Njeriu që ishte i bindur se do të bëhej i madh

16 gusht 2024 | 09:02

SALI BYTYQI

Ishte i bindur se do të bëhej i madh. Dhe askush e asgjë nuk do të arrinte të bindte për të kundërtën.

Kohën kur i kishte lindur kjo bindje, nuk e mbante në mend; ajo kohë tani i ishte mjegulluar, po që do të bëhej i madh, për këtë ishte i sigurt. Kur dhe si, nuk e dinte, po që do të vinte dita kur do të bëhej i madh, dita kur njerëzit do të kthejnë kokën me pa kur kalon ai, për këtë ishte më se i bindur.

Në familja ishte i vetmi djalë, hasret, vëlla i shtatë motrave dhe, kur si fëmijë nënat moshatarët e tij i uronin: “M’u bëfsh mësues!”, “M’u bëfsh doktor!”, ndonjë e edhe me “M’u bëfsh bajraktar!”, edhe pse tani më bajrak nuk kishte, e ndonjë e viseve malore “M’u bëfsh çoban i dhive!”, nëna e tij kurrë nuk e kishte uruar për t’u bërë ndonjë gjë, përveçse i kishte thënë “Hasreti i nanës”!

Me nofkën “Hasreti i nanës” kishte nisë edhe shkollimin fillor. Në klasë, edhe pse ishin gati dyzet nxënës, donte ta kon­sideronin hasret. Po, nuk duhet t’ia hamë hakun, gjithnjë dallo­hej në mësime.

Kështu e kreu shkollën fillore dhe kaloi në të mesmen. Edhe në këtë nivel shkollor u dallua. Ndonëse me trup ishte mesatar, nuk dallonte nga shokët, po kokën e ngrehte pak më lart, për t’iu treguar atyre se ky ishte më i madh se ata. Po edhe se ishte nxënës i mirë, nuk ishte më i miri, sepse kishte edhe të tjerë si ai, megjithatë, bindja se një ditë do të bëhej i madh, asnjëherë nuk e la.

Po, si do të bëhej dhe çfarë do të bëhej, këtë asnjëherë nuk e kishte të qartë. Kjo “paqartësi” për të sikur ndodhi në vitin e katërt të shkollës së mesme. Në gjysmë-vjetorin e dytë të këtij viti të fundit të shkollës së mesme, shpërthyen demonstratat në Prishtinë. Ditëve në vijim, ato u përhapën edhe në disa qytete të tjera, të mëdha. Megjithëse ai ishte nxënës në një qytezë të vogël, në të cilën ishte vështirë të bëheshin demonstrata, një ditë, një grup shokësh e shoqesh të tij, në mbrëmje, në periferi të qytetit, te varrezat, kishin mbajtur një mbledhje, në të cilën ishin marrë vesh që ditën e nesërme të organizonin një demon­stratë. Të mos mbeteshin prapa të tjerëve! Po, për fat, ky që një ditë do të bëhej i madh nuk kishte qëlluar aty, po në atë mble­dhje kishte qëlluar një person që nuk ishte nxënës i shkollës, po moshatar i pjesëmarrësve, i cili pas mbledhjes menjëherë e kishte lajmëruar policinë.

Për këtë person nuk dihej a i ishte bashkuar grupit të djemve dhe të vajzave i shtyrë nga policia apo krye më vete, por rezul­tati menjëherë u bë i njohur: pas informimit të këtij të fundit, të gjithë pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje u kapën, u arrestuan dhe u dënuan: ata që kishin mbi 18 vjeç nga 60 ditë, ata nën 18 nga dy javë. Këtu sikur i shkrepi mendja: Ja momenti për me u ba i madh! Pra, të ndiqte rrugën e kundërt të shokëve dhe të shoqeve që u përjashtuan nga shkolla apo shkuan në burg!

Me të përfunduar shkollën e mesme, u kthye në fshat dhe iu bashkua aktivistëve partiakë që ishin kundër demonstratave e parullave armiqësore. Po në këtë verë mori librezën e Lidhjes së Komunistëve. Tani shoqëria e tij ishin njerëzit që në brez bartnin nga një TT. Në ndërkohë, edhe një malazezi, bir kolo­nisti të ardhur nga Vraka e Shkodrës, shtëpia e të cilit kishte qenë në dalje të fshatit, dhe që tani ishte vendosur në Pejë, ku punonte në sigurimin e shtetit, ia gjeti adresën.

Në shtator shkoi në shërbimin ushtarak, i cili tani ishte bërë një vit, në vitin vijues të fillonte, sa më parë, fakultetin në Prish­tinë.

Dhe ia arriti kësaj. Shokët e shoqet, të arrestuar e të përja­shtuar nga shkolla, mbetën rrugëve, ndërsa ky startoi me ndjek­jen e ligjëratave në fakultet.

Kështu, filloi ngadalë të ngjitej. Pra, të bëhej i madh.

Si çdo rrethanë tjetër, që i shkonte në favor të tij, në karrierë i ndihmoi edhe mbiemri, të cilin e kishte njësoj me njërin nga dy-tre udhëheqësit më të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës në atë kohë. Gjatë kësaj ngjitjeje, pasi u bë komunist, i goditi pa mëshirë të gjithë kundërshtarët e Lidhjes së Komu­nistëve. Fjalorin e kishte të ashpër, goditës. Pushtetit të kohës i duhej një goditës i tillë, po nuk e lejoi që të vihej menjëherë në krye, duhej ta tregonte veten, dhe ky e tregoi veten. Të gjithë kundërshtarët e të majtës i goditi dhe, kur nga skena po binin edhe figurat më të larta të Lidhje së Komunistëve të Kosovës, që ishin njëherësh edhe në Kryesinë e Komiteteve Qendrore të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë e të Jugosllavisë, ngjitja e tij nuk u ndërpre për asnjë çast. Dhe, në fund, në vitin 1989, arriti të bëhej anëtar i Komitetit Qendror të Serbisë.

Po kjo nuk zgjati shumë. Ishte koha e vlimeve; Lidhja e Komu­nistëve që kishte udhëhequr vendin për më shumë ase 45 vjet, ra, pluralizmi politik u legalizua. Kjo ishte ironia e fatit: kur ishte bërë më komunist se kurdoherë, ra komunizmi. Desh plasi. Gjithë puna e një dekade i kishte shkuar dëm. Më nuk kishte Lidhje të Komunistëve. Në Krahinë, komunistët që nuk kishin arritur të bëheshin anëtarë të Komitetit Qendror të Lidh­jes së Komunistëve të Serbisë, me rënien e Murit të Berlinit, kur falimentoi ideologjia komuniste edhe në ish-Jugosllavi, shpejtuan dhe e krijuan një parti demokratike, po që në emrin e saj kishin futur pjesën kryesore “lidhja…”, tani jo komuniste, po lidhja demokratike.

Sapo ishte rehatuar në qytetin e bardhë, tani iu desh të kthehej në Krahinë, dhe u kthye, po çdo lëvizje këtu e shihte me për­buzje. Si dreqi, mu kur u ngjita në majë, ra gjithë sistemi?! Çfarë fati i keq!

Disa vjet qëndroi pa bërë asnjë lëvizje, po kur filloi të konso­lidohej ai farë pluralizmi politik në Krahinë, të cilën në letër e kishin shpallur Republikë, ky u bë kryeredaktor, tani i një gazete të djathtë, në të cilën, tani të gjithë kundërshtarët e së djathtës i emërtonte të kuq, të cilëve u binte pa mëshirë. Edhe pse me “letra” qëndroi neutral, u vu në përkrahje të atij pushteti fiktiv më shumë se çdokush tjetër. Të gjithë ata të cilët një dekadë i kishte stigmatizuar si nacionalistë, tani, me sa i hante lapsi, i emërtonte komunistë, “i kuq” ose “të kuq”, varësisht i drejtohej individit apo grupit, ndonjë më të vjetër, që kurrë nuk kishte pasur ndonjë post partiak, po kishte qenë thjesht anëtar partie, e quante “komunisti plak” etj. Hesht, komunisti plak! Dhe turma, si çdo turmë, e pëlqente guximin e tij.

Kur ia behu lufta, gjithë mllefin e zbrazi ndaj atyre që dolën në mal apo e përkrahën luftën në ndonjë mënyrë. Kuptohet, në shkrimet e përditshme.

Në Republikën e Kosovës, të cilën lëvizja paqësore e kishte shpallur të pavarur, pikërisht në kryeqytetin e saj, vazhdonte të lulëzonte shtypi i pavarur dhe njeriu që ishte i bindur se do të bëhej i madh, ia kishte marrë dorën shtypit. Ndërsa zonën nga vinte, gjatë verës kryengritësit e kishin shpallë zonë të lirë dhe ky, si mirë i informuar se do të pasojë ofensiva në fund të verës, kishte marrë një udhëtim për në fshatin e tij, për të tërhequr veturën. Kur kishte arritur te ajo zonë e lirë, disa kryengritës i kishin thënë se nuk mund të hynte, pasi ata nuk i dinin arsyet e vërteta të hyrjes së tij në këtë zonë, të tjerë i kishin thënë se mund të hynte, dhe ky këtë rast, pastaj, e kishte paraqitur si një dramë të madhe, pa treguar kurrë, arriti ta tërheqë veturën nga shtëpia e tij jashtë zonës së lirë apo jo.

Pas përfundimit të luftës, kur hyri UNMIK-u, i dha edhe një herë zjarr përballjes së dy lëvizjeve, asaj paqësore me atë të luftës, gjithnjë haptas në mbrojtje të së parës, po, natën hante e pinte me njerëzit e luftës. Një këmbë në njërën anë, tjetrën në tjetrën, me këtë moto vazhdoi disa kohë, po edhe kësaj një ditë i erdhi fundi: pas vitesh kacafytje, kur i ndanë sferat e interesit, ti këtë, unë këtë, ti atë, unë atë tjetrën, të dyja lëvizjet u bënë një dhe tani këmbët e këtij që ishe i bindur se do të bëhej i madh mbetën në ajër: pa hapësirën ku do të mbaheshin…

Dhe, në fund të dekadës së dytë të shekullin XXI, pasi për një kohë mbeti pa atë vegën të cilën e kishte përdorur gjithë kohës për të qëndruar fort mbi dhe, një ditë, mori familjen dhe iku përtej oqeanit, në Nju-Jork. Prapë i ndihmoi një person me të cilin, përveç mbiemrit të përbashkët, nuk kishte ndonjë lidhje. Një kohë punoi në një firmë ndërtimore, më pas, pasi inter­venoi një biznesmen shqiptar, arriti të bëhej Dormen.

Tani, dyzet vjet pasi ka filluar karrierën për t’u bërë njeri i madh, me uniformën e Dormenit veshur, me epoletat që i shndrisin dhe dorashkat e bardha, në katin e shtatëdhjeteshtatë të një hoteli, në mesin e Nju-Jorkut, 8 orë qëndron para derës: pret e përcjell mysafir. E kujton të kaluarën, i kujton të gjitha ato vite, që nga fëmijëria e deri kur kishte vendosur të kalonte oqeanin, e kujton kohën e kaluar, po ende bindja që një ditë do të bëhet i madh, nuk i hiqet. Ndonjëherë del nga realiteti dhe vetja i duket i madh, nuk i kujtohet posti, ama i duket se ka arritur në një lartësi prej të cilës të gjithë njerëzit që i ka njohur, nga koha kur ka filluar të mbajë mend e deri më tani, se është njeriu më i madh, të gjithë ata i duken si miza nga kjo lartësi. Kur i kalon kjo dhe sheh realitetin ashtu të zhveshur, ndjen një melankoli si nuk u bë kurë i madh, edhe ajo kur u bë i madh, i zgjati shumë pak!

Megjithatë, edhe tani, në katin e shtatëdhjeteshtatë të hotelit, për asnjë çast nuk dyshon se një ditë do të bëhet i madh. Jo rrallë, kur humbet në mendime, imagjinon se si i afrohet një i njohur, as vetë nuk e di cili është ai, po që është i njohur, këtë e di, që i thotë:

– Ti je?

– Po!

– Nuk është vendi yt këtu! Eja pas meje, të të çoj në vendin që të është caktuar para se të lindeshe, dhe ky që i shkon prapa si qengji deles apo edhi dhisë dhe pret ta dërgojë në vendin e premtuar!

Po kjo nuk ndodh, megjithatë, njeriu që ishte i bindur se do të bëhej i madh, vazhdon të presë atë ditë, kur do të bëhej i madh dhe kur, atëherë, do ta shohin ata që…, nuk besuan se ky do të bëhej…

Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arian Leka Dita fillon. Keq. E para vjen gruaja. E…