Njeriu që kishte dashur të bëhej shka

15 janar 2024 | 08:48

SALI BYTYQI

Kishte pasur fatin e keq të lindte në një familje të varfër, po edhe i gjithë katundi ku kishte lindur ai, aty në atë bokë ku e kishte vendosur I Madhi, i varfër ishte; bima e grurit zverdhej pa arritur t’i mbushej kalliri e gjethet e misrit thaheshin pa e ndarë ende fishekun. Buka e misrit, me të cilën barkun më shumë e kishin të zbrazur se plot, ua thyente dhëmbët e uji i keq ua sëmurte lëkurën, sa banorëve të këtij katundi u kishte dalë nami i keq si qelanë, Ik qeli i N. N., u thoshin me përbuzje ata të rrethit, të maleve e të fushave sa, kur i pyesnin nga ishin, iu vinte turp të tregonin se janë të këtij katundi. Për bukë ia bënin si ia bënin, po kur djemve u vinte koha e martesës, hiqnin të zitë e ullirit për të gjetur nuse, sepse atyre të rrethinës vështirë u mbushej mendja t’i jepnin bijat e veta për djemtë e këtij katundi.

Edhe familja e Ahmet Th. e varfër ishte, ndërsa ky si të gjithë moshatarët e tij, këmbëzbathur e me rroba gjithë arna-arna. Po fati, ashtu siç kishte qenë për kohë të gjatë i keq, ashtu si edhe në një përrallë, aso me mbret, një ditë për familjen e Ahmetit ishte bërë i mirë; dhe pak është të themi që ishte bërë i mirë, po shumë i mirë: Një natë anëtarët e kësaj familjeje ranë të varfër, po dita tjetër i gjeti pasanikë.

E kjo nuk është një përrallë, po një ndodhi e vërtetë.

Ja si ndodhi: Vegla me të cilën po gërmonin tokën burrat e shtëpisë, për të hapur një pus, sepse edhe nga uji vuanin në atë bokë, kishte prekur një si qeramidhe, por kur kishin gërmuar më tej, kishin parë se ai ishte një qyp, të cilin, kur e nxorën nga dheu dhe e hapën, u tmerruan nga shkëlqimi i lirave që i gjetën aty!

Familja u bë e pasur, sepse çonte tek argjendari një lirë dhe me të blinte drithë, vaj, kripë, po edhe rroba për anëtarët e saj. Po familja nuk u ndal: punët që i kishte bërë deri atë ditë, i vazhdoi edhe më tej: lëvroi e mbolli, dhitë vazhdoi t’i nxjerrë në mal, kositi barin e pakët në luginë etj.

Megjithatë, kënaqësia që e kishin gjetur qypin me lira dhe që i kishin mëshuar shqelm fukarallëkut nuk zgjati shumë: njëri nga djemtë, që i kishte i zoti i shtëpisë me shumicë, se ky i zot shtëpie kishte edhe vëllezër, e secili kishte edhe nga disa fëmijë, por i biri i babës, Ahmeti (babai i tij ishte i zoti i shtëpisë), një ditë i kishte mbushur xhepat lira dhe kishte ikur nga katundi malor dhe, gjashtë orë këmbë i kishte bërë derisa kishte arritur në Gjytet. Kishte marrë aty në një han një dhomë me qira dhe çdo natë dilte nga mejhania në mejhane. Frekuentuesit e mej­haneve ishin kryesisht serbë dhe ai shumë shpejt kishte zënë miqësi me ta. Gjuhën e rakisë e kishte mësuar shpejt dhe kështu ishte bërë njeriu më i dashur i mejhaneve të Gjytetit.

Në kokë, pas pak ditësh, më nuk e kishte plisin, sepse pasi ishte dehur shumë, duke kënduar e vallëzuar me serbë, i kishte humbur, kishte hedhur një republikë; trupi i tij i shkurtër, po i bëshëm dhe muskulor, të kujton ata filmat me kauboj, edhe pse nuk i kishte rënë rasti kurrë të shalonte ndonjë kalë, por që nga vendosja këtu, prej një qyteti në qytetin tjetër, udhëtonte me pajton.

***

Një mbrëmje merr një pajton dhe nga Gjyteti niset për në Prishtinë, rrugë që e bëri gjatë gjithë ditës, e vonë hyri në qytet. Dritat e qytetit, të zbehta në fillim e trishtuan, por nga lodhja zuri një han dhe me të shpejtë u vendos aty. Po lodhja nuk e pengoi dhe që atë të nesërmen doli rrugëve të qytetit për të kër­kuar ndonjë mejhane, që atëkohë ishin të rralla.

Rrobat që i kishte pasur deri në ditën që kishte dalë nga dera e shtëpisë, më nuk i kishte. Tani ishte veshur allafrënga. Serbi­shten e kishte mësuar, pinte e këndonte sikur të ishte një serb i vërtetë. Tani edhe thitë, që i shihte skaj rrugës, më nuk e bënin t’i rrudhte hundët, por i dukeshin të bukur, ndërsa mishin e derrit, që kur ia kishin ofruar në fillim, kishte dashur t’i nxirrte zorrët nga barku, tani e hante lirisht.

Aq shumë i kishte pëlqyer jeta që bëhej nëpër mejhane saqë një jetë pa mejhane as që mund ta mendonte!

Pas një kohe, një ditë tjetër, kalon në Kurshumli, në Vranjë.

Gjithkund shihte shtëpi të vogla si hokat e shkrepëses, por të lyera me gëlqere dhe me dritare të mëdha, jo si shtëpitë e shqip­tarëve, me dy kate e me frëngji, me oborre të rrethuara me gurë e ferra në bjeshkë e me gardhiqe në rrafsh. Ndodhte ndonjëherë që shoqëria me të cilën pinte, e merrte në shtëpi. Ahmeti habitej me afërsinë që tregonin gratë serbe, të vjetra e të reja, nuk fshi­heshin pas dyerve të gardhit si shqiptaret. Ndonjë e re, kur e kuptonte që kishte lira, ndodhte edhe që t’ia luante syrin. Të hijshme ishin, thineshat, po ku t’i çonte? Të ishte për të moti do ta kishte marrë ndonjë serbe, po ku ta çonte. Serbët e shijo­nin jetën, ata kurrë nuk bisedonin për vrasje, për gjakmarrje e hakmarrje, por vetëm se si të kënaqeshin: ku rafsha mos u vra­fsha!

***

Ahmeti, që shihte si jetonin shqiptarët dhe serbët, kishte parë përparësitë e së dytës, dhe një ditë i ishte mbushur mendja të bëhej serb. Du me u ba shka, i kishte thënë babait të vet. Dhe babai i tij ishte brengosur shumë. Sa më shumë që po i harxho­heshin lirat, aq më tepër Ahmeti këmbëngulte se do të bëhej serb. Dhe, një mëngjes, pasi i kishte futur dy lira në xhep, babai i Ahmetit, ende pa gdhirë mëngjesi, del nga shtëpia, gjithnjë duke shkuar nëpër katundet e rrëzës së bjeshkës, ndërsa qentë ende pa i lidhur zonjat e shtëpisë, arrin në Rahovec e prej Raho­veci e drejt e në Hoçë të Madhe, në kishë, te prifti. U bie dyerve të mëdha të oborrit, të cilat ia hap një murg, i cili e njofton prif­tin se kishte arritur aty një shqiptar i varfër, që donte të takonte priftin, por që kur e kishin pyetur arsyen e këtij takimi, nuk e kishte treguar, po vetëm kishte thënë që dua ta takoj priftin. Më në fund, i kishin thënë se prifti ishte i gatshëm ta priste.

Hyn te prifti dhe prifti, në shqip, i thotë: Fol, biri im, çfarë halli të ka sjellë në shtëpinë e Zotit? Babai i Ahmetit, pa një pa dy, ia lëshon dy lira në dorë priftit, dhe i thotë: Hall i madh. Po çfarë halli? këmbëngul prifti. A është punë që zgjidhet a jo?, dhe babai i Ahmetit i thotë. Po, nëse zotnia Juaj do, zgjidhet.

Dhe prifti ia kishte ngulur sytë, me vërejtjen të mos e çonte më tej, po ta tregonte hallin. Dhe babai i Ahmetit ia tregon hallin. Djali im po do me u ba shka, kishte thënë. A ky është halli yt?, dhe prifti i kishte thënë të kthehej në shtëpi pa bajtë asnjë gajle, këtë punë t’ia lërë në dorë atij, priftit. Ai do ta rregu­llonte.

Babai i Ahmetit ishte kthyer prapa, pasdite, po në rrugën nëpër të cilën kishte ardhur deri këtu, ndërkaq Ahmeti, pas një kohe, kishte ardhur këtu, po nga një rrugë tjetër, nga ana e Gjytetit. Edhe ai e kishte kaluar të njëjtën mënyrë: pritje, pyetje qëllimin e ardhjes etj., derisa kishte arritur te prifti, ndërsa edhe këtë e kishte pritur prifti dhe e kishte pyetur për hallin që e kishte sjellë në shtëpinë e Zotit, se këtu njerëzit nuk vijnë pa pasur ndonjë hall.

Ahmeti i kishte thënë se halli i tij ishte i veçantë, nuk ngjante me hallet e hallexhinjve të tjerë, serbë e shqiptarë. Po cili është halli yt, çfarë halli ke, biri im?, i kishte thënë prifti. Du me u ba shka, ia kishte pritur pa një pa dy Ahmeti. Dhe prifti, me atë mjekrën deri në shokë, kur i dëgjon këto fjalë, po edhe se ishte i përgatitur për ardhjen e Ahmetit, ia kthen: Unë mendova se ke ndonjë hall tjetër, se ke ndonjë hall me xhinde, të mundojnë ata, ndërsa ti po dashke me u ba shka, e unë këso shki të këqij si ti kam sa të duash, sa me dhi n’ta. Largohu prej dere sa nuk i kam thirrur xhandarët me të rreh derisa të pshurresh! Ahmeti, kur e sheh priftin të egërsuar, ku i kishte pasur gishtat i qiti tani thembrat dhe largohet prej aty.

***

Ahmeti jo vetëm që nuk arriti të bëhet shka, po edhe qypi me lira u harxhua një ditë. Pastaj erdhi Lufta e Dytë…

Pas Luftës familja mezi arriti ta martonte, dhe në një katund të largët, përtej Bjeshkës, atje ku nuk kishin dëgjuar të bëmat e Ahmetit, babait të tij iu desh ta shiste edhe gjysmën e tufës së dhive për mesitni, shumicën e parave prej të cilëve i kishte marrë daja i nuses, sepse ai nga kjo punë jetonte. Gjysmën tjetër të dhive i shiti kur e martoi Ahmetin.

Ai bëri një dasmë sa për të thënë, po, kryesorja, Ahmeti u bë me nuse dhe kështu e vazhdoi jetën në fukarallëk. Familja duhej mbajtur dhe nusja që shpejt ngeli me barrë duhej ushqyer, pran­daj Ahmeti iu shtrua punës: punoi tokën që ia kishte lënë baba­gjyshi dhe, kur i kryente punët e shtëpisë, dilte edhe argat, në të korra apo në mihjen e misrit. Nusja ishte e hajthme, por e mbarë në lindje, njërin pas tjetrit atij i lindën shumë djem e vajza.

Ahmetit, që kohën më të gjatë të jetës e kaloi në varfëri, në pleqëri i erdhi sefaja. Djali i madh i doli në kurbet në vitet ’80, ndërsa porsa ra sistemi, edhe djemtë e tjerë i dolën në Perëndim, azil. Ndonjëri kishte falsifikuar një dokument të një ish-të bur­gosuri politik, se kishte qenë i përndjekur, ndonjë u martua me të huaja, dhe të gjithë zunë vend atje. Me të zënë vend, filluan të dërgojnë edhe para në shtëpi. Me trepërqindëshin ishin në rregull.

Ndërtuan shtëpi të re, te dyert e oborrit ndërtuan edhe një odë, 10X5, krejt të veshur me dërrasa pishe e të llakosura, sa kur hyje në të të merreshin sytë. E blenë edhe një traktor, me të cilin nuk kishte kush të punonte. Ndërsa arat dhe livadhet i punonte me argatë, ai i cili gjithë jetën kishte punuar argatë në katund, po edhe në katundet përreth.

***

Pas 24 marsit, kur avionët e NATO-s goditën Jugosllavinë e Millosheviqit, e cila vetëm emrin e kishte Jugosllavi, sepse në të kishin ngelur vetëm Serbia dhe Mali i Zi, forca të shumta serbe, të armatosura gjer në dhëmbë, kishin marrë një ofensivë masakrash e dëbimesh në gjithë hapësirën e vendit. Avionët e NATO-s lart, po poshtë jemi ne, le të vijnë t’ju shpëtojnë nëse ua mban, thoshin serbët, ndërkaq forcat e UÇK-së ishin aq të pakta për t’u përballuar me ta. Serbët më shumë kishin tanke sesa që shqiptarët kishin ushtarë, kjo ishte e vërteta.

Shumë të azdisur që, në fillim, kishin menduar se edhe hekurin do ta hanin me dhëmbë, pas ofensivës së gusht-shtatorit të një viti më parë, kishin gjuajtur armët në ferra dhe ia kishin mba­thur; një pjesë në Shqipëri, kinse për t’u kthyer prapë në luftë, shumica në Perëndim ku më as që donin të dinin për luftën, po edhe kishin filluar të flisnin kundër saj. Po ata që kishin mbetur në krye me komandant Petritin, katër ditë pas fillimit të bom­bardimeve, më 28 mars, mbi Lis të Dervishit, ishte ndeshur me ushtarët e shumtë serbë.

Në këtë ndeshje të pabarabartë më shumë u vranë ushtarë të UÇK-së, të cilët, përveç vullnetit për luftë, nuk kishin as edhe një përgatitje, po kishin mbetur të vrarë edhe disa ushtarë serbë. Ndeshja kishte përfunduar me rënien e muzgut, dhe ushtarët e UÇK-së, që e njihnin mirë terrenin, ishin tërhequr në malet e Kaznikut e Zatrimit.

***

Në Rudinë ishin mbledhur njerëz që ishin edhe përtej komu­nës, disa prej të cilëve ishin nga katundet e Klinës, ndërsa për këtë mbledhje, pastaj disa thanë se fati i përbashkët i kishte bërë bashkë këtu, shumicën të moshuar, po kishte edhe të tjerë që thanë se, nga të katër, ishin mbledhur këtu njerëz të cilët, duke e ditur se ky kishte qenë katundi i cili kishte shpëtuar më së lehti në ofensivën e verës së vjetme – një plak e kishin vrarë nga larg, sikur për ta provuar armën automatike po godet në shenjë mirë a jo, as edhe një shtëpi nuk ishte djegur – njerëzit do të shpëtonin më lehtë edhe kësaj here. Por nuk ndodhi kështu këtë herë. Në mëngjesin e hershëm të 2 marsit u rrethua katundi sikur në një darë hekuri, dhe njerëzit u urdhëruan të mblidheshin në lëndinën mbi xhami, gratë dhe fëmijët bënin përjashtim.

Shumica e të mbledhurve këtu ishin të moshuar, të rinjtë kishin ikur maleve, sepse e dinin se çfarë i priste po t’i zinin forcat serbe!

Njerëzit dolën nga shtëpitë dhe, sytë katër, sepse shumica as që kishin vënë gjumë në sy gjithë natën, rrugicave të katundit, ashtu si përrenjtë e vegjël që zbresin nga mali, arritën në lëndi­nën mbi xhami, ku u mblodhën. Ecën të qetë, nuk bënë asnjë zhurmë. Në mesin e njerëzve ishte edhe vetë haxhi Ahmeti. Në krye kapuçin e hanxhinjve, të cilin e kishte vendosur pasi ishte kthyer nga haxhillëku.

Aty njerëzit qëndronin me shpresë se nuk do t’u ndodhte ajo së cilës i druheshin më së shumti. Kot nuk thonë se shpresa vdes e fundit.

Oficerë, ushtarë, paramilitarë etj., qëndronin në pritje. Një oficer u tha se nuk do t’u ndodhte gjë, vetëm sa i kishin mble­dhur për të verifikuar mos kishte terroristë në mesin e tyre. Ata i thanë se me ta nuk kishte terroristë, terroristët ishin lart në mal. Kjo bisedë u bë në mes të të mbledhurve dhe oficerit, i cili me siguri do të duhej të ishte komandanti i njësiteve.

Gjatë gjithë ditës i lanë aty në lëndinë, në këmbë, përballë njerëzve të uniformuar e të pauniformuar, të rruar e me mjekra të të gjitha llojeve. Ndërsa në anën e epërme i kishin shtëpitë pa njerëz, të cilat po vështronin jo me sy, po me gropat e zbra­zëta të syve.

As nuk i lironin të shkonin nga të mundnin, po as nuk ndër­merrnin ndonjë gjë kundër tyre. Nga kontrollimi që ua bënë, nuk u doli se në mesin e tyre kishte ndonjë terrorist, siç i emër­tonin ushtarët e UÇK-së ata, shumica ishin të moshuar.

Atë ditë edhe fluturime të avionëve të NATO-s kishte më pak. Aty-këtu dëgjohej nga larg ndonjë detonim i fuqishëm. Moti ishte i freskët. Në mal lulet e thanës sa kishin nisur të verdho­nin. Dielli herë dilte nga retë e herë fshihej pas reve. Edhe ai sikur po ngjitej me vështirësi, por kur arriti në kupën e qiellit, sikur nuk donte të lëvizte, qëndronte mbi kokat e të grumbu­lluarve.

Dikur edhe dielli nisi zbritjen.

E haxhi Ahmeti çonte kokën ndonjëherë, sikur të kërkonte andej ndonjë shenjë, po qielli ishte ai që e kishte parë në të gjitha dekadat e jetës që kishte kaluar, asnjë ndryshim nuk kishte. Pastaj ulte kokën dhe i shihte fytyrat e njerëzve të armatosur. Dhe ndërsa dielli po zbriste në Bjeshkët e Nemuna, haxhi Ahme­tit i lëvizën kohët, u kthye prapa: iu duk se ishte në oborrin e kishës së Hoçës së Madhe, para tij ishin priftërinjtë e gatshëm për ta pagëzuar, automatikët që i rroknin për rripi, iu dukën mjetet me të cilat priftërinjtë i pagëzojnë besimtarët, ndërsa kokat e lidhura e mjekrat e gjata, tamam priftërinj; dhe, për një moment priftërinjtë filluan të lëviznin përballë të mbledhurve në ceremoninë e kungimit dhe, ashtu siç ishin në parakalim, anash të mbledhurve, u kthyen me fytyra përballë tyre, ngritën duart për bekim, pas të cilave u dëgjuan krismat, të cilat haxhi Ahmetit iu duken tingëllima të kambanave të kishës. E plum­bat që i ranë në gjoks, haxhi Ahmetit iu duken që janë gishtë­rinjtë e priftit. Buzëqeshi dhe tha: Ja, ia arrita, edhe pse deshën të më pengonin (e kishte fjalën për babanë e vet) të bëhem…, dhe, pa arritur ta thoshte fjalën e fundit, ra përtokë së bashku me të gjithë të mbledhurit që ishin aty.

(Marrë nga numri 19 i revistës “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GEORGE ORWELL Pamfletet e Tolstoit janë pjesa më pak e…