Njëmbëdhjetë vjet nga kriza financiare botërore

18 shtator 2019 | 12:33

Viti 2008 do të mbahet në mend si momenti që u përshkua me një krizë financiare, e cila paraqitet një herë gjatë një shekulli. Kjo krizë shkaktoi lëkundje të papara në Wall Street, gjunjëzoi sistemin bankar dhe tronditi bursat, por solli edhe ndërhyrje radikale të qeverive.

Shenjat e para të saj u paraqitën në muajin gusht të 2007-së, por 2008-ta ishte viti i krizës së vërtetë financiare, e cila e futi ekonominë e Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Japonisë në recesion, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky vit, pos tjerash, i dha fund Wall Streetit, të atillë siç e njohim, si një nga institucionet më të mëdha financiare, që u gjunjëzua nën barrën e humbjeve të mëdha nga kreditë, gjë që nxiti rënien e çmimit të naftës, përcjell Telegrafi.

Më 15 shtator kolapsoi Lehman Brothers, një nga bankat më të mëdha investuese në botë, ndërsa Merrill Lynch u mor nga një bankë tjetër.

Të nesërmen, Thesari amerikan shpalli një plan emergjent miliarda dollarësh, për të shpëtuar gjigantin e sigurimeve AIG.

Rënia e bankave tjera bëri që në kulmin e krizës të lindë plani 700 miliardë dollarësh i qeverisë, për të blerë borxhet e këqija. Kjo ndodhi sepse kriza shkaktoi reaksione vargore në sistemin financiar, të cilat, sipas financierit të njohur George Soros, e futen sistemin financiar në “arrest kardiak”.

Përpara se të falimentonte, Lehman Brothers ishte përfshirë në tregtimin e produkteve komplekse derivate të njohura si CDO, të përbëra nga kredi hipotekore nga huamarrës me profil të ulët të kreditit. Pasi njerëzit nuk kishin më mundësi të paguanin për shtëpitë e tyre, këto letra me vlerë që kishin vlerësim të lartë, u kthyen në mbeturinë gjë që tronditi bilancet e bankave të Wall Street.

Shefja e deritashme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se sistemi financiar aktual nuk ka krijuar ende imunitet ndaj një ngjarje të tillë, por që nëse ndodh, nuk do të ketë të njëjtën formë.

“Tkurrja e tepërt monetare mund të shkaktojë vlerësime të mëdha të valutave. Shkaku tjetër për shqetësim momentalisht është frenimi i rritjes ekonomike botërore nga tarifat tregtare”, paralajmëroi Lagarde.

 

Kriza nxori në pah edhe një pyetje fondamentale: a duhet qeveritë të ofrojnë ndihmën e tyre, ndërsa barrën e rëndë të borxhit t’ua lënë gjeneratave të reja? /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampioni i Ligës 1, Paris Saint-Germain, është “plagosur” për ndeshjen…