Njohësi i Kushtetutës, Albert Krasniqi: Presidenti vendos se cila parti tjetër mund ta formojë Qeverinë
Pas rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku mocioni i mosbesimit nga partneri i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, kaloi me 85 vota për. Njohësi i çështjeve kushtetuese, Albert Krasniqi, ka treguar se si e parasheh Kushtetuta, tutje veprimin e Presidentit dhe partive që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Presidenti duhet që menjëherë pas mocionit të mosbeismit, të konsultohet me Lëvizjen Vetëvendosje, si partia që ka fituar numrin më të madh të ulësve në Kuvend. Vetëm nëse Vetëvendosje refuzon të marrë mandatin apo dështon të marrë mbështetjen për kandidatin e saj të ri në Kuvend, ku kërkohen të paktën 61 vota, atëherë Presidenti Thaçi duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike apo koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë së re. Këtu nuk përjashtohet që Vetëvendosje të ketë sërish mundësinë, siç nuk përjashtohen as partitë tjera. Kjo çështje është në diskrecion të Presidentit të vendos”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se Kushtetuta nuk ka paraparë në mënyrë strikte afate se kur Presidenti duhet të kërkojë emrin e kandidatit për kryeministre, dhe as se kur duhet që partia politike t’i kthej përgjigje Presidentit, mund të ketë tendenca që të abuzohet me këtë, duke mos hequr dorë nga pushteti të cilin e ka marrë nga Kuvendi dhe të cilit duhet që i’a dorëzojë pasi të humb besimin. “Kushtetuta nuk mundet të ngarkohet me afate për secilin veprim, prandaj duhet lexuar fryma e saj. Në këtë kontekst, Presidenti mund të kalojë tek partitë e tjera, nëse brenda një afati maksimal prej 15 ditëve – aq sa është afati për partitë politike të propozojnë emrin e mandatarit – nuk kthehet përgjigje, duke e konsideruar këtë si refuzim për të marrë mandatin”, ka deklaruar Krasniqi për “infosot”.