NJË VLERË MË SHUMË NË LETËRSINË DHE NË KULTURËN TONË

19 maj 2024 | 12:25

Shkruan: Lumnije B. Aliu

Begzad Baliu, Kujtesa letrare, Olimp, Prishtinë, 2013, f. 193.

Libri Kujtesa letrare e prof dr. Begzad Baliut vjen si rikujtim i historisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare, që e përcollën popullin tonë për shekuj me radhë. Kjo është edhe arsyeja që prej teksteve të para të këtij libri kuptohet qëndrimi i autorit ndaj letërsisë së zhvilluar paralel me historinë.
Në këtë vepër autori i saj në një varg studimesh analitike dhe sintetike e tipologjike pasqyron disa nga ngjarjet e periudhave të caktuara, historinë dhe fatin që përcolli jo vetëm kulturën shqiptare po edhe qytetërimin e kombit tonë. Këto kujtesa letrare shënojnë shumë shekuj përpjekje e mund, krahas ngjarjeve që ishin nxitje për të forcuar dhe ndërtuar një letërsi të mirëfilltë letrare. Letërsia shqipe në epoka të ndryshme të zhvillimit ndërtoi koncepte krahas aktualiteteve kohore dhe luajti rol të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve nacionale. Historia i paraprinë edhe letërsisë qoftë si dokumente me vlera gjuhësore, që pasqyrojnë moshën e popullit po edhe mbrojtjen e identitetit kombëtar. Brenda këtyre periudhave, letërsia shqiptare bashkë me autorët e krijimeve me karakter fetar apo kombëtar i dhanë mbështetje të fuqishme vetëdijes njerëzore. Në këtë rrugë të gjatë letërsia jonë shumëshekullore identifikohet me figurat më të ndritura që arritën t’i vënë themelet dhe plotësojnë me vlera artistike dhe virtyte edukative.
Profesori Begzad Baliu ka zgjedhur disa nga përfaqësuesit më të shquar që pasuruan krijimtarinë gjuhësore dhe letrare gjatë historisë. Mbështetur në përmbajtjen e teksteve studimore të tij, kuptojmë se baza e gjithë letërsisë lidhet ngushtë me situatat, dramat jetësore dhe pushtuesit e vazhdueshëm që kishin pikësynim të dominojnë mbi trojet etnike shqiptare. Gjatë këtyre shekujve historia e letërsisë u karakterizua me emra më eminentë dhe vepra me vlera madhore, të cilat jetojnë edhe sot bashkë me brezat.
Formimi i shtetit shqiptar ishte ngjarja më e rëndësishme e shekullit XX, por sikur dihet mjaft tragjike në jetën e popullit shqiptar sepse jashtë këtij shteti mbeti pjesa më e madhe e trojeve etnike. Pikërisht këtu nisë vlerësimi i përbërësve letrarë e autorial të letërsisë shqipe, si dhe tipologjia e sinteza e saj. Bazën e këtij përkushtimi e përbën studimi emblematik Shekulli i pavarësisë dhe letërsisë shqipe, në të cilin nuk është vështirë të thuhet se është një histori e letërsisë shqipe në miniaturë, por qasje më vete paraqesin edhe studimet e kësaj natyre me titull Baza epike e letërsisë shqipe dhe lirizmi i vonuar i saj, si dhe studimi tjetër Poezia: përmasa, shenja dhe kufij onomastikë, pavarësisht se dy të fundit përveç argumenteve historike shprehen edhe me gjuhën e historisë dhe të eseistikës.
Prof. dr. Begzad Baliu në këtë vepër përqendrohet edhe tek studiuesi më kontributdhënës në rrugën e zhvillimeve të mëdha të albanologjisë, albanologu Eqrem Çabej, i cili gjatë shekullit XX krijoi kryeveprën e studimeve shqiptare. Veprimtaria e tij nuk ndalet vetëm në një aspekt, por në gjitha fushat e studimeve duke filluar nga historia e gjuhës, etimologjia, historia, folklori e letërsia. Nëse i përmbahemi konceptit të Profesor Begzad Baliut për zhvillimet historiko-letrare e kulturore të shekullit XX, atëherë me këtë diskurs mund të themi se ky shekull i zhvillimeve të mëdha Çabejn e cilëson si shembullin me ide e qëndrime themelore prej shkencëtari e intelektuali.

May be an illustration of text

Figurë tjetër që autori i jep rëndësi të madhe në veprën e tij Kujtesa letrare është studiuesi, intelektuali, shkrimtari e historiani i letërsisë Rexhep Qosja. Prej veprave të plota të tij, botuar viteve të fundit mund të shihet se studimet e tij ndahen në disa cikle të mëdha. Në pjesën e parë hyjnë veprat me karakter historiko-letrare, në pjesën e dytë veprat historike dhe historiko-dokumentare, në pjesën e tretë veprat publicistike dhe në pjesën e katër veprat polemike. Mirëpo Profesor Baliu nuk merret në mënyrë të veçantë me asnjërën prej tyre. Në studimin e tij ai merret me perspektivën e studimeve të tij, përkatësisht veprave të tij, ditarët dhe memoaret, të cilat pret t’i botoj një ditë. Në të vërtetë akademik Rexhep Qosja është njëri prej mendjeve të veçanta të kulturës shqiptare të shekullit XX. Për autorin e këtij studimi Qosja është historiani i letërsisë, esteti, kritiku letrar, publicisti, prozatori e dramaturgu, i cili për më se 50-vjet shquhet për angazhimin e tij krijues në botën tonë intelektuale edhe si tejbartje e shkollës evropiane në hapësirën shqiptare.
Në këtë cikël të studimeve, po kaq interesant është edhe portreti i Gjorgj Bajronit, të cilin ai e paraqet brenda një eseje shumë të veçantë dhe model në shkrimet eseistike të kësaj natyre. Është ky Bajroni, që në kryeveprën e tij Shtegtimi i Çajlld Harolldit shpreh gjithë madhështinë dhe përjetimet e tij që pasqyruan udhëtimin e tij.
Në ciklin e dytë të teksteve të këtij libri hyjnë punimet të cilat kanë karakter vlerësues për studiues dhe shkrimtarë të periudhave të ndryshme. Fjala është për personalitete me përkushtim shkencor dhe krijues, si: Adem Demaçi, Dhori Qiriazi apo shkrimtarë si Ali Podrimja, Sylejman Krasniqi, Mehmet Kajtazi, Xhevat Halili etj., për të cilët ka shkruar fjalët e ndarjes, fjalët e kujtimit apo edhe fjalë vlerësimi në përvjetorët e tyre. Le të themi këtu se tekstet e kësaj natyre janë tekste më shumë personale se sa tematike dhe shkencore, e megjithatë mund të merren model më vete në kulturën tonë të vlerësimit dhe nderimit të traditës sonë klasike dhe moderne.
Ciklin e fundit të shkrimeve të këtij vëllimi e përbëjnë analizat, të cilat nuk kanë karakter doemos shkencor, por shkojnë kah formati i esesë dhe publicistikës, që më shumë se sa për aspektin shkencor dëshmojnë për prirjet intelektuale të Profesor Begzad Baliut. Ato janë analiza për çështje nga më të ndryshmet, për fenomene dhe dukuri në jetën tonë shkencore dhe kulturore, për autorë dhe vepra të kohës sonë, për modelet e kërkimit dhe etikën e vlerësimit, për përditshmërinë tonë kulturore dhe për trashëgiminë e munguar, për vlerësimin e së kaluarës dhe për të ardhmen kulturore e shkencore, që do ta lëmë për brezat që vinë etj.
Në të vërtetë, libri Kujtesë letrare është një vlerë më shumë në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosovare Asllani, është autore e dy golave në fitoren e…