Njësia Speciale niset drejt Mitrovicës
Forca të shtuara të Njësisë Speciale të Kosovës janë nisur në drejtim të Mitrovicës.
Burime të Klankosova.tv brenda policisë bëjnë më dije se Njësia Speciale do të rrijë në gjendje gatishmërie për ditën e nesërme kur Serbia mban referendumin kushtetues e të cilin Kosova nuk e lejon që të mbahet në territorin e saj.
“Arsyeja është pasi që nesër mbahet referendumi në Serbi. Ne do të qëndrojmë në gjendje gatishmërie për çdo intervenim. Ne jemi në gjendje gatishmërie 24/7”, ka thënë ky burim për Klankosova.tv.
Duket se Njësia Speciale do të jetë e pranishme dhe në gjendje gatishmërie në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi Klankosova.tv ka siguruar edhe një video ku shihen autoblindat e kësaj njësie të Policisë së Kosovës teksa qarkullojnë në autostradën Prishtinë-Ferizaj.
Kujtojmë se sot Kuvendi i Kosovës me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim ka miratuar rezolutën kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë edhe në territorin e Kosovës.