin pak ta heqësh
Dhe une do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.