Njëzet persona të plagosur në protestat në Serbi
Trembëdhjetë policë dhe shtatë civilë janë plagosur gjatë trazirave të së martës mbrëma në Beograd, për shkak të paralajmërimeve për orë policore.
Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”, të gjithë të plagosurit janë transportuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake.
Protestuesit, mbi 1 000 sish, ishin mblodhur në qendër të Beogradit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte paralajmëruar rikthimin e orës policore në fundjavë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Përleshjet kanë shpërthyer pasi një grup protestuesish ishte përpjekur të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, duke bërë që policia të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Vuçiqi ka thënë të martën se, nisur nga sot, tubimet do të kufizohen në pesë njerëz dhe se do të kërkojë nga grupi punues i qeverisë kundër koronavirusit që të shpallë orë policore në fundjavë.
Të martën, autoritetet shëndetësore në Serbi, kanë thënë se kanë regjistruar 13 viktima nga koronavirusi në 24-orëshin paraprak dhe 299 raste të reja.
“Duhet t’i mbrojmë qytetarët, kështu që nuk më interesojnë reagimet politike dhe protestat”, ka thënë Vuçiqi
Në total, Serbia ka regjisrtuar mbi 16 000 raste me koronavirus dhe 330 viktima.