Njohja reciproke duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti duhet t’ia paraqesë Uashingtonit dhe Brukselit zyrtar qëndrimin e palës kosovare që në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë të përfshihet edhe njohja reciproke.
Ai në TV Dukagjini ka thënë se është momenti i duhur që kryeministri Hoti në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë të kërkojë marrëveshjen për njohje.
“Kërkesa ime është që kryeministri Hoti t’i adresojë Uashingtonit dhe Brukselit kërkesën për njohje nga Serbia, ku në këtë marrëveshje do të përfshiheshin marrëveshjet e deritanishme të Brukselit, por edhe temat që do të zgjidheshin pas njohjes”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se nuk beson se në Shtëpinë e Bardhë do të bisedohen vetëm për temat ekonomike, pasi sipas tij, aty do të diskutohet edhe rreth marrëveshjes për njohje reciproke Kosovë-Serbi.