Njëri nga të arrestuarit për krimin mizor në Gllogjan kishte folur një ditë pas rastit (Video)
Halil Mehmetaj është arrestuar bashkë me dy djemtë e tij, Kreshnikun e Malsorin si të dyshuar për krimin mizor të mbrëmjes së 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit. Por një ditë pas sulmit ndaj autobusit që ua mori jetën dy nxënësve dhe shoferit, ai kishte folur për mediat, duke e përshkruar ngjarjen si të tmerrshme.
Ai në një paraqitje për televizionin publik u kishte shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Komunikimin e fundit që e ka ba, e ka ba Beqa, dmth baba i djalit. Pesë minuta përpara ka komuniku, kështu që ju ka vonu për aq kohë sa e ka pritë se e ka ditë që autobusi ka me mbërri në atë kohë. E ka thirrë herën e dytë dhe mandej veç e kanë dëgjue atë… Tmerr ka qenë tmerr”, kishte thënë Mehmetaj.
Kjo tragjedi e ka kthyer vëmendjen në një vetëvrasje të ndodhur para një viti e gjysmë në po atë fshat.
Sulmi ndaj autobusit që vinte nga Gjakova, si pasojë e të cilit mbetën të vrarë ngasësi dhe dy nxënës të shkollës së mesme, po thuhet se mund të jetë bërë për hakmarrje. Të paktën, kjo është një nga pistat e hetimit të Prokurorisë, sipas avokatit Besnik Berisha.
“Pretendohet se ka pasë një vetëvrasje të një të reje që fajësohej shoferi, dmth nga dikush është fajësuar… pastaj pse ia ka nxanë rrugën ky… Unë nuk po them që organet e kanë fajësu, por nga dikush fajësohej, tash edhe emnin s’muj me ia ngjit këtu”, ka thënë Berisha.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, mbrëmë doli në konferencë për media vetëm pët të konfirmuar arrestimin e tre personave, por nuk ua dha mundësinë gazetarëve që ta pyesin mbi dyshimet për motivin e vrasjes së shoferit të autobusit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, duke thënë se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të marrin pyetje”.
Prokurorja e rastit të vrasjes së trefishtë në Deçan, Sahide Gashi nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.
Të arrestuarit sot kanë dalë për herë të parë para Gjykatës, ndërsa pritet t’u caktohet masa e paraburgimit.