Njohës i çështjeve të emergjencave civile: Rreziku nga ortekët e borës nuk duhet të përjashtohet
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave civile, ka reaguar ndaj rasteve me fatalitet që po ndodhin si pasojë e ortekëve të borës në Brezovicë.
Një ditë më parë një shtetase e huaj 54-vjeçare ka humbur jetën në Brezovicë si pasojë e rrëshqitjes së borës.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person dyshohet se ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur ‘Foleja e Shqiponjës’. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës. Ekipe të policisë dhe ekipe të kërkim shpëtimit janë atje dhe për informata tjera do t’ju njoftojmë me kohë. Viktima është femër, shtetase e huaj, e moshës rreth 54 vjeçare”, është theksuar në njoftimin e policisë.
Ahmeti ka theksuar se rreziku nga ortekët e borës nuk duhet të përjashtohet.
“Është potencuar disa herë se Kosova nuk bën pjesë në zona të rrezikshmërisë së ortekëve, mirëpo praktikat po e dëshmojnë të kundërtën. Deri më tani kemi disa raste me fatalitet nga ortekët e borës, andaj përveç tri rreziqeve natyrore nga të cilat kryesisht rrezikohet Kosova, tërmeteve, vërshimeve dhe zjarreve pyjore, as rreziku nga ortekët e borës nuk duhet të përjashtohet dhe injorohet”, ka thënë njohës i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti.