Njihuni me Eric Yuan, ‘Miliarderi Covid-19’
Kriza e koronavirusit po rrënon botën, por jo Eric Yuan. ZOOM, kompania e tij ka bërë gati 4 miliard dollarë në 3 muajt e krizës së koronavirusit, duke u bërë nr. 1 për videokonferenca. Aplikacioni i video-konferencave ZOOM, para koronavirusit përdorej vetëm nga njerëzit që punonin apo socializoheshin kryesisht në internet.
Tani po sheh që çmimi i aksioneve rritet në mënyrë eksponenciale. Vetëm një vit pasi është futur në klubin e miliarderëve, Yuan ka grumbulluar një pasuri prej mbi 7.5 miliardë dollarë. Ai nuk ka më kohë të flasë për pasurinë e tij neto, karrierën apo jetën personale. Sipas përfaqësuesve të tij, aktualisht ai është i angazhuar me 18-orë punë në Zoom.
Yuan ka lindur në provincën Shandong të Kinës. Prindërit e tij qenë inxhinierë minierash. Yuan mori një diplomë universitare në matematikë të aplikuar dhe një master master në inxhinieri. Pas diplomimit, kaloi katër vjet duke punuar në Japoni. Por i frymëzuar nga një fjalim i Bill Gates në lidhje me flluskën e dot-com, ai transferohet në Silicon Valley për të punuar për një starup në internet. SHBA ia mohoi kërkesën për vizë tetë herë me radhë, derisa miliarderi i ardhshëm u lejua të transferohej në Kaliforni në 1997. Ishte vetëm 27 vjeç.
Kur hyri për herë të parë në SHBA, Yuan fliste vetëm pak anglisht, kështu që e gjithë vëmendja e tij ishte e përqëndruar tek puna. “Për disa vitet me radhë, unë thjesht kodoja dhe isha jashtëzakonisht i zënë,” i tha Yuan CNBC. Futbolli ishte hobi i vetëm i tij gjatë asaj kohe, shkruan Forbes. Para se të themelonte ZOOM, Yuan ishte bashkëdrejtues në kompaninë e pajisjeve telekomunikuese Cisco Systems. Në atë kohë Yuan ka krijuar një kompani tjetër videokonferencash të quajtur WebEx që u ble nga Cisco në 2007.
Kur ende jetonte në Kinë, Juan dhe e dashura e tij u regjistruan në dy kolegje të ndryshme që ishin 10 orë larg njëri tjetrit me tren. Të dy u martuan më vonë. “E shikoja vetëm dy herë në vit pasi duheshin më shumë se 10 orë për të arritur atje me tren,” i tha Yuan Forbes në 2017. “Isha i ri atëherë – 18 ose 19 vjeç – dhe mendoja se do të ishte fantastike nëse në të ardhmen do të kishte një pajisje ku unë thjesht mund të klikoja një buton dhe ta shihja e të bisedoja me të.”
Kjo përvojë i dha idenë për të përfshirë video në sisteme konferencash të bazuara në telefona si Cisco. Ai gjithashtu dëshironte të bënte një sistem konferencash më miqësor ndaj përdoruesit që të ishte argëtues për t’u përdorur. ZOOM është i njohur për mundësinë virtuale, që i lejon përdoruesit të zgjedhë të duket sikur është në plazh ose përpara Golden Gate.
Juani kërkoj që në Cisco të futej një sistem i ri video konferencash miqësore me smartphone që në 2011. Kur shefat e tij e kundërshtuan ai u largua nga Cisco për të krijuar ZOOM. “Cisco ishte më e përqendruar në rrjetet sociale, duke dashur të bëhej një ndërmarrje si Facebook,” i tha Yuan Forbes. “Cisco bëri një gabim. Tre vjet pasi u largova, ata e kuptuan atë që unë pata të drejtë.”
Në fillim Yuan nuk mundi të bindë asnjë investitor për ta mbështetur sipërmarrjen e tij të re, kështu që ai moro para hua nga miqtë dhe familjarët për ta filluar ZOOM. “Ata mendonin se tregu është aq i mbushur me njerëz, saqë loja ka mbaruar”, i tha Yuan Financial Times. Pasi pranoi refuzime të shumta Yuan nuk i dëgjoi më këshillat ‘Nuk mund të bëhet’ dhe vazhdoi punën. Vetë gruaja e Yuan fillimisht e vuri në dyshim vendimin e tij për të lënë Cisco. “I thashë asaj se e di që është një udhëtim i gjatë e shumë i vështirë, por nëse nuk e provoj, do pendohem “, – tha Yuan Forbes. Por ajo kohë tani i përket historisë.
Kur ZOOM u regjistrua në bursë ajo ishte një nga IPO-t më të suksesshme të vitit, duke u bërë kompani me më shumë vlerë se Lyft apo Pinterest. Çmimi i aksionit të ZOOM u rrit 72% vetëm në ditën e parë të tregtimit. Tani kompania vlen 35 miliardë dollarë, ka mbi 30,000 klientë nga korporatat e mëdha, përfshirë Samsung, Uber, Walmart dhe Capital One. Yuan ka një vlerësim prej 99% të pëlqimit nga përdoruesit. Glassdoor e quajti Yuan CEO-n më të sukseshëm të vitit 2018. Ai jeton me moton “Puno shumë dhe ji modest”.
Përdorimi i Zoom është rritur 1.900% që nga dhjetori kur shkollat, universitetet dhe punë të tjera u zhvendosën në internet pasi autoritetet në të gjithë globin urdhëruan ‘distancimin social’ për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Vlera e aksioneve të ZOOM është dyfishuar në tre muajt e fundit, duke shtuar edhe pasurinë neto të Yuan gjithashtu. Pjesa më e madhe e pasurisë së tij prej 7.57 miliardë dollarë rrjedh nga 19% e aksioneve të tij në Zoom. Yuan tani renditet me nr. 192 në listën e 500 njerëzve më të pasur në botë të Bloomberg. Para 2020, ai nuk ka qenë fare në listë.
Profili publik në rritje i ZOOM ka rritur edhe shqetësimet. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut i dërgoi një letër kompanisë për kujdes në protokollet e praktikave të privatësisë së të dhënave. “Zoom e merr intimitetin, sigurinë dhe besimin e përdoruesve të tij jashtëzakonisht seriozisht,” tha kompania në një deklaratë mbi letrën. “Gjatë pandemisë së COVID-19, ne po punojmë tërë natën për të siguruar që spitalet, universitetet, shkollat dhe bizneset e tjera në të gjithë botën të mund të qëndrojnë të lidhur dhe operacionalë. Ne e vlerësojmë angazhimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut për këto çështje dhe jemi të lumtur që ti sigurojmë informacionin e kërkuar”.
Yuan kërkoi falje për disa probleme që u shfaqën së fundi duke shkruar “Ne nuk e hartuam produktin me parashikimin që, brenda disa javësh, çdo person në botë papritur të punonte, studionte duke qëndruar në shtëpi”. Yuan njoftoi një seri masash për ta bërë ZOOM-in më të sigurt, duke përfshirë marrjen e ekspertëve të jashtëm, zgjerimin e “programit të bug-bounty” të kompanisë (në të cilën kompanitë e teknologjisë ofrojnë shpërblime në para për hakerat etikë që gjejnë çështje me sistemin e sigurisë së kompanisë), dhe mbajtjen e konferencave javore për të azhurnuar njerëzit mbi përparimin e kompanisë. /Business Insider/Mapo