NJI TAMËL MA PRUNË DO GRA
GAZMEND BËRLAJOLLI
NJI TAMËL MA PRUNË DO GRA
Kemi ecë.
Kemi ecë.
Kolonë.
Gra.
Plot plot gra.
Kur na ra granata
copa m’u futën
gjak më çelën,
në gji njana
tjetra në kambë.
Beben ngjeshë në prehën,
vjehrrën po e lus
Nanë,
çikën ma rroku nji copë granate…
Gjaku rrëke kambës.
…oj nanë, veç po dridhna,
çikën a ma mban?
Gratë më dhanë pelena,
çikën me e mblue,
Gjakun me ma ndalë
morën po ma lidhin
kambën mue gratë.
Rrugës dikur vjehrra,
Zoti shnosh ty se
çika, më thotë,
vdiq.
Ç’me i ba oj nanë,
a thue ku me e lanë?
Ia kam puthë ballin,
edhe sytë të dytë
te nji mulli e kam lëshue
Në nji cep aty,
ku kish pasë do sanë.
Mos e le këtu
se ta han ndoj qen,
Merre!
Ushtar me uniformë ish.
Merre!
më bërtiti,
këtu s’mundesh m’e lanë.
Iu afruem qytetit,
na shtinë në fabrikë.
u avitën gratë,
copën e granatës
ma hoqën me gërshanë,
mishi mos me u infektue.
Ma përmiellën varrën
prap ma lidhën kambën
pakëz m’u qetësue.
Gjinit veçse gjakun
s’mujsha me ia ndalë
me u dridhë,
ethe,
më nisën.
Çikës ia laga
buzën me nji tamël
që ma prunë do gra.
Çika sytë i çeli
ish hala e gjallë.
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)