Njësia Speciale Intervenuese (NjSI/FIT) po shqyrton largimin nga radhët e policisë, pakënaqësi me Qeverinë e Kosovës
Njësia Speciale Intervenuese (NjSI), e njohur ndryshe edhe si FIT, pjesëtarët e së cilës zmbrapsen paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit po shqyrton largimin e përkohshëm nga Policia e Kosovës për shkak të pakënaqësive me Qeverinë në raport me kërkesat e tyre.
Informatat brenda NjSI-së thonë se anëtarët e kësaj grupe elitare e referuar shpesh edhe si “krenaria e policisë” kanë kuptuar se jo gjithçka u ishte përcjellur qartësisht me 24 shtator dhe disa gjëra në zinxhirin politik që ka afektuar punën e tyre në terren kishin çaluar.
Mungesa e NjSI u vërejt edhe nga fotot e publikuara nga vetë Osmani në Facebook me rastin e darkës, ku shihej se nuk ishte i pranishëm asnjë pjesëtar i kësaj grupe elitare policore.
Policia e Kosovës ka disa njësi speciale, duke filluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, Njësia Speciale Operative dhe të tjera, por njësia kulmore edhe brenda Specialëve është pikërisht NjSI-ja.
Për nga kapaciteti i shkathtësive, por edhe i armatimit, NjSI përbën grupin më të përgatitur dhe më të pajisur, duke poseduar brenda grupit edhe snajper dhe armë të tjera të kalibrit të rëndë.
Njësitet policore speciale dallohen për nga ngjyra e uniformave. Pjesëtarët e NjSI-së, ndryshe nga grupet e tjera, kanë veshje me ngjyra të gjelbra, tipike për uniformat ushtarake. Ata gjithashtu janë grupi i vetëm që në publik paraqitet kryesisht me maska në fytyrë.
Nga presidenca, mungesën e NjSI-së në darkën e Lamës janë munduar ta prezantojnë si rastësi, por nga burimet e Albanian Post brenda policisë kuptohet se me anëtarët e këtij grupi elitë u negociua deri në momentet e fundit që të ishin të pranishëm, por ata refuzuan.
“Është sinjal publik i pakënaqësisë”, kanë thënë për AP nga grupi.
“Ua kemi bërë të qartë se nëse nuk plotësohen kërkesat i lëshojmë radhët”, ka vazhduar burimi i AP-së, duke thënë se janë gënjyer vazhdimisht nga qeveritarët.
Nuk është hera e parë që NjSI bëhet iniciatore e përmirësimit të kushteve të policisë.
Edhe më parë ishte po kjo njësi, atëherë e njohur si FIT, që kishte mundësuar shtesat e rrezikshmërisë për policinë, të cilat u ndalën nga qeveria aktuale sërish.
Kërkesat e policisë sa u përket kushteve tashmë janë bërë të qarta edhe nga sindikata e Policisë së Kosovës.
Ato janë 10.
Sindikata ka dorëzuar edhe një peticion me 5 mijë e 623 nënshkrime në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut.
Përveç plotësimit të nevojave bazike, meqë sic është bërë e ditur në polici ka raste të mungesës edhe të veshmbathjeve, policia kërkon “Ligjin e pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore dhe shpërblim për fund-vit për performancë të mirë”.
Gjithashtu, kërkohen edhe “tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës”.
Sa u përket pakënaqësive dhe paqartësive për ngjarjet e 24 shtatorit është një diskutim tjetër, i ndarë nga kushtet e punës, të cilin pret ta bëjë Njësia Speciale Intervenuese me nivelin politik të udhëheqjes së shtetit.
Sa u përket pagesave për orët shtesë, Shqipëria për shembull e ka zgjidhur këtë çështje me një akt normativ të kaluar në Qeverinë e Shqipërisë ku jo vetëm që paguhen orët shtesë, por me efekt të menjëhershëm dhe retroaktiv janë paguar edhe orët e mbetura shtesë nga e kaluara.
Pagesat për orët shtesë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, deklaroi se “jo vetëm që do kryhet, por do ta ndjek personalisht”.
Orët shtesë të policisë dhe rrezikshmëria paguhet në secilën polici në shtetet e rajonit.