Njohësit e integrimeve: Duhet të punohet ende për liberalizim të vizave
Njohësit e integrimeve evropiane kanë përmendur faktorët të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ata kanë bërë me dije se mungesa e rezultateve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mungesa e vullnetit të disa vendeve të BE-së dhe ngecjet në procesin e dialogut Kosovë – Serbi janë faktorët kryesorë që po i mbajnë kosovarët të izoluar.
Drejtori ekzekutiv i Instituti EPIK, Demush Shasha, ka treguar për gazetën “Epoka e re” se faktori i parë që po ndikon në këtë aspekt është mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Tri vjet e gjysmë pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht, vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës.
Sipas tij, raporti i vendit 2019 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. “Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell të gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe institucionet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprimet nën ndikimin politik. Kosova u konfirmua se është vend i fundit në Ballkan në kuadër të kapitujve të ndërlidhur me sundimin e ligjit – kapitulli 23 dhe 24. Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca, Holanda dhe Danimarka”, ka thënë Shasha.
Gjithashtu, drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK ka vlerësuar se mungesa e përparimit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte në këtë proces. “Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është kriter i drejtpërdrejtë i procesit të liberalizimit të vizave. Sidoqoftë, mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte pasi që vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, përfshirë edhe liberalizimin e vizave”, ka vlerësuar Shasha, duke shprehur optimizëm se në këtë vit mund të ketë lajme pozitive në këtë drejtim. “Në këtë kontekst, nëse institucionet e Kosovës i adresojnë detyrat e shtëpisë gjatë vitit 2020, atëherë mund të shpresojmë për një vendimmarrje pozitive gjatë vitit 2020 për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Ndërsa njohësi tjetër i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se pengesa kryesore në këtë drejtim është mosnjohja e Republikës së Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
“Nëse kriteret e Kosovës për liberalizim të vizave i krahasojmë me kriteret që i kanë pasur vendet e tjera, shihet se Kosova ka pasur kritere të dyfishta dhe kritere që vendet e tjera nuk i kanë pasur në këtë proces. Prandaj, BE-ja, pavarësisht se Kosovës i ka deklaruar perspektivën evropiane, vendimmarrja politike në BE është e vështirë e parashikueshme, kur dihet se mungojnë pesë anëtarë të BE-së që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, ka thënë Mazrreku. Sipas tij, BE-ja në vend se të bëjë presion te vendet anëtare që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ajo i shton kriteret për liberalizim të vizave. “Megjithatë, këtë kontradiktë brenda strukturave të BE-së, në vend se Bashkimi Evropian të bëjë presion mbi ato pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, BE-ja vazhdon të vendosë kritere për Kosovën të cilat nuk janë aplikuar në ndonjërin nga vendet që kanë përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave. Përderisa ekziston kjo situatë, koha se kur do të merret vendimi për liberalizmin vizave është vështirë e parashikueshme”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe strukturat e brendshme të shtetit të Kosovës nuk e kanë adresuar dhe qartësuar këtë çështje siç duhet.
Mazrreku ka vlerësuar se zyrtarët e lartë të BE-së që e përfaqësojnë këtë mekanizëm në dialogun Kosovë – Serbi nuk mund të garantojnë asgjë në emër të BE-së për procesin e liberalizmit të vizave. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë nuk mund të garantojë asgjë në emër të BE-së, sepse ky përfaqësues nuk e merr vendimin për liberalizim të vizave. Këtë vendim e marrin shtetet anëtare të BE-së dhe këto shtete nuk e kanë dorëzuar atë kompetencë në këtë institucion”, ka deklaruar Mazrreku.
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, me të marrë mandatin, ka bërë me dije se liberalizmi i vizave do të jetë prioritet i Qeverisë Kurti. Ai ka thënë se për të ndodhur liberalizmi duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Unë jam përmbajtur nga deklarimet, citimi me data, me ditë, me muaj, sepse procesi i liberalizimit, ndonëse është proces teknik i plotësimit të kritereve megjithatë, siç po shihet në rastin e Kosovës në finalen e saj, pas plotësimit të 95 kritereve të Komisionit Evropian, janë disa hezitime të, së paku, dy shteteve anëtare të BE-së dhe atë me mosbindjen e tyre që Kosova nuk ka ofruar ende prova bindëse për luftimin e korrupsionit, sidomos në rastet e profilit të lartë”, ka thënë Reka.
Kurse ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në konferencën e nivelit të lartë lidhur me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor “Nga Selaniku në Zagreb”, ka kërkuar liberalizmin e vizave për Kosovën.
/Epoka e re/