Një zyrtar ukrainas i tregon AFP-së qëllimet e sulmit në Kursk të Rusisë
Burimet ukrainase kanë dhënë shenjë se mijëra trupa janë angazhuar për një depërtim në provincën Kursk të Rusisë, përderisa Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për një zjarr që shpërtheu në centralin e pushtuar bërthamor në Zaporizhia.
Një zyrtar ukrainas i sigurisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se qëllimi i sulmit brenda territorit rus është që të destabilizohet Rusia dhe të shpërndahen forcat ruse me sulme të lehta e që zhvillohen shpejt. Mbetet e paqartë se sa i qëndrueshëm do të jetë operacioni në aspektin afatmesëm pas kërcënimit të Kremlinit se ky sulm do të shtypet duke i përdorur rezervistët, raporton gazeta “The Guardian”.
Rusia kishte pretenduar se disa qindra trupa ukrainase kishin nisur një sulm të befasishëm të martën, por zyrtari ukrainas tha se shifra ishte më e madhe. Kur u pyet nëse të përfshirë janë mbi një mijë ushtarë ukrainas, ai tha: “Janë shumë më shumë… Mijëra.”, përcjell Nacionale.
Thuhet se disa brigada ukrainase janë të përfshira në operacion, sipas disa burimeve. Kievi e zuri Rusinë të papërgatitur përmes sulmit në një sektor me mbrojtje të lehtë të frontit ku nuk ka pasur luftime domethënëse nga pranvera e vitit 2022 dhe depërtoi nëpër mbrojtjen e kufizuar kufitare.
“Ne jemi në ofensivë. Qëllimi është që të tendosen pozicionet e armikut, të shkaktohen humbje maksimale dhe të destabiliziohet situata në Rusi, pasi ata nuk janë në gjendje që ta mbrojnë kufirin e vet” – tha zyrtari ukrainas i sigurisë në kushte anonimiteti.
Më vonë të dielën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia kishte nisur gati dy mijë sulme matanë kufirit ndaj rajonit Sumy të Ukrainës nga rajoni Kursk këtë verë dhe se sulme të tilla merituan një kundërpërgjigje ukrainase. “Artileri, mortaja, dronë. Ne gjithashtu regjistrojmë sulme me raketa dhe secili sulm i tillë meriton një kundërpërgjigje të drejtë” – tha Zelensky në adresimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes.
Blogerët ushtarakë rusë thonë se luftimet janë duke u zhvilluar deri në 20 kilometra brenda rajonit Kursk, duke i nxitur disa prej tyre që të pyesin pse Ukraina ishte në gjendje që të depërtonte në zonë aq lehtë.
Disa dhjetëra ushtarë rusë, përfshirë luftëtarë nga Çeçenia që gjoja ishin kapur në Kursk, u shfaqën në një vide të publikuar nga “Unë dua të jetoj”, projekt i ndërlidhur me agjencinë ukrainase të inteligjencës ushtarake, raportoi agjencia “Reuters”, edhe pse ajo nuk mund t’i vërtetonte pamjet.