Njerëzit më shumë i frikësohen vdekjes sesa recesionit

06 maj 2020 | 10:02

Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se Kosova nuk është pjesë e OBSh-së sepse nuk ka aplikuar për t’u bërë pjesë e saj. “Aplikimin duhet ta bëjë kryetari, kryeministri, ministri i Shëndetësisë ose ai i Punëve të Jashtme”, ka thënë Raka në Interaktiv të KTV-së, duke kujtuar se pas pavarësisë ka qenë një nismë, por që nuk ka shkuar deri në fund. Për anëtarësim në këtë organizatë botërore, Taka ka thënë se nevojitet një shumicë e thjeshtë. Por, edhe pa qenë pjesë e OBSh-së, Raka thotë se Kosova konsiderohet storie e suksesit.

“Gjithsesi, duhet të konsiderohet storie e suksesit me kapacitetet që i ka pasur dhe investimet në shëndetësi që 20 vjet. E dimë se shpenzimet qeveritare për kokë banori në Evropë janë më të ulëtat bashkë me Moldavinë”, ka thënë Raka dhe ka shprehur optimizëm për numrin në rënie të të infektuarve në Kosovë. “Ky zvogëlim i numrit të rasteve është vazhdim i trendit dhe lajm jashtëzakonisht i mirë. Është e pritshme që masat restriktive të MSH-së kanë dhënë rezultat”, ka thënë ai.

Raka ka folur edhe për gjendjen ekonomike në vend, duke kujtuar një thënie: “‘Megjithatë, njerëzit i frikësohen më shumë vdekjes sesa recesionit’. Humbjet janë numra, kurse jeta e njerëzve nuk ka çmim”.

Ndër të tjera, Raka ka folur edhe për masat e ndërmarra nga qeveria gjatë pandemisë, duke thënë se alternativë tjetër kishte, por ne si ai shtet nuk jemi. “Alternativë tjetër është modeli suedez, por ne nuk jemi Suedi”, ka thënë ai.

“Qëllimi kryesor i masave restriktive është të mos tejkalohet kapacitetit shëndetësor i secilit shtet dhe kjo është arritur në Kosovë. Koha ka treguar që masat kanë qenë të duhurat. Mbyllja e shkollave, edhe para se të shfaqet një rast, ka treguar se ka qenë vendim i drejtë”, ka thënë ai.

Raka ka treguar për studimin e bërë nga Kolegji Mbretëror i Londrës për masat restriktive në 11 shtete të Evropës, studim ky që ka dëshmuar se deri më 31 mars janë shpëtuar 59 000 jetë njerëzish falë këtyre masave. “Parandalimi shpëton jetë dhe është çelës i përballjes së një virusi që nuk e njeh askush”, ka thënë Raka.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Milaim Zeka mbrëmë ka thënë se avokati Tomë Gashi…