Një zyrtar nga kabineti i Veliut del pozitiv me Covid-19
Një zyrtar nga kabineti i ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit.
MPB-ja ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat në përputhje me udhëzimet e IKShPK-së, duke testuar të gjithë stafin e kabinetit, si dhe të gjithë stafin civil të MPB-së të cilët kanë pasur kontakt me zyrtarin në fjalë.
Kjo ministri ka theksuar se pas marrjes së rezultateve të këtyre testeve do të veprojë në përputhje me të gjitha udhëzimet e IKShPK-së, që të parandalohet përhapja e virusit edhe tek zyrtarët tjerë të MPB-së.
“Gjithashtu ju njoftojmë se zyrtarët e MPB-së të cilët kanë pasur kontakt me zyrtarin në fjalë janë vet izoluar, si dhe dezinfektimi i objektit qendrorë të MPB-së është duke u bërë në baza ditore”, ka njoftuar MPB-ja, duke u bërë thirrje zyrtarëve të saj që t’i respektojnë të gjitha rregullat dhe të mbajnë distancën në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik.