Njeriu i afërt i Putinit: Kur ta zgjidhim me Ukrainën, do të vijmë ta ndihmojmë Serbinë

25 prill 2023 | 08:16

“Do ta ndihmojmë Serbinë ta kalojë bllokadën”, kështu ka deklaruar njeriu i afërt i Putinit, Anatoly Wasserman, duke folur kundër ShBA-së, për të cilën thotë se është sponsor kryesor i terrorizmit në botë.

Përfaqësuesi në Dumën Ruse, Anatoly Wasserman, një anëtar i partisë “Rusia e drejtë”, që bashkëpunon me “Rusinë e Bashkuar” të Putinit, foli në televizionin rus për qëllimet e Kremlinit në luftë si dhe në nivel global.

Në një pjesë të fjalimit ai ka përmendur Serbinë.

“Është e rëndësishme të theksohet se Serbia nuk ka rrugëdalje. Ajo kufizohet ekskluzivisht me vendet anëtare të NATO-s. Në kushte të tilla NATO vazhdimisht kërcënon Serbinë duke forcuar bllokadën. Por kur të përfundojmë likuidimin e organizatës terroriste të Ukrainës dhe kështu të tregojmë se ne nuk do të tolerojmë terrorizmin në fusha të tjera… Dhe vetëm kur sponsori kryesor i terrorizmit në botë – ShBA – të kuptojë se nuk ia vlen të mbështetet terrorizmi në botë, vetëm atëherë do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë Serbinë ta kalojë atë bllokadë”, tha Wasserman.

Anton Gerashchenko, bashkëpunëtor i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, postoi një regjistrim të deklaratës së politikanit rus në llogarinë e tij në Twitter.

Kujtojmë se nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Serbia është vendi i vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, që nuk i ka vënë Rusisë sanksione.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar…