Njëri nga lisat e mëdhenj të UÇK-së u nda nga jeta

26 janar 2023 | 11:58

HASAN MUJAJ

Shprehur me stilin metaforik, komandanti petrit, Sabahajdin Cena qe njëri nga lisat e mëdhenj të UÇK-së, të cilët më shumë e deshën Kosovën shtet të pavarur e demokratik sesa jetën. Ky ishte ideali i lartë që e trupëzuan në vepër.
Më 14 janar 2023 u bë publik një kumt. U nda nga jeta komandant i UÇK-së, prof. dr. Sabahajdin Cena. Por, “nuk vdiq”. Jo. Assesi. Sepse, la pas vetes një veprimtari të pasur. Shumë të pasur. Elitare dhe identtare. Historike dhe tërëkombëtare. Veprimtari, e cila, sa më shumë të njihet, aq më lart do të ngrihet. Ajo, si e këtillë, persuasive e prominente, vezulluese e flantrope, do të qëndrojë prore në faqet më të ndritura e lapidare të historisë kombëtare shqiptare. Ajo (veprimtari) do të shkëlqejë përherë e hyjnizuar dhe e përhimnuar në një emërtim të artë, që bëri emër me zulmë jo vetëm në etninë shqiptare, por edhe në shtrirjen e përmasave të përbotshme. Ai emërtim u quajt: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS.
Doktori i shkencave albanologjike, Sabahajdin Cena e la penën dhe hyri në UÇK, e cila (ushtri), pas krimeve të ushtrisë dhe të policisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, u vu në mbrojtjen e popullit nga sulmet e ushtrisë jugosllave dhe, në bashkërendim me forcën e NATO-s, detyruan dorëzimin e ushtrisë serbe dhe nënshkrimin e kapitullimit të Beogradit zyrtar duke e humbur kështu Kosovën që pretendonte ta mbante të okupuar me forcën ushtarake. Kështu u bë një kthesë risimtare në gjeografinë e Ballkanit Perëndimor; në Kosovë lindi VLORA E DYTË, REPUBLIKA E KOSOVËS.
Pasi u pa se politika e paqes, që e ofroi Prishtina nuk u tumir nga Qeveria serbe, pasi u shfuqizuan të drejtat e autonomisë, që i kishte Kosova, pas përjashtmit me dhunë policore nga objektet e institucioneve, pas mbylljes së shkollave dhe të fakulteteve, pas helmimit të nxënësve e masave të tjera represive e kriminale, në Kosovë u krijua UÇK-ja, e cila, edhe pse me armatim sado modest, bëri rezistencë heroike për të mbrojtur popullatën civile nga krimet e ushtrisë dhe të policisë serbe.
Prof. dr. Sabahajdin Cena, i nxitur nga shtysa atdhetare, kapi pushkën dhe iu bashkua UÇK-së në të cilën, me kapitalin e pasur intelektual prej edukatori që e kishte dhe me formimin e labërguar të ndjenjave gjithëkombëtare që e dallonte, qe ylli polar me jehonë eklatante për të trupëzuar e për të frymëzuar edukimin patriotik tek ushtaret e ushtarët dhe tek eproret e eprorët ushtarakë.
Elokucioni dhe retorika pozitive qenë dhunt relevante të doktorit të shkencave të filologjisë shqiptare, Sabahajdin Cena. Në UÇK-në e njësive Ana Drini u mirëprit dhe u avancua në detyra të larta drejtuese dhe komanduese si: komandant i UÇK-së dhe drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet Civile e Publike në Zonën Operative të Pashtrikut.
Komandant S. Cena, me veprimtarinë e thukët në terren, me modestinë dhe aftësinë prej retori, në fjalimet publike ushtarake e civile, me kulturën e komunikimit etj., shumë shpejt u bë emër i shquar, i respektuar dhe me ndikim yshtjeje për masivizimin e UÇK-së dhe për qëndresën gjithëpopullore, shkëmb i pathyer për lirinë e Kosovës. Ai kudo mbolli moralin e lartë lafarak të luftës çlirimtare dhe obligimin etik për t ‘u vënë në mbrojtjen e atdheut duke e rikujtuar me shembuj konkretë të kaluarën e lavdishme të historisë shqiptare tok me shëmbëlltyrat më të ndritura të saj, të cilat shpeshherë i kishte tema fjalimesh inspiruese përpara njësive ushtarake.
Shprehur me stilin metaforik, komandant petrit, Sabahajdin Cena qe njëri nga lisat e mëdhenj të UÇK -së, të cilët më shumë e deshën Kosovën shtet të pavarur e demokratik sesa jetën. Ky ishte ideali i lartë që e trupëzuan ne vepër. Komandant ynë, me fjalimet apelative dhe jehuese, sidomos pas fitoreve të betejave të armatosura, u bë emër i rrezikshëm për formacionet ushtarake e paramilitare të armikut gjatë luftës, por edhe si organizues e orator i parë i shënimeve të përvjetorëve të therorëve të kombit për pavarësinë e Kosovës pas luftës.
Kjo veprimtari u mor si arsye që prokurorët serbë të trillojnë kundër komandant Cena pseudoakuza, fiktive dhe imagjinare për Gjykatën Speciale të Hagës në të cilën ai mbrojt me fakte luftën e drejtë të UÇK-së. Dhe jo vetëm kaq. Profesori universitar kishte vëzhgim e vrojtim të gjerë strategjik: atë të pozitës politike të etnisë shqiptare. Ai, me shkrimet afirmative dhe apelative, u bëri jehonë flakëruese luftëtarëve të lirisë të Kosovës Lindore të organizuar në formacionin ushtarak: Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me akronimin: UÇPBM.
Shtojcë: Emërtimi i drejtë i kësaj krahine është Kosovë Lindore. Emërimi Lugina e Preshevës është kalk nga serbishtja “Preshevska Dolina”. Kundruar nga këndi semantik, emërtimi Lugina e Preshevës, që po përdoret edhe nga shqiptarët, është mikrotoponim; në këtë krahinë shqiptare ka shumë lugina, varësisht nga konfiguracioni. Edhe kolegu im i ndjerë, prof. Cena, në bisedën rreth këtij emërtimi, më tha: “E vërtetë. Ke të drejtë. Kalk është”. Komandanti i UÇK-së mbështet edhe luftën çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë, UÇKM. Në veprën “Feniksët e lirisë” përmblodhi shënimet biografike dhe flijimin e dëshmorëve të krahinave të ndryshme shqiptare për lirinë e tyre.

VEPRIMTARIA AKADEMIKE E SHKENCORE

Prof. dr. Sabahajdin Cena, pas luftës së fundit në Kosovë, sërish iu kthye hulumtimit shkencor në disa fusha të albanistikës me përkushtim të veçantë në përqokjen e thesarit shumë të pasur të krijimtarisë gojore, e quajtur letërsi popullore në prozë dhe në poezi, një fondament ky me shumë vlera si pararendës i letërsisë së shkruar. Ai mori pjesë me kumtesa në shumë sesione, simpoziume e konferenca shkencore për letërsinë dhe kulturën shqiptare në Kosovë dhe jashtë vendit. Kumtesat e tj janë botuar në përmbledhjet e punimeve përkatëse dhe janë vlerësuar si kontribut burimor dhe si zhvillim i ri në kërkimet e filologjisë shqiptare.
Patëm bashkëpunim të ngushtë e korrekt në veprimtarinë akademike të Fakultet të Edukimit në shumë takime, konsulta e bashkërendime zyrtare e private. Kishte kulturë të gjerë letrare, profesor i formatit të përkryer dhe i vlerësimit të lartë nga studentët, kolegët etj.
Me pietet për kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi që me shumë të drejtë e kishte emëruar komandant Cenën këshilltar për UÇK-në në këtë komunë dhe për varrimin e të ndjerit me nderimet e larta ushtarake.
Mirënjohje të përhershme për veprimtarinë madhështore të komandantit të UÇK-së dhe të profesorit universitar, Sabahajdin Cena.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te monumenteve kulturore nga…