Një zë i lirisë: Historia e Radio Kosova e Lirë

04 janar 2025 | 14:37

Basri Beka

Sot, pas 26 vitesh, ndjehem krenar që si një djalë i ri pata vizionin dhe guximin për të ideuar dhe udhëhequr një nga projektet më madhore të luftës çlirimtare – Radio Kosova e Lirë. Ky zë i fuqishëm ishte i domosdoshëm për të mbështetur përpjekjet tona për liri, për të ngritur moralin e luftëtarëve dhe popullit tonë të shtypur.
Asnjëherë nuk e kam përdorur këtë vepër për përfitime personale, sepse besoj fort se atdheut duhet t’i japim gjithçka dhe të mos i marrim asgjë. Jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen e ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët sot padrejtësisht ndodhen të akuzuar në Hagë.
Në këtë përvjetor të Radio Kosova e Lirë, dua të përkujtoj me respekt dhe mirënjohje disa nga bashkëluftëtaret që nuk janë më mes nesh: Prof. Muhamet Mehmeti, Bedri Rama, Islam Berisha dhe Sylejman Gashi. Lavdi dhe respekt për punën dhe sakrificën e tyre!
Po ashtu, falënderoj të gjithë ata që shërbyen si gazetarë, spikerë, drejtues dhe teknikë në këtë radio, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre i dhanë zë luftës për liri.
Historia Duhet të Shkruhet Drejt
Pas 26 vitesh, është koha që historia e këtij projekti madhor të shkruhet saktë, pa mitizime dhe pa manipulime. Është paradoksale që për këtë projekt kanë shkruar njerëz që nuk kanë qenë pjesë e tij, madje edhe pseudo-historianë të sponsorizuar, pa konsultuar burime primare, dokumente origjinale, letra, ditarë, dëshmi të drejtpërdrejta apo intervista me dëshmitarë okularë. E kjo edhe për faj timin sepse une dhe shoklt që e kemi ideuar dhe zbatuar, kemi qëndruar në heshtje.
Radio Kosova e Lirë ishte dhe mbetet një nga projektet më madhore të UÇK-së, një projekt që vulosi zërin e lirisë dhe të fitores sonë të madhe. Nuk do të kisha dashur të flas për këtë projekt, sikur të mos shihja sesi emri dhe vepra e kësaj radioje po keqpërdoren nga individë që kishin pak ose aspak kontribut në themelimin dhe funksionimin e saj.
Megjithatë, nuk mund të mohohet puna e palodhur e redaksisë, e cila u përzgjodh me kujdes nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ajo përbëhej nga individë me karakter të fortë dhe ndjenja të thella atdhetare, të gatshëm për sakrificë dhe përkushtim të pakushtëzuar. Gazetarët, reporterët, spikerët dhe stafi teknik dhanë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për ta mbajtur këtë radio gjallë në kushtet më të vështira të luftës, duke e bërë atë zërin e lirisë dhe qëndresës kombëtare.
Radio Kosova e Lirë – Ideimi dhe Fillimi
Radio Kosova e Lirë ishte një vepër që lindi nga vizioni dhe përkushtimi i njësitit Feniks, të cilin e komandoja unë, Basri Beka (Feniksi).
Iniciativa për këtë projekt lindi pas informatës se Radio Kumanova kishte ndalur transmetimet. Në fund të majit 1998, në një takim me bashkëluftëtarët Fatmir Arifi, Ardian Mehmeti, Xhemajl Zeneli dhe Mentor Hoxha, mora informacionin nga Ardian Mehmeti se këngëtari i njohur Ismet Behxheti kishte ndaluar transmetimin e radios së tij. Kjo më dha idenë për të krijuar një zë të fuqishëm për UÇK-në.
Kërkova takim me Shaqir Shaqirin me të cilin nuk kishte kohë të gjatë që njiheshim dhe që ishim bashku në luften për liri dhe në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i kërkova të shkonte në Kumanovë për të siguruar pajisjet e radios nga Ismet Behxheti.
Në qershor të vitit 1998, në një takim pune une se bashku me Mentor Hoxhen në Ujmir u takuam me drejtorin operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtarët Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi, prezantova idenë dhe mundësinë e realizimit të këtij projekti. Kujtoj habinë e tyre për shkak të gjendjes së brishtë organizative të UÇK-së, por megjithatë pata mbështetjen e plotë të tyre dhe të figurave të tjera kyçe më pastaj si Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe me vonë të Fatmir Limajt ku projekti u zhvillua në zonen e përgjegjesis së tijë.
Zbatimi i Projektit
Pajisjet u siguruan dhe transportuan përmes një rruge të gjatë nga Kumanova në Preshevë, Gjilan dhe më pas në Kosovë, nga ekipi i përbërë nga Fatmir Arifi, Ardian Mehmeti, Xhemajl Zeneli, Sadik Ademi, Ilisa Ymeri dhe të tjerë.
Në fillim të shtatorit 1998, pajisjet u sollën nga Islam Berisha (Lami) në Keqekollë të Prishtinës, tek Sharra e Ibrahim Osmanit. Nga aty, së bashku me Mentor Hoxhën, Behxhet Musliun, Xhevdet dhe Muhamet Musliun, i morëm dhe i dërguam në fshatin Rimanisht ku qëndruan deri më 11 nëntor .Me ndihmën e Prof. Muhamet Mehmetit, u kontaktuan inxhinierët Blerim Peja, Bedri Rama dhe Xhevdet Gashi ku ekipit teknik ja organizoj logjistiken Bajram Jashari, me Sylejman Gashi, Arben Demaj dhe Shefqet Avdiun.
Pas një analize me Shtabin e Përgjithshëm, u vendos që selia e radios të zhvendosej në malet e Berishës për arsye sigurie. Transporti u realizua me dy automjete Lada Niva, ndërsa unë së bashku me Bekim Haxhiun, Bajram Jasharin, Mentor Hoxhën, Behgjet Musliun dhe Xhevdet Musliun vendosëm bazën mobile të radios.
Fillimi i Transmetimeve
Në këtë periudhë, u testuan disa gazetarë për angazhim, përfshirë Sabrie Haxhiun, por për arsye logjistike, u vendos që redaksia të përbëhej nga ushtarë të UÇK-së. Redaksia e parë përfshinte: Nysret Pllana, Ahmet Qeriqi, Martin Çuni, Habib Zogaj e të tjrë.
Emri Radio Kosova e Lirë u propozua nga Rexhep Selimi. Dhe ku bëm përpjekje të fillojm me 28 Nëntor transmetimim por megjithatë sfidat teknike vonuan transmetimet deri më 4 janar 1999, Radio Kosova e Lirë nisi transmetimet zyrtarisht, duke u bërë zëri i luftës çlirimtare.
Radio Kosova e Lirë nuk ishte thjesht një stacion radiofonik, por zëri i shpresës, rezistencës dhe qëndresës kombëtare. Çdo pjesëtar i këtij projekti dha më të mirën nga vetja për këtë mision historik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua japoneze, e konsideruar si personi më i vjetër…