Njëqind vepra të letërsisë shqipe janë shkruar në burg ose në internim

11 dhjetor 2024 | 23:30

Profesori, studiuesi, poeti dhe prozatori Bajram Kosumi, të mërkurën ka qenë mysafir në edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, me të cilin organizatorët dhe të pranishmit kanë zhvilluar një bashkëbisedim.

Ai, i pyetur nga moderatori, studiuesi Flamur Maloku, “pse sot, meqë eksiton letërsia e burgut, sepse e keni përjetuar vetë me bashkëkohanikë dhe keni shkruar brenda burgut letërsi, nuk flitet për të nëpër shkolla fillore, të mesme e në fakultet”, Kosumi ka dhënë këtë përgjigje: “Letërsia nga burgu duhet të jetë kapitull i veçantë në letërsinë shqipe. Ne e kemi një letërsi që është krijuar në burg. Për të kam folur në Tiranë dhe në Prishtinë. Disa studiues më kanë kundërshtuar atje, disa studiues më kanë kundërshtuar edhe këtu, duke paragjykuar se kjo nuk është tezë e qëndrueshme. Por, për t’u dhënë një përgjigje sa më të saktë atyre, u interesova të dija se si e trajtojnë të tjerët letërsinë që shkruhet në burgje. Dhe përfundimi është ky: universitet më të mira evropiane, duke përfshirë edhe Harvardin, duke përfshirë edhe Sorbonën, kanë kurse të letërsisë në master për letërsinë e burgjeve. Pesëmbëdhjetë javë studenti e ka kurs letërsinë e burgjeve. I kam parë syllabuset e lëndëve të këtyre dy universiteteve dhe jam interesuar të di çfarë do të mësojë studenti anglez për letërsinë e burgjeve. Dhe shoh se letërsia e fundit e burgjeve e shkruar në Angli është e shekullit XVI. Nuk ka më vonë letërsi të burgjeve atje, sepse nuk i ka dërguar shteti intelektualët më vonë në burg. I ka dërguar në Mesjetë. Por, studentët mësojnë për atë letërsi, ashtu siç mësojnë studentët e tjerë edhe në vendet socialiste si në Poloni, në Rusi etj. Hajt shkojmë më larg e më tutje. Në Australi ka mjaft kurse në të cilat mësohet për letërsinë e burgjeve ose në vendet afrikane, ose në vendet, por më pak, latino-amerikane dhe në vendet komuniste evropiane. Në asnjërin prej atyre syllabusëve që kam shikuar, që i kam hulumtuar, nuk ka asnjë shenjë për letërsinë shqipe. E ajo çfarë di është se në letërsinë shqipe janë njëqind vepra që janë shkruar në burg ose në internim. E njëqind vepra nga burgu, për letërsinë tonë, nuk janë kapital i vogël. Harvardi nuk ka asnjë faj që në asnjë syllabus nuk e ka një shkrimtar shqiptar, ndonjë vepër të ndonjërit prej atyre që ka shkruar në burg. Arsyeja është se ne nuk e kemi nxjerrë një në sipërfaqe. Çfarë do të duhej të bënim në këtë rast është ky: kjo letërsi e re që duhet të përfshihet në historinë e letërsisë shqipe. Megjithatë, i pari rast që ka ndodhur në universitetet shqiptare, është në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, para tri vjetësh, që një studentes i është lejuar tema e doktoratës ‘Poezia nga burgu’. Çfarë duhet të bëjnë universitet shqiptare është ky: ta krijojnë një kurs në studimet master për letërsinë nga burgu, në të cilin studentët do të mësonin për të gjithë shkrimtarët dhe për veprat që i kanë shkruar në burgje. Para ’45-s nuk ka letërsi nga burgu në vendin tonë. Është një ditar i Haki Stërmillit. Shqip nuk ka tjetër. E pas ’45-s është vepra e Arshi Pipës e tutje. Por, ka shkrimtarë të tjerë ndërkohë, që kanë shkruar në burg dhe duhet t’i njohim. Për shembull, Visar Zhiti ka bërë emër pa u bërë një lloj kursi që propozova. Është edhe Frederik Reshpja, por këta dy mësohen vetëm për poezitë e mira, por jo për asnjë kontekst tjetër që i kanë krijuar ato vepra”.

Disa pjesë nga bashkëbisedimi me të i gjeni në llogarinë e gazetës Gazeta “Epoka e re” në “Facebook”. Të tjerat video nga bashkëbisedimi me të do t’i publikojmë deri nesër në këtë kohë./Berat Armagedoni/Epoka e re/

Fotografinë: Zjarr Bujari

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja aktuale e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së,…