NJËZET MIJË DHIMBJE
SHQIPE BYTYQI
NJËZET MIJË DHIMBJE
(Marte Tunajt dhe Vasfije Krasniqit)
Me njëzet mijë fate mbarsur
u poç kjo kohë, u poq
për një lindje t’vështirë
njëzet mijë shtërzime përbiu
një zog zëngjirur lirie
u lind
I ndrojtur vjen ky mëngjes
Marta, Vasfija, Shyretja…
njëzet mijë shpirtra
k’mishën t’rëndë plumb
territ t’pagojë i zhveshin
dhembjes memece
frymë e zë japin
Njëzet mijë dhembje
bashkë me heshtjen prej varri
bashkë me shpërfilljen
e veshin e shurdhër t’botës
kurrizit ngarkuar, ato bartin
njëzet vjet heshtje
njëzet mijë dhembje
I ndrojtur vjen ky zë
që ndërgjegjes njerëzimit
si ortek godet
VDEKJA M’FLET SERBISHT
(Dren Cakës, nëntëvjeçarit, të mbijetuarit të vetëm nga masakra e Gjakovës, më 02.04.1999, ku forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe dogjën 21 fëmijë dhe gra)
Jam shpirt i ngritur nga grumbull kufomash
Jetoj për t’dëftuar
Vdekja është fqinji im
Ai që genin dhe gjuhën time mallkoi
Vdekja është një llavë krijesash me maska
Pa fytyrë, pa shpirt
Vdekja ka veç sy, duar dhe imagjinatë ferri
Vdekja flet serbisht
Ajo është e paparashikueshme
Herë përzgjedh hijet nga kolonat e eksodit
Herë-herë u falë amshimin të gjithëve
Pa dallim, pa asnjë mëdyshje, pa lëvizur as qerpikun
Jam shpirt nga grumbull kufomash
Që shtirem si i vdekur
Apo kufomë që shtirem sikur jetoj
Jam ai çuni i vogël në Gjakovë, nga lagjja e parë
Jam në mesin e rrethit të shtatë të ferrit
Dëgjoj përgjërimin foshnjor t’motrës Diones
Si nën trupin e nanës, plumbash kositur
Gjëmon dhe ngadalë, në agoni vdekjeje shuhet
Ai çuni i vogël në mua nuk u rrit kurrë
Ashtu i vogël mbush, stërmbush, ngulfat qenien time
Çdo ditë shtrihem dhe ngritem me të
As n’varr s’do t’më lë vetëm
E vdekja ende serbisht flet
Edhe mbrëmë, isha në pragun e shtëpisë që digjej
Pashë Flakën lozonjare si vallëzonte n’flakë
Vdekja mua m’përzgjodhi t’i numëroj vdekjet
T’i thërras në emër
T’ju shoh retinën si shuhet
Rita, Dalina, Diona, veç nga dy pranvera
Marigona, Sihana, Arlindi, Delvina që t’gjithë fëmijë
Dhe Flaka, ah Flaka e tëra n’flakë
Trembëdhjetë fëmijë
Shtatë gra
Një burrë, rëndë i sëmurë
Dhe rrethi i shtatë i ferrit
I përgjërova t’më vrisnin
Zgërdhiheshin, vërtiteshin si ujqër
Me ulurimën si kodin e tyre vrastar
Unë i përgjëroja, vdekjen kërkoja
Gjersa tmerr i shpirtrave që theren
Kundërmim i njerëzve që digjen
Lemeritje e gjenocidit n’fundin e shekullit njëzet
Më vjen prapa
Nuk m’kujtohet
Sa kohë ka
Që zgjohem e shtrihem me të
E vdekja ende serbisht m’flet
RITA
(Vogëlushes Rita Vejsa, dyvjeçares së vrarë dhe djegur më 02.04.1999 në Gjakovë, bashkë me 20 të tjerë nga forcat policore dhe ushtarake serbe)
Ajo flen nën gurin e ftohtë të emrit
bashkë me t’amën Tringën
bashkë me gjyshen, vëllanë, motrat
bashkë me njëzet plisbardhë të tjerë
ajo flen n’at djepin e mermertë e t’heshtur
unë i pashë hapin rafal-serbi prerë
hapin që sapo kishte mësuar të hedhë
Ajo
atë natë
kur e vranë
dy pranvera kishte mbush
I preka ditëlindjen e dytë
martires vocërr të lirisë
ajo ma njohu prekjen
edhe gurët e varrit qanë
mbi ëndrrat e gërshetave
dhe plisave të vrarë
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)