Njohësit e arsimit: MAShTI mos të ndërtojë shkolla, por të nis ristrukturim të mirëfilltë për cilësi
Njohësit e arsimit konsiderojnë se ka dështuar cilësia në arsim. Sipas tyre, institucionet kanë harruar misionin e tyre për të ofruar mësim. Ata vlerësojnë se nevojitet ristrukturim në tërë procesin e sigurimit të cilësisë brenda në shkollë.
Ish-zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, përmendi për KosovaPress, disa nga problemet që ndikojnë në cilësinë e arsimit.
Sipas tij, nuk ka sa duhet mjete financiare për organizimin cilësor të mësimit por njëkohësisht ka edhe një strukturim të gabuar të mënyrës së investimeve të mjeteve në arsim.
“Faktori njerëzor është faktori numër një për cilësinë e arsimit në Kosovë, nënkuptoj të gjitha nivelet pa përjashtim, përfshirë mësimdhënësit por edhe politikbërësit…Njerëzit edhe institucionet e kanë harruar misionin e vet për të ofruar mësim, cilësi e cila shprehet me zhvillimin e fëmijëve, me njerëz produktiv dhe të dobishëm për vetën, familjen dhe shoqërinë, këtë e kemi harruar. Ne shkojmë në punë sa për të shkuar, punuar dhe ka një shpërputhje totale në mes rregullave, politikave, udhëzimeve të tjera dhe realitetit të asaj që ndodh në shkollë. Janë edhe dy probleme, Kosova është shtet i varfër, nuk ka sa duhet mjete financiare për organizimin cilësor të mësimit por njëkohësisht ka edhe një strukturim të gabuar të mjeteve, mënyrës së investimeve të mjeteve në arsim, para se të gjithash sepse mbi 80 për qind shkojnë vetëm në paga, dhe arsimi nuk është vetëm të dërgosh njerëz në klasë ose në shkollë, t’u japësh atyre paga, por arsimi duhet të mendohet me diçka. Ky përqendrim në paga ka bërë që arsimtarët, shkollat të mos jenë të përkrahura në mënyrë të duhur që të bëjnë përvojat e fëmijëve në klasë më të pasura, me teknologji të ndryshme të cilat do të japin kuptim mësimit”, tha Rexhaj.
Rexhaj tha se buxheti për arsim të shkojë në vende të duhura, jo ashtu siç ka qenë më parë. Sipas tij, nevojitet një ristrukturim i mirfilltë.
“Mos ndërtoni shkolla, por pasuroni klasat brenda dhe përkraheni mësimdhënësit. Dhe mos punësoni më mësimdhënës por përdorni ata që janë brenda për t’i shtuar shërbimet arsimore… Edhe mësimdhënësit nuk kanë kurrfarë angazhimi tjetër që do të ishte përtej mësimdhënies, si shembull, këshillimi në karrierë, shërbimet psikologjike, përkrahje emocionale-psikologjike, aktivitete varësisht prej talenteve, këto do të kishin pasuruar përvojat e të nxënit në shkollë. Prandaj, konsideroj se është e domosdoshme një ristrukturim i mirëfilltë, jo sa për sy e faqe, që të ofrojë jo vetëm mësimdhënie por edhe përkrahje emocionale për nxënësin, përkrahje kundër bullizmit, e të tjera gjersa që duhet shkolla me dhanë… Nëse është shtuar buxheti për arsim, të shkojë në vende të duhura, jo ashtu siç ka qenë më parë përveç rasteve të domosdoshme të shkohet në shkolla të reja dhe punësimin e mësimdhënësve, zyrtareve të rinj në arsim, sepse jemi duke i dëmtuar fëmijët”, shtoi Rexhaj.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, mungesa e cilësisë në arsim është mungesa e llogaridhënies dhe e përgjegjësie.
Qehaja ka kërkuar nga Ministria e Arsimit ristrukturim në tërë procesin e sigurimit të cilësisë brenda në shkollë.
“Mungesa e cilësisë ka një imput të vetëm dhe ajo është mungesa e llogaridhënies dhe e përgjegjësie, nuk mungojmë në dokumente, legjislacion e strategji por mungojmë në përgjegjësi për dështime, mungojmë në përgjegjësi për improvizime dhe sistem. E tërë kjo është duke na u kthyer si dëme afatgjatë në zhvillimin e nxënësve, është një përgjegjësi karshi po njëjtëve… Mirë do të ishte të kemi një numër në rritje të inspektorëve, mirëpo pikë së pari duhet ta kemi të ristrukturuar tërë procesin e sigurimit të cilësisë brenda në shkollë, pra një pavarësi shumë e madhe për shkollën… Në mënyrë që ky sigurim i cilësisë në shkollat tona të jetë i garantuar është e domosdoshme që të kemi një përmirësim të cilësisë në arsim dhe në klasë. Pra, çdo reformë që na vjen rreth cilësisë duhet të prek drejtpërdrejt nxënësin në klasë, me reforma që na garantojnë një mësimdhënie më cilësore”, tha Qehaja.