Njëqind flamuj pa një
Sylejman Krasniqi
Kur e pata lexua skicën humoristike “Njëqind flamuj pa një” të Nonda Bulkës pata menduar se gjenerata e jonë, dhe ato që do të vijnë pas nesh, nuk do t’i kenë këto probleme. Isha në shkollën e mesme (diku nga gjysma e dhjetëvjetëshit të shtatë të shekullit të kaluar) dhe e tërë gjenerata e lexonim shumë letërsinë e Rilindjes por edhe atë të viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar.
Një ndër shkrimtarët më të pëlqyer, nga ne, ishte edhe Nonda Bulka me skicat e tij satirike dhe thumbuese për problemet e kohës. Veprat: “Maska të çjerra”, “Kur qan dhe qesh bilbili” dhe “Thumba pa helm” i lexonim me një frymë dhe i shpërndanim mes shokëve..
Ndoshta, sepse ato skica dhe skeçe përshtateshin shumë edhe me kohën në të cilën ne jetonim në Kosovën e okupuar. Ishte koha kur flamurin tonë kombëtar nuk guxonim ta përdornim lirshëm por kurrë nuk e mendonim se do të mund që të na e detyroj dikush një flamur tjetër pos atij të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit.
Titullin e këtij shkrimi e mora nga një tregim i Nonda Bulkës që për temë e ka lënien pas dore të flamurit tonë në ato vitet e bujshme të Shqipërisë së kohës së luftës së dytë botërore. Në një qytet të Shqipërisë, në kohë luftimesh, një njëri hyn në një shtëpi për të gjetur strehim nga bombardimet. Në bodrumin e shtëpisë e gjen kryefamiljarin e shtëpisë i cili ishte një “esnaf” se jo mahi.
I panjohuri vështron rreth e rrotull bodrumit. E vëren në një qoshe fotografinë e Duçes dhe habitet. Shikon më tej disa flamuj. Ishin flamujt e grekut, italianit, gjermanit, turkut dhe plot të tjerë. Në habinë e mysafirit përgjigjet i zoti i shtëpisë, si esnaf që ishte. I thotë të panjohurit se nuk i dihet, luftë është kjo. Edhe mund të kthehet greku, italiani, apo edhe gjermani e unë të jem i përgatitur për secilin nga këto mundësi. Në një skaj tjetër të bodrumit, i panjohuri, e shikon edhe një flamur për të cilin nuk e din se i cilit shtet mund të jetë. Është i japanit i thotë mikpritësi. Më kanë thënë disa shokë se japani me ushtri mund të vjen shpejt deri në këto anë. Prandaj, thash, mos të më gjejë në befasi, u sqarua esnafi. Po mirë shumë, ndërhyn i panjohuri, ti që je përgatitur kaq mirë për çdo të papritur, ku e ke flamurin shqiptar? Për këtë flamur kurrë nuk më ka shkuar ndërmend që do të na duhet ndonjëherë, përgjigjet me nxitim esnafi!
Kohët e fundit po flitet shumë për ndryshimin e flamurit dhe të himnit të Kosovës. Këto ide dolën në sipërfaqe pasi LDK-ja e mori udhëheqjen e qeverisë. Ka pasur zëra edhe gjatë fushatës zgjedhore se nëse kjo parti do të fitonte shumicën e deputetëve në Kuvend do të fillonte procedurat për ndryshimin e simboleve të shtetit.
Më shkoi mendja tek “mrekullitë” që po na i përgatisin këto partitë tona të djathta paqësore dhe paqedashëse. Nuk më kishte rastisë të dëgjoja kurrë deri tani se flamuri duhet të ndryshohet në çdo legjislaturë. Kurrë nuk kam dëgjuar që gjatë historisë tonë, bile në gjashtë shekujt e fundit, të kishte kërkuar dikush nga pushtetarët ndryshimin e flamurit tonë kombëtar. Por as armiqtë tanë më të egër nuk kanë pasur përpjekje për ndryshim të simbolit të kombit tonë.
E kemi pasur të ndaluar përdorimin e flamurit nga të gjithë pushtuesit, pa përjashtim, por përpjekje për ndryshim nuk ka pasur gjatë historisë. Ka pasur disa herë projekte dhe përpjekje për çfarosjen dhe çrrënjosjen tonë si popull dhe si komb. Ka pasur përpjekje nga të gjithë pushtuesit që të na asimilojnë por të gjitha ato përpjekje, deri tani, kanë dështuar. Me sa më kujtohet mua, pas demonstrative të vitit 198, ka pasur përpjekje që të ndryshohet flamuri ynë nga kreu i ish-Jugosllavisë por edhe atëherë, në ato kushte të pakrahasueshme me të sotmen, flamurin nuk lejuam që të ndryshohet.
Kushtetuta u ndryshua nën shtypjen me tanke por flamuri nuk u ndryshua. Qëllimi ishte që flamuri i shqiptarëve të Kosovës të dallohej nga flamuri i shtetit shqiptar. Dhe me këtë akt do të shënohej çarja e parë ndërshqiptare dhe pastaj të tjerat do të vinin me radhë. Por ne kurrën e kurrës nuk kemi lënë vend për dyshim e as që kemi lënë gjurmë se do të heqim dorë nga të qenit shqiptar. Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë riokupimi.
Forca e bënë të pamundurën. Por flamuri në asnjë rast nuk do të mund të ndryshohet nga asnjë shkelës. Sepse atë e kemi ruajtur në zemrat tona edhe kur nuk kemi pasur të drejt që ta mbajmë hapur. Sepse, edhe deri tani, shumë herë na janë ndryshuar pushtuesit por simbolin e kombit nuk kanë mundur të na e tjetërsojnë kurrë.
E kemi flamurin nga më të bukurit dhe më të vjetrin në të gjithë botën. E pse po duhet që ta ndryshojmë tani? Apo mos po fshihet pas kësaj ndonjë dredhi tjetër e radhës. Fajin nuk mund t’ua lëmë faktorëve të jashtëm apo ndërkombëtarëve, siç jemi mësuar me këtë arsyetim nga politikanët tanë krejt të dëgjueshëm. Sikur na u detyrua apo më mirë me thënë e pranuam pa të keqen e askujt këtë flamurin e Ahtisarit për flamur të shtetit të Kosovës i cili nuk na thotë asgjë shqip dhe nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët. Si po duket edhe aty paska qenë qëllimi. Që të mësohemi me simbole dhe flamuj të çfarëdoshëm.
Dëgjohen aty – këtu arsyetime se më i afërt me flamurin tonë është flamuri i Lidhjes Demokratike të Kosovës sepse e paska edhe shqiponjën të theksuar në të. Ky mund të jetë, dhe është, një mashtrim i radhës nga përçarësit e kombit. Nuk njoh shtet që flamujt dhe simbolet t’i ndryshojë sa herë të ndërrohen qeveritë dhe partitë në pushtet. Nuk ka shtet ku për flamur shtetëror të vihet flamuri i partisë që i fiton zgjedhjet. Thuhet se ky është flamuri Dardan dhe Dardanët janë fis Ilir. Dhe Dardanët qenkan paraardhësit e shqiptarëve të Kosovë.
E kush deri tani e ka mohuar këtë fakt. Por kjo nuk na jep të drejtën që, artificialisht, të ndahemi nga trungu shqiptar. Pastaj Ilirinë e kanë përbërë shumë fise. Disa prej atyre fiseve edhe janë zhdukur tanimë. Bota e qytetëruar na njeh si shqiptar me prejardhje ilire. Gjuhën e kemi shqipe dhe jo dardanishte apo “kosovarishte” si po e shpallin disa “intelektualë” e në mesin e tyre ka edhe akademikë që e përkrahin këtë frymë përçarëse. Dhe nuk është për t’u habitur, sepse kjo nismë e mbrapsht e ka një burim… Këto erëra përçarëse po fryjnë që nga vitet e nëntëdhjeta. Si duket ne nuk e paskemi kuptuar mirë pluralizmin e as demokracinë.
Demokraci dhe pluralizëm mendimesh dhe idesh nuk do të thotë se si ta shkatërrosh veten tënde më shpejt dhe më keq, por do të thotë që nga shumësia e mendimeve dhe ideve të zgjedhësh më të mirën dhe me shumicë votash të ecësh përpara krahas popujve të tjerë.
Nuk kemi kohë ne tani të merremi me kultivimin e fiseve kur drejtimet e zhvillimeve shoqërore sot po shkojnë drejt fuqizimeve të kombeve dhe shteteve.
Nuk fuqizohet kombi duke e ndarë në fise dhe klane por duke u bashkuar. Dikush nga ne, si duket, e ka harruar porosinë e fundit të Skënderbeut me ato shtatë thuprat… Mendoj se nuk jemi tani në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe të Bushtëllive të Shkodrës që të veprojnë në vete dhe të mos bashkohen për t’u bërë ballë armiqve që i kemi rreth e rrotull.. Nuk kemi kohë e as energji të harxhojmë pas flamujve të fiseve dhe të klaneve ose të krijojmë fise dhe klane të tjera.
Nëse jemi për ndryshime, dhe nëse e kemi me gjithë mend, atëherë të bëhemi bashkë dhe të vendosim në Kuvendin tonë për flamurin e “njëqindenjë” të Nonda Bulkës e ta hedhim atë të Ahtisarit. Duhet që patjetër ta fuqizojmë (dhe zyrtarizojmë) veten tonë, dhe flamurin bashkë me ne. Edhe në Kosovë dhe në viset tjera ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike. E ky fuqizim nuk bëhet me mahallizma e lokalizma por vetëm të bashkuar rreth trungut tonë shumë të lashtë dhe të simboleve tona shumëshekullore.
Flamuri i kombit nuk është vetëm detyrim i ndonjërës prej partive politike por i të gjithë laramanisë politike të një populli. Flamuri është vendos njëherë dhe më nuk mund të luhet me të. Nuk mund që të ndryshohet sa herë që t’i teket dikujt. Për flamurin duhet të vendos vetëm referendumi gjithëpopullor në të gjithë hapësirën shqiptare. E nëse dikush nga ne e ka me hile, në këtë punë, dhe nëpërmjet të ndryshimit të flamurit dëshiron që të krijoi etnitet tjetër, i qoftë rruga e “mbarë”, por sigurisht që do të mbetet i vetmuar dhe i koritur njëkohësisht.
Nuk kemi ne, shqiptarët, as më të voglën nevojë që të eksperimentojmë me veten tonë sikurse maqedonasit dhe boshnjakët por as si serbët e malazezët, të kërkojmë identitetin tonë apo që ta shtrembëjmë atë vetëm sa për të mbijetuar. Ne më së paku kemi nevojë që të falsifikojmë veten sikur këta që i përmenda më lartë.
Nëse edhe deri më tani, këto grupe njerëzish nuk e kanë sistemua veten e tyre se në cilin grup etnik bëjnë pjesë dhe nëse e mohojnë prejardhjen e prindërve të tyre (për të cilët jam i sigurt që problem të kësaj natyre prindërit e tyre nuk kanë pasur kurrë), ata shumë shpejt do të dëshpërohen. Artificialiteti nuk qëndrohet në kohë të gjatë. Keni shembullin e maqedonaseve dhe të boshnjakëve.
Do të vini edhe ju në pozitën e disa akademikëve boshnjakë të cilët dëshirojnë, dhe përpiqen, që t’i kthehen identitetit të tyre autokton apo do t’i lakmoni banorët e Rekës së Keqe në Maqedoni të cilët me të madhe po i kthehet vetes së tyre.
Nëse ndonjëherë hapet në rend dite në Kuvendin e Kosovës ndryshimi i flamurit, gjë për të cilën dyshoj, (duke i pasur parasysh problemet që ia kanë zënë frymën Kosovës) atëherë, besoj shumë, që do të gjenden burra dhe burrnesha të cilët nuk do të na lënë të koritur, si deri tani, por do të bëjnë atw që duhet për flamurin tonë të nderuar dhe shumë të respektuar. Dhe nuk do të kenë parasysh, ndoshta, as kërcënimet e çfarëdollojshme dhe nga kushdoqoftë si kanë ndodhur shumë herë në Kuvendin e Kosovës që nga Kuvendi i Prizrenit i vitit 1945 e deri në ditët e sotme.
Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë “delen që ndahet nga kopeja, i han ujku”. Kjo është fjali e vërtetuar shumë herë në historinë tonë të bujshme dhe plot furtuna. Nëse kushdoqoftë vazhdon me ndarje dhe përçarje të këtij lloji, patjetër, do ta kenë mallkimin e nënës shqiptare. Por edhe më i rëndë do të jetë mallkimi i Nënës Shqipëri.