Njohjet e reja që s’po i vijnë Kosovës
Përkundër faktit se disa vende mund të kenë tërhequr aktin e njohjes, autoritetet në Prishtinë besojnë se janë 116 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet. Ky numër ishte prezantuar edhe një vit më parë, në shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë.
Konfuzioni rreth numrit të njohjeve është shtuar pas fushatës diplomatike të Serbisë e orientuar drejt shfuqizimit apo anulimit të njohjeve të Kosovës nga shtete të caktuara.
Por, Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se për njëmbëdhjetë vjet, Kosova ka shënuar një sukses të konsiderueshëm në raport me shumë vende të tjera të cilat janë ë pavarura, ndonëse ka hasur edhe në vështirësi të mëdha.
“Kjo nuk do të thotë se tash ne duhet të ndalemi, por e them si Ministri, ne i ftojmë të gjitha institucionet që të koordinojnë veprimet me ne dhe të përkrahemi në të bërit diplomaci dhe politikë të jashtme në koordinim me MPJ-në dhe ministrin”, ka thënë Haxholli.
Qeveria e Kosovës ka kohë që ka aktivizuar mekanizmat e saj diplomatikë për t’u përballur me agresivitetin diplomatik të Serbisë, që po manifestohet jo vetëm me përpjekjet për të ndaluar njohjet e reja dhe pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë, por Beogradi po u kërkon vendeve të caktuara që të tërheqin njohjet e shtetit të Kosovës.
Haxholli, veç aktivitete të shumta, që siç tha ai, i ka bërë Ministria e Jashtme, ka veçuar hartimin e strategjisë për politikë të jashtme dhe veprimet për t’ju kundër përgjigjur siç thotë ai politikës agresive të Serbisë kundër Kosovës.
“Si Ministri e Jashtme dhe vet ministri Pacolli, kanë qenë të angazhuar në kundërvënie të fushatës të cilën e ka bërë Serbia, fushatë agresive që ka dashur ta dëmtojë dhe në vazhdimësi synon ta dëmtojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës duke pretenduar se ajo po arrin t’i prish disa nga njohjet”, ka thënë Haxholli. Sipas tij, aktet e çnjohjes për të cilat flasin zyrtarë të Beogradit, nuk ekziston si rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Linku i shkrimit të plotë: https://www.evropaelire.org/a/njohjet-e-reja-qe-spo-i-vijne-kosoves/29776075.html.