Njësia e Deminimit e FSK-së furnizohet me pajisje të reja
“Miqësia me Republikën Federale të Gjermanisë rrjedh natyrshëm si lidhje nga e kaluara që vazhdon të thellohet me bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet të të dyja shteteve, dëshmi e së cilës është ndihma e vazhdueshme që pranojmë nga ky shtet, ashtu siç edhe sot pranuam donacionin me pajisje të deminimit nga ana e Shefit të Mbrojtjes të Ushtrisë Gjermane, gjeneral Eberhard Zorn”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke bërë me dije se në takim me shefin Mbrojtjes së Gjermanisë biseduan rreth fushave specifike ku mund të rritet bashkëpunimi, me theks të veçantë në logjistikë, në fushën e mjekësisë, dhe në trajnime të përbashkët që do të shërbejnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të ushtarakëve.
“Gjeneralin e njoftova rreth aktiviteteve që FSK-ja është duke zhvilluar sa i përket përgatitjeve për Defender ‘23, si shtet nikoqir i këtij ushtrimi fushor, por gjithashtu dhe për gatishmërinë që kemi shprehur për ofruar trajnime për ushtarakët ukrainas. Mes të tjerash gjeneralit i ofrova bashkëpunim në fushën e shkëmbimit të informacioneve, dhe në zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta në terrenet tashmë të shpronësuara në hapësirën e ish-Aeroportit të Gjakovës, në Cernushë dhe Babaj të Bokës”, ka thënë Mehaj.
Ai ka theksuar se edhe një herë ka shprehur rëndësinë e investimit të kompanive gjermane në industrinë e mbrojtjes në Republikën e Kosovës, dhe synimin që si ushtri dhe si shtet kemi për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.