Njoftim i MPB-së: Korrigjimi-përshtatja e të dhënave në sistem të pagave, do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët e ardhshme

28 prill 2023 | 16:51

“Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publik të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e treta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023”, kështu kanë bër të ditur përmes një njoftimi për medie MPB-ja.

Njoftimi i plotë i MPB-së:

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publik të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e treta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.

Edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. I njoftojmë të gjithë zyrtarët publik se pas përmirësimeve diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, në zbatim të Vendimit Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Thesarin e Shtetit/Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, ka vazhduar punën gjatë gjithë muajit prill në plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave të të punësuarve në funksion të zbatimit efektiv të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimit të Qeverisë Nr.04/128 të datës 16.02.2023.

Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit.

Puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave.

Njoftojmë opinionin dhe të gjitha palët e interesuara se përgjithësisht por duke mos u kufizuar, kërkesat që po shqyrtohen kanë përafërsisht bazë si në shpjegimin e mëposhtëm:

  1. Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  2. Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);
  3. Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  4. Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  5. Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).
  6. Arsye të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me udhëheqësit e institucioneve me qëllim adresimin më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha kërkesave që përmbajnë mospërputhje me përcaktimet e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ligj ky i cili, ka reformuar rrënjësisht strukturën e pagave në sektorin publik për herë të parë në Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbështeti vendimet e përfaqësuesit…