NJI LULE VJESHTET

11 shtator 2022 | 09:32

GJERGJ FISHTA

 

N’atë rrahe t’dekne mbrenda vorrit t’errshem

Tash pluhën jé. Ata dy sy t’jan errun,

Kû qiella prirej me sá hana e diella

Terthores s’eper m’sharte vrejn t’njerzimit!

T’janë sosun fjalët e ambla e plot urtí,

E ai zâ t’âsht kputë, i cilli bite m’zemër

Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largut

Ndihet tue rá, kúr dora e prekë e msueme!

Ehu! po; “deka, qi baras m’derë t’pellazvet

Trakllon, si m’trinë t’kolibavet,” kû i vorfni

Me lot njomë buken, tý edhe ajo ke dera

T’traklloi, e ti kalove porsi voesa

E natës kalon, kúr dielli vjen me shndritun

Mbi kobe t’dheut. Sot përmbi vorr t’kanë bijtun

Hithat e madergona! ‘I kryq dullijet,

Qi e pershpirtshme nji dorë t’a vu te kryeni,

Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin

E vorrit nuk t’a zbutë, posë va’it t’trishtueshem

Të hutit t’natës, qi neper curra t’malit

Dhimbshem në rreze t’hânës rrin tue gjimue!…

Njai grumbull gursh, qi m’vorr t’randon persypri,

Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nierin,

Lugat i duken, n’hikë kah t’bjen nget vorrit,

Edhe t’përqethët atë botë i shkon n’për zêmer.

Po, a thue, krejt deka n’asgjâsend t’perpini

E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht plûhen,

Nuk t’la tjeter? Jo! N’pêrhen t’Amëshuemit

Pjesa ma e mira e jotja ka flutrue

Me gzue n’dritë t’qiellvet, kû pushon dishiri

I nierit t’drejtë, si drita m’sy kthiellun.

Po, po, se përtej vorrin shpirti i nierit

Gjallon per jetë! Njeky mendim i ambel

Deken e zbutë e vorrin bân t’pelqyeshem,

Kúr zêmren fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi

As vetë per tý s’lotova shum, kúr ndjeva

Se diqe: se n’mâ t’miren lule t’motit

E lae ti ketë shkretí, kû shuen e Drejta

E Paudhnija, kû sundon mizore;

Kû i zhyemi m’vese sod me dorë dhunuese

Vesin shinon me Theta t’zí, e selija

M’rrashta t’përgjakshme t’njerzvet m’kambë, kû mbahet.

Ehu! po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja

E diellit, qi perfton lulet e erandshme,

Kúr bora dêhet, s’mujt me e bajtë qelbsinen

E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi

Kah jeta e dytë, kû Njai qi rruzullimin

N’themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’qerpikut:

Amshon n’lumni shka Atij t’i két përgjá.

S’kje toka, jo, për ty kje qiella!

E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,

Ti, kushedi, n’per vrrije t’amëshueme

Shkon tue kërkue për lila e drandofille,

Qi s’dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,

Per me u lulzue mandej ndër t’zjarrtat valle,

Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’Parrizit:

Kû, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,

Kndon Zotit lavde n’për ylbera t’qiellit:

A, marrë krejt n’t’pám t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,

Porsi m’pasqyrë t’kulluet skjyrton shestimin

E rruzullimit, vú prej s’eprës Mende,

E cilla n’t’kênun sendet thirri t’tâna

Prej hijevet t’kthellueshme t’asgjâsendit,

Kur bâni Ajo furín me heshtë t’thellimit,

E me ‘i fuqi t’pamatne prapi terrin

E pakthellimit, qi atje n’t’skajshmet megje

T’ktij sheklli ndihet mnershëm tue gjimue,

Kah për ledhe plandoset t’rruzullimit,

E atŷ, n’atë dritë plot ambelcim dashtnijet,

Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’Dritvet

Gjithkah dikohet neper verë t’Parrizit,

Shpirtent e lum krejt m’rreze tu’ i pershi,

T’kthiellta ti i prirë t’vërtetat, t’cillat Hyji

Desht t’muzta nierit ma ia lânun t’shkrueme

Nder fletë t’hyjnueshme t’t’amëshuem Ungjillit.

Oh! sá e sá herë, kur n’mbrame shuen natyra,

E tjetër s’ndihet, veç se rryma e prronit,

Qi përmallshem gurgllon n’per rrajë e curra,

Un, lodhë mbi letra t’t’dijshemvet t’kahmotit,

Mbas t’cillvet fjalën rrij tue lmue shqyptare,

Dal në dritsore me kundrue shatorren!

Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhé – kushdi, për me felgrue

Nierin, qi egrue mâ fort prej mnerës s’territ

Përbluen punë t’mbrapshta: – e atë botë mendoj për ty.

E, kû ta shoh mâ t’flakshmen tue xhixhllue

Nji hýll, atŷ selín’ un’ tham me vedi,

Ti do ta késh, e syt m’atë hyll pa dá

I nguli, e m’bâhet si me t’pá. Me emën

Un t’thrras atëbotë n’per terr. Nji váj bylbylit,

Qi permallshem ndër gemba rrin tue kjá

Fatin e vet, e ndoshta, zojt e dashtun,

Jehonë m’i bâhet t’grishunit; e m’duket

Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,

Jo kurr; e sidomos nja’, i cili ‘i zêmër

E lên mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errshem,

Gjumin e dekës kû ai ban, na i flet mendimit,

Ambel edhè na nzitë kah punët e mbara,

E n’mende t’onë gjallon. Kúr Aleksandri

Prej Bregut t’Matës ngallnjyes u kap ke vorri,

Kû shuen idhnimi i Prisit t’Mirmidonvet,

Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,

Iu ndez aty flakë zêmra kah lumnija.

Mbi njatë vorr, po, u betue me ngulë flamùrin

N’skâj t’dheut, e prej selís’ me i zhdrypun mbretent;

E atëherë përpara tij tânë bota shuejti.

Mue edhè, qi sheklli e nji dishir Lirijet

T’thepisne raven m’ia kanë shtrue gjallimit,

Mue, po, edhè zêmra mbi vorr t’and t’përvûjtun

M’ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.

Përmbi vorr t’and, po, xâ të fortë me e mbajtun

Besen e dhânme – e miqasín e zânme;

Për Fé e per Atme n’báll me i dalë rrezikut:

Të ligshtit doren me ia njitë e t’fortin

Mos me e gledhue; kúr t’jét me u thânë e drejta,

Mos me i shmangë syt prej cakut, n’t’cillin mendja

Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue

Ndër sá t’vishtira, qi t’na sjellin motet.

Po, po! se pre’ atij vorri kam me shkepun

Hovin kah punët e mdhana. Ai kryq dullijet,

Mneren e vorrit qi t’a zbutë, ai qanderr

Ka me m’kênë ndër salvimet: Engjlli i Zotit,

Qi rojës besnik fuqít t’i pruen mizore,

Gjumin e dekës në vorr mos me t’turbllue,

Dér qi të shkimen n’qiellë e hâna e dielli

E t’ngele moti e sheklli mbarë t’rroposet,

E t’vije dita e gjyqit t’rruzullimit,

Ai ka për t’m’kênun Zâna. E atëherë pa u tutun

Zhgjetat e prehta e t’zjarrta kah me i prehun,

Qi kundra vesit do t’ia lshoj njerzimit:

Atë herë un kangët kam me i ndertue kreshnike,

Me t’cillat botës un do t’ia lâ të shkrueme

Se shka viejn armët besnike n’dorë t’Shqyptarit.

E me kangë t’mija ‘i përmendár t’madhnueshëm

M’vorr tand kam për t’ndertue, të cillin moti

Me fletë të ngrita kot ka për t’a rrahun;

Pse, si curr, qi n’mjes t’detit rreh tallazi,

Edh’ ai njashtû do t’jesë nder gjire t’motit

Qi bumbullojn mbi faqe t’rruzullimit.

E atë herë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zânat

E me të njoma vjollca e drandofille

Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritun

Me shum kujdes per qark selvija t’blerta;

E shtektarit mundqár, qi n’ato hije

Ka me xânë vend, me ndalë pak gjâ t’dihamet,

Kanë me i kallzue se sá pjesë qiellet vrâni

Deka n’atë vorr. E atë botë i largë shtektari

Të lehtë dhén ka me t’urue, e t’paqta e t’buta

Shinat e borën: e, kur n’male t’veta

T’dredhojë ke stani, fmís’ ka me i kallzue

Shka ndjeu për tý. E fmija e tij aso bote

Emnin t’ and kanë për t’kndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.

Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t’njohtne veç e prej barivet:

Kanë me u rritë lisat, përse spata as rêja

S’e prekin landen, kû âsht ravisë aj emen:

E tu’u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

E kshtu ma t’kjarta mbas disá qindvjetve

Nipat mâ t’vonët kanë me i këndue, e emni

Sa t’bjere dielli tokës ka me t’u kndue.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndonëse ka shkelur në të pesëdhjetat, dita e tij e…