Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së trajnohet nga instruktorët italianë për ‘Alpinizëm ushtarak’
Kompania e Kërkim-Shpëtimit e Regjimentit të Mbrojtjes Civile është duke ndjekur trajnimin “Alpinizëm ushtarak” i udhëhequr nga ekipi mobil i instruktorëve të shkollës verore të Italisë.
Trajnimi është duke u realizuar në Kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozotin dhe në lokacione të ndryshme, që u ofrojnë mundësi pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që të mësojnë teknika për kalimin e zonave malore me shkëmbinjtë, ngjitje në sipërfaqe shkëmbore dhe lëshimin me litarë nga lartësitë e ndryshme.
Për të parë nga afër realizimin e këtij trajnimi, sot, tek vendi i quajtur Guri i Plakës, qëndruan për vizitë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneralbrigade, Luca Piperni, zëvendëskomandanti i Gardës Kombëtare, kolonel Shaip Haziri si dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe përfaqësues të Ambasadës italiane dhe KFOR-it.
Qëllimi i trajnimit është që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të ngritin kapacitetet profesionale, duke përfituar nga përvoja e ekspertëve italianë në këtë fushë, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur në përballje me fatkeqësi malore, duke ju përshtatur vendit, kohës dhe kushteve atmosferike.