Njohjet nuk mund të ndodhin me politika izolacioniste dhe revizioniste pa naviguar interesin shtetëror
Albert Prenkaj, ish ambasador i Kosovës në Itali
Pas Deklartës së Pavarësisë së Kosovës, rrethanat ndërkombëtare kanë ndryshuar. Sot bota ballafaqohet me kriza strategjike, si: Lufta në Ukrainë, ajo në rripin e Gazës, mundësitë për shpërthime të reja në Azi, Kriza e CO2, multicentrizmi që po ndikon në krijimin e zonave të interesit dhe rendit të ri botëror.
Kosova nuk është më një shtet i ri simpatik që paraqitej si storje e suksesit nga përkrahësit e saj që ndihmuan që ky projekt të jetë i suksesshëm.
Kosova sot është i vetmi shtet i sanksionuar në Evopë falë qëndrimit të kësaj nomenklature politike në pushtet.
Përderisa në tre vitet e para diplomacia kosovare është fokusuar për të lobuar vetëm në qendrat kryesore perëndimore, qasja e re për të kërkuar njohje ishte kombinimi i lobimit në rrafshin dypalësh dhe shumëpalësh.
Orientimet e veprimeve konkrete për të kompletuar njohjen pas vitit 2011 synonin tre grupe të aktorëve ndërkombëtarë: shtete individuale; grupshtete dhe rajone të caktuara; si dhe organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.
Çështja e njohjes ndërkombëtare të shtetit qëndron si një nga aspektet më tërheqëse të politikës së jashtme dhe njëkohësisht paraqet sfida të rëndësishme në sferën e së drejtës ndërkombëtare. Gjatë gjithë historisë, akti i njohjes ka shkaktuar dilema, hezitime dhe qëndrime kontradiktore të shumta. Shtetet e sapokrijuara e gjejnë veten duke u përballur me aleatë dhe kundërshtarë në peisazhin kompleks për njohje.
Historikisht, forma dhe metodat e njohjes së shteteve kanë oshiluar në varësi të kushteve politike dhe legale në të cilat ato janë krijuar. Në një anë, ka ekzistuar njohja e vendeve përmes konferencave të ndryshme ose marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë njohjen kolektive direkte nga një grup i caktuar i shteteve. Ky proces ka ndodhur më shumë si sfidë e shumicës, duke përfshirë shtetet kryesore të sistemit ndërkombëtar ose të një regjioni të caktuar.
Kosova ka pasur nevojë të ndjekë një rrugë jo konvencionale, atë të njohjes bilaterale. Pasi që Dokumenti Gjithpërfshirës për Statusin Final të Kosovës apo propozimi i Ahtisaarit për pavarësi, nuk u dërgua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, meqë gjasat ishin reale që Rusia dhe Kina të përgjigjen me veto, vendi u detyrua të përdorte opsionin e njohjes me shtetet një nga një. Kosova zgjodhi një rrugë të vështirë, duke paguar një çmim të lartë për këtë zgjedhje.
Shtrirja gjeografike e njohjeve për kosovën tashmë është globale. Arsyet e njohjeve nga vendet e gjeografive të ndryshme janë: a) njohja si rezultat i të drejtës ndërkombëtare, pra këto vende e arsyetojnë njohjen si rezultat i shpërbërjes jo konsensuale të dhunshme të RSFJ-së, si plotësim i së drejtës ndërkombëtare për vetvendosje; b) njohja që ofron siguri dhe paqe të qëndrueshme në rajon; dhe c) njohet e shteteve të cilat janë solidarizuar me dy grupet e para që e kanë njohur Kosovën.
Mjedisi ndërkombëtar i asaj kohe nuk ishte një terra nulla, por një realitet sfidues. Përkundër kësaj, qasja për njohje ndërkombëtare ka treguar rezultate konkrete. Ajo që duhet bërë të ditur është se njohjet demonstrojnë sovranitetin e jashtëm të Kosovës. Pra është krijuar një realitet në të cilin Kosova nga njohjet e vendeve anëtare të OKB-së, nga kjo shumësi e njohjeve dhe nga anëtarësimi në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare, konsiderohet subjekt ndërkombëtar.
119 organizata ndërkombëtare dhe më se 30 organizata sportive, si dhe mbi 117 vende kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Këto të aritura të shtetit u shënuan deri në vitin 2020, kur Republikën e Kosovës e njohu Izraeli.
Njohjet e para janë cilësuar si njohje kualitative që numëronin vendet e G7 dhe më se gjysmën e anëtarëve të G20 të cilat e dominojnë GDP botërore. Tutje njohjet janë siguruar përmes lobimit të koordinuar me vendet e fuqishme përkrahëse të Kosovës. Kosova në mënyrë permanente këshillohej dhe planifikonte, duke krijuar strategji lobimi.
Madje ekzistonin forume të përbashkëta jo-formale dhe formale koordinimi me Quint (pesë vendet) që përbëhet nga: SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali. Por vendet me të cilat është koordinuar procesi i njohjeve ishin edhe vendet si Turqia, madje edhe vendet e rajonit si Mali i Zi i cili ka ndihmuar në njohjen nga një vend aziatik hezitues. Komunikimet e gjata, njohja e pasaportave para njohjes përfundimisht solli edhe njohjen nga Singapuri. Veprimet dhe rrugëtimet e gjata për njohje nuk kanë munguar. Njohja nga Surinami ishte rezultat i një bashkëbisedimi personal të ministrit të jashtëm të Kosovës me krerët e atij vendi. Në sigurimin e notave verbale ishin të involvuar edhe kolegë të shërbimit civil. Togoja. p.sh ishte rrugëtim i gjatë i zyrtarëve për të siguruar noten verbale për ta sjellur në ministri dhe për ta publikuar. Pra lobimi për njohje përfshin një ndërmarrje dhe impenjim permanent, koordinim dhe komunikim jo vetëm me shtetin në shënjestër, por me shumë interlokutorë të vendeve, organizatave dhe entitetet jo-shtetërore tjera.
Të gjitha njohjet u siguruan në koordinim të plotë dhe lobim të përbashkët e deri tek prurjet për shkak të bashkëpunimit në negocim.
Pas verdiktit këshillëdhënës të GJND-së i cili nxorri mendimin që Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, në shtator të të njëjtit vit (2010) OKB nxorri rezolutën që mirëpret lidershipin e BE-së si ndërmjetësues të negocimit në mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu filloi saga e gjatë e negocimit, fillimisht teknik e pastaj në nivel politik. Ky proces ka marrë energji politike diplomatike-negociuese në arenën ndërkombëtare duke qenë se në anën e kundërt Serbia dhe aksi anti-Kosovë kishte investuar në anti-lobimin në formë politiko-diplomatike, financiare, kulturore. Serbia vazhdon të keqpërdorë argumentin e negocimit Kosovë-Serbi si argument për mos njohjen e Kosovës, si ide që me përfundimin e negociatave do të mund të shqyrtohet njohja apo jo.
Gjatë kësaj periudhe Serbia përpiqej me çdo kusht dhe mjet ta pengonte procesin e pandalshëm të njohjes ndërkombëtare. Premtonte ndihma financiare për vende të varfra në botë dhe bashkëpunim të shumanshëm me të tjerë në këmbim të mosnjohjes. Një lloj “chequebook diplomaci” serbe ishte aktive gjatë kësaj kohe. Serbia ndërmori një politikë agresive së bashku me aleatët e saj për ta kundërshtuar pavarësinë.
Ajo që duhet përmendur është se sipas të drejtës ndërkombëtare nuk ekziston çnjohja si e tillë.
Në momentin kur shtet njohin njëri tjetrin vendosen relacionet, të cilat për një arsye apo tjetrën mund edhe të mbyllen, shtetet mund të hynë në konflikt me njëri-tjetrin, por çnjohja nuk njihet si veprim i së dretjës ndërkombëtare. Mirëpo në historinë e re shtetet kanë bërë çnjohjen de facto apo pezullim i njohjes deri në një moment tjetër. Raste të tilla njeh historia në rastin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut) ndaj Tajvanit, e raste të tjera.
Pyetja e parë që do të duhej ngritur është:
Ka Republika e Kosovës Politikë të Jashtme? Cilat janë të arriturat nën udhëheqjen e znj. Gërvalla-Schwarz?
Përgjigja sado që mund të jetë e thjeshtë, ajo si e tillë ofron një përgjigje retorike: politika e jashtme është ndërmarrje politike-diplomatike e cila përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit dhe qytetarëve. Mendoj se në këtë periudhë Politika e Jashtme e Kosovës jo që është e padukshme në arenën ndërkombëtare, por është inekzistente. Në asnjë segment ky dikaster shtetëror nuk i plotëson as kriteret më minimale të institucionit që ushtron Politikë të Jashtme. Mungesa e vizionit, paaftësia profesionale dhe politike për të zhvilluar Politikë të Jashtme, sjelljet jo diplomatike duke mos e vlerësuar pozicionin ndërkombëtar të vendit, sot Kosova është i vetmi vend në Evropë që ballafaqohet me sanksione. Në këtë situatë në të cilën e ka sjellur znj. Schwarz bashkë me kabinetin e saj, vështirë se mund të mendohet për ndonjë koordinim për lobim. E si mund të kërkohet njohje nga pesë vendet e BE-së, kur po e njëjta ka vendosur sanksione. Shansi për njohje nga Greqia u humb atëherë kur oferta ishte e hapur përmes projektetit të gazit të lëngët amerikan që do të vinte nga Adrianopolisi. Është ky një precedent të cilin edhe mund ta kenë në konsideratë vendet si Sllovakia, Rumania, Spanja e Qiproja.
Kur një person që pretendon se udhëheqë politikë të jashtme merr guximin të flet për politikë të dështuar evropiane karshi sfidave gjeopolitike, le përshtypje të një qasje jo serioze, e nga prizmi diplomatik shkakton dekadencë në përfaqësim të interesit shtetëror dhe atij qytetar.
Çfarëdo procesi pozitiv që po ndodh në ndërkohë, siç është procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe Liberalizimi i Vizave është trashëguar nga impenjimi politik-insitucional dhe jo nga ai politik i kësaj garniture e cila ka dorëzuar dokumentacionin për aplikim, ashtu siç është dhe përfaqësimi i vobekët i elementit poltik në qendrat tjera e rëndësishme ndërkombëtare.
Njohjet e reja nuk mund të arrihen derisa Kosova parqitet si një vend i sanksionuar, me Politikë të Jashtme izolacioniste, me sharlatanizëm diplomatik, duke mos e naviguar interesin shtetëror dhe të qytetarëve të Republikës, me politikë revizioniste ngulfatëse.
Ky është vetëm një segment i dështimit të Poltikës së Jashtme të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga znj. Donika Gërvalla Schwarz. Dhe nëse vazhdohet me këtë dinamikë dhe më këtë diskurs në vitin zgjedhor për BE-në dhe në SHBA, margjinalizimi i vendit do të vazhdon tutje.