Njerëzit gabojnë, politikanët janë njerëz apo rreth tolerancës politike

20 janar 2022 | 12:45

Altin N. Ademi

Në Kosovë, gjuha dhe diskursi i politikanëve dhe mbështetësve të tyre ndaj kundërshtarëve politik ka shënuar përkeqësim të dukshëm kohëve të fundit, duke sjellë në fokus paragjykimet në vend të argumenteve si dhe ofendimet në vend të përmbajtjes. Situata të tilla me mungesën e tolerancës politike ka pasur gjithmonë në frekuenca të caktuara, por së fundmi, është e qartë se kemi të bëjmë me një mësymje kundër tolerante, si model i zhvillimit të këtij diskursi.

Pothuajse për çdo ditë dëgjojmë lajme të “sulmeve militante” me gjuhë të urrejtjes ndaj politikanëve, subjekteve politike, komentuesve të politikës e madje si kulm, edhe ndaj qytetarëve të lirë që rastësisht mund të shprehin pikëpamje e vlerësime të caktuara politike. Para se ky trend të përbëjë thjeshtë një rrezik për idenë e lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë, përbën një rrezik për kulturën politike qytetare të cilën aspirojmë ta shohim të themeluar në mesin tonë. Një rrezik i drejtpërdrejtë për ta rrënuar themelin e një shoqërie kooperuese, nga “njerëz të turmave” që vetëdijen më të lartë pas së cilës janë rrokur e kanë mos tolerimin e asgjëje që nuk është e mesit të tyre.

Është e kotë të flasësh për tolerancën politike pa iu referuar objektit të tolerancës. Objekti i tolerancës është natyra e njeriut politik. Pra situata që i paraprinë tolerancës apo mungesës së saj, përfshinë dy palë, të cilët kanë pikëpamje të kundërta politike, pikëpamje që ndërtohen rreth një trupi të tretë politik, qoftë ai shteti, partia, lideri apo tema e caktuar politike etj.

Para se të flasim për problemin real që po shfaqet në shoqërinë tonë, dua t’i bie në mes thjeshtësimit të çështjes së tolerancës. Kuptimi etimologjik i tolerancës rrjedh nga fjala latine “tolerantia” që nënkupton durimin, vuajtjen dhe përmbajtjen. Këto veti të emrit tolerancë, janë veti që i janë mveshur këtij nocioni në të gjitha epokat, pavarësisht se kush ka qenë subjekti: njeriu, shteti, feja, apo kombi.

Pra ajo çfarë etimologjia e kësaj fjale na mëson, është se të tolerosh, do me thënë të durosh dhe të përmbahesh nga ballafaqimi me atë që shfaqet si e kundërt para teje. Prandaj nuk është lehtë të tolerosh. Por durimi është kësisoj një virtyt. Prandaj toleranca është virtyt i njeriut politik. Një virtyt që drejtohet nga një agjenti politik, qoftë ai politikan, lider apo mbështetës, drejt diçkaje që perceptohet si e padrejtë, negative apo e pabazë. Në këto premisa, toleranca rrjedhimisht përfshinë tre elemente që i manifeston ky agjent politik: gjykimin se ajo çfarë i shfaqet është negative; fuqinë për ta frenuar shfaqjen e saj; përmbajtjen e qëllimshme për të mos e frenuar shfaqjen e saj;

Rrjedhimisht, toleranca nuk është indiferencë dhe as dobësi, sepse secili agjent mund të kundërvihet në formën e njëjtë dhe t’i përgjigjet në mënyrë të njëjtë të kundërtës. Gjithsecili mund të ofendojë e madje të përplaset me po aq fuqi sa pala tjetër. Por të qenurit tolerant, është një zgjedhje parimore e frenimit të vetvetes, për hir të ruajtjes së natyrës politike të kooperimit. Rrjedhimisht, toleranca ka mision dhe misioni i saj është të mundësojë shfaqjen e bindjeve të ndryshme e konkurruese, sepse vetëm përmes tolerancës mundësohet çlirimi i vërtetë i diskursit politik rreth të drejtës dhe të padrejtës, të duhurës dhe të pa duhurës.

Kështu, toleranca është ajo vlerë politike që mundëson manifestimin e të vërtetës që del si sintezë e dy të kundërtave konkurruese. Të tillë e gjejmë që nga dialogët e Sokratit, klasikët e kontratës sociale, iluministët e deri tek rrymat filozofike liberale të ditëve të sotshme. E gjejmë tek doktrina kristiane e Dhjatës së Re e tek mësimet Kuranore. E gjejmë tek përpjekjet pragmatike politike për t’iu kundërvënë nxitjes së dhunës politike që ka karakterizuar shoqëritë moderne që nga Revolucioni Francez e deri tek Lufta e Dytë Botërore. Prandaj toleranca politike është një virtyt dhe vlerë e lartë që frenon ballafaqimin dhe kërkon që agjenti të kontrollojë pasionet e veta, duke u nisur nga respekti për autonominë e tjetrit.

Por çfarë po ndodhë së fundmi në këtë drejtim në skenën kosovare? Politikanët dhe mbështetësit e tyre kanë filluar të rrënojnë tolerancën, duke lënë me vetëdije terrenin politik dhe duke dalë me vetëdije në një terren moralist.

Kjo zhvendosje e rrezikshme për një rend publik neutral, është shfaqje e një papjekurie të thellë politike që e sheh vetveten si manifestim të rendit të duhur moral dhe e sheh fitoren si kusht të saj të brendshëm që nuk i nënshtrohet raportit politik llogaridhënës.

Mbi këtë bazë, për nxitësin e gjuhës së urrejtjes dhe mos tolerancës, njeriu i tij politik- lideri apo trupi i tij politik-partia, janë të pagabueshëm. Prandaj kushdo që i kundërvihet liderit apo partisë, nuk bën më thjeshtë një kundërshtim politik. Ai në radhë të parë bën mëkat.

Kjo nuk është mënyrë e zakonshme e të menduarit. Kjo është mënyrë anti-demokratike e të menduarit. Prandaj për nxitësin e urrejtjes dhe mos tolerancës, çdo kritikë ndaj liderit dhe partisë është e pa tolerueshme. Prandaj ai nuk kursen as fyerjet më të mëdha e të më çoroditura që mund të bartë gjuha shqipe.

Kjo mësymje ka ndodhur shpesh përgjatë fazave politike varësisht prej kontekstit dhe kohës dhe nuk është se ka imunitet absolut ndaj manifestimit të saj. Por për shoqërinë kosovare, për traditën tonë komunitare dhe kooperimin shoqëror që na duhet, përpjekja për kultivimin e tolerancës duhet të jetë mision i përhershëm.

Si mund të bëhemi tolerant dhe të refuzojmë mos tolerancën? Në radhë të parë duhet pranuar se njeriu politik apo trupi politik nuk është “qenie” e pagabueshme. Sikur të ishte e tillë, atëherë ata nuk do të quheshin politikanë por diçka tjetër. Pranimi i gabueshmërisë së “qenies politike” e shfuqizon pikëpamjen morale dhe ri sjell pikëpamjen politike brenda konturave reale. Njerëzit janë të gabueshëm. Politikanët janë njerëz.

Ndaj atyre që gabojnë vlen falja. Ndaj atyre që gabojnë qëllimshëm, vlen ligji. Ndaj atyre që konsiderojnë vetën të pagabueshëm, vlen vota. Dhe të gjitha këto, mund të bëhen konform normave, pa pasur nevojë që shoqëria të zhytet në një diskurs militantesk e dëshpërues.

Së dyti, ne duhet të tolerojmë, sepse gjithsecili është qenie autonome. Nuk mund të imponosh gjykimin tënd tek një qenie autonome që ka gjykim të vetin. Me të mund të dialogosh, të argumentosh dhe provosh të sjellësh një përfundim të pranuar e të arsyeshëm. Nuk do me thënë se ofendimi zëvendëson të tri këto elementet tjera të kulturës civile.

Fundja, sfera publike që është subjekt rreth të cilës po ndodhë kjo maskaradë, nuk i takon askujt privatisht. Politikanët janë në pozitat e tyre për të bërë politike dhe veçmas politikë publike. Nuk janë në ato pozita për të manifestuar moralin e shenjtë që është ekskluzivitet i Zotit dhe besimtarit. Ftesa për tolerancë është nuk është dobësi dhe as apologji. Është virtyt që definon të ardhmen e shoqërisë që duam.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri britanik Boris Johnson ka njoftuar se kanë vendosur të…