Njoftimi i FFK-së për tifozët para ndeshjes me Anglinë
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar për rregullat dhe gjërat e ndaluara për tifozët në ndeshjen e sotme të Kosovës kundër Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosova tashmë jashtë garës për t’u kualifikuar, është nikoqire e Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit për të dy ekipet kombëtare në Grupin A kualifikues që nis në orën 18:00, me këtë të fundit që është kualifikuar tashmë. Organi qeverisës i futbollit në vend ka njoftuar se dyert e stadiumit do të hapën dy orë para se të nisë takimi, si dhe njoftuar për gjërat e ndaluara brenda stadiumit.
“Asnjë person, përfshirë edhe fëmijët pavarësisht moshës nuk do të lejohen të hyjnë në zonën e stadiumit pa biletë. Në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli prandaj luten të gjithë qytetarët që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
FFK-ja paralajmëron se qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore.
Rregullat:
- Dyert e stadiumit hapen në ora 16:00.
- Luten qytetarët që të vijnë me kohë në stadium, duke filluar nga ora 16:00 për të shmangur tollovinë.
- Nuk shiten bileta në zonën e stadiumit. Qytetarët të cilët nuk kanë biletë luten të mos vijnë në zonën e stadiumit sepse shkaktojnë tollovi. Qytetarët pa biletë do të largohen nga policia.
- Nuk lejohet hyrja pa biletë. Një bilete një person. Asnjë person, pavarësisht moshës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium pa biletë. Kjo vlen edhe për fëmijët.
- Gjërat qe nuk lejohen në stadium do te konfiskohen në hyrje. Gjërat e palejuara përfshijnë:
– Mjetet piroteknike
– Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë
– Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë
– Pijet alkoolike dhe substancat narkotike
– Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit te fëmijëve 24 muajsh) si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem, etj.
– Ombrella
– Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë
– Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme, etj) etj.
– Kamera profesionale dhe video kamera
– Pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzele
– Materialet promovuese ose komerciale
– Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar
- Luten qytetarët që gjatë intonimit të himneve të respektohet qetësia
- Qytetarët njoftohen që, për arsye të sigurisë, nuk lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna. Prandaj, ulja në shkallët e stadiumit është rreptësisht e ndaluar.