
Nobelisti Saramago, “rebeli” që nuk i përfilli kurrë pushtetarët!
“Çdo njeri është një heshtje…/ një qetësi, secili në heshtjen e vet”
(Jose Saramago)
Jose Saramago, ky shkrimtar i madh portugez i shekullit XX, thekson kritika letrare botërore, do të shquhet për prozën e tij unike dhe dialogun e gjallë, për ligjërimin e natyrshëm, pa pengesa nga shenjat e pikësimit dhe për brendinë humane. Ai lindi më 16 nëntor të vitit 1922, në Azinhaga, në provincën Ribatejo të Portugalisë, në një familje të varfër fermere. Pasi mbaroi studimet e larta, për 12 vjet rresht punoi përkthyes në një shtëpi botuese, ndërsa më pas si gazetar. Jose Saramago gjithë jetën e tij u shqua si antikonformist ndaj politikës dhe fesë. Ai, me temperamentin e një rebeli, nuk i përfilli kurrë pushtetarët, ndaj ata e përndoqën dhe e larguan disa herë nga vendi i tij. Shkrimtaria e tij artistike ishte cilësore dhe shumëplanëshe. Ai u shqua në prozë e poezi, në publicistikë e dramaturgji.
Shkroi kronika e poezi, tekste teatri e tregimtari. Por më shumë shkëlqeu me romanet e tij me brendi të thellë humane, në kërkim të identitetit dhe forcës së njeriut. Rrugën e prozës së gjatë për herë të parë e çau me romanin “Toka e mëkatit”, botuar në vitin 1947. Ndërsa në vitin 1966 botoi “Poemat e mundimshme”. Pas Revolucionit të Karafilave Saramago i hyri punës për çlirimin e tregimtarisë portugeze nga rrënjët e së shkuarës. Me krijimtarinë e tij ai u është përgjigjur flakë për flakë ngjarjeve jetike të popullit portugez. Kështu, për të pasqyruar revoltën e një krahine të vendit të tij, ai shkroi librin “Një tokë e quajtur Alentejo” (1980). Ndërsa, suksesin e parë e arriti me romanin “Perëndia dorace” (1982), përkthyer në shqip nga shkrimtari Nasi Lera, edhe pse nga qarqet besimtare u quajt roman blasfemik.
Suksesin më të madh në prozën e gjatë e arriti në vitet ’90-të, kur botoi serinë e 30 romaneve të tij më të mirë, si: “Rrethimi i Lisbonës”, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit”, “Të gjithë emrat”, “Shpella”, “Njeriu i dyfishuar”, “Kujtimet e shkurtra”, “Alternimi i vdekjes”. Ndërsa, si përkrahës i lëvizjes për bashkimin e Portugalisë me Spanjën shkroi romanin “Arka prej guri”. Më pas vazhdoi me romanet “Kaini”, “Le të ulërijmë”, “Udhëtimi i elefantit” etj. Një nga veprat e tij më të mira, me një brendi interesante, është romani “Verbëri”, i cili i përkushtohet zgjimit të vetëdijes së njeriut. Protagonisti i romanit për t’u zgjuar nga apatia pyet veten: “Pse u bëmë të verbër?!” Dhe pastaj vetëpërgjigjet: “Ne u bëmë të verbër, se ishim të verbër, të verbër që, duke parë, nuk shihnim”. Jose Saramago u shqua edhe si poet.
Poezia e tij është si vera, që për të shijuar cilësinë e saj, s’ke nevojë të pish gjithë butin. Mjafton të citosh vargjet: “Thuhet se çdo njeri është një ishull, / Po, s’është e vërtetë, / Çdo njeri është një heshtje, / Kjo po, / një qetësi, secili me heshtjen e vet, / secili me heshtjen që është e tij”. Për shkrimtarinë e tij të bollshme dhe cilësore, Saramago është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si çmimi “ Çikadoja e Lisbonës” (1980) dhe “Çmimi i Madh i Romanit e Novelës së Pen Klubit”. Por, nderimi më i madh për të ishte çmimi “Nobel’’ për letërsinë, për vitin 1998, me motivacionin: “…për parabolat e ushqyera nga imagjinata, dhembshuria dhe ironia, me të cilat na ushqen në vazhdimësi dhe përparësi, për të kuptuar një realitet të pakapshëm”.
PADREJTËSIA
Shkrimtarin e madh Jose Saramago e ka shqetësuar gjithë jetën padrejtësia dhe pabarazia shoqërore. Prandaj, në fjalën e tij, mbajtur në banketin e “Nobelit”, në Stokholm, më 10 dhjetor të vitit 1998, me rastin e dorëzimit të çmimit, mes të tjerash thekson: “Në këtë gjysmë shekulli qeveritë nuk kanë bërë atë që duhet për mirëqenien dhe të drejtat e njeriut. Padrejtësitë shumohen, pabarazitë përkeqësohen, injoranca rritet, mjerimi zgjerohet. Megjithatë, njerëzit e duan jetën si gjënë më të shtrenjtë. Gjyshja ime, edhe kur ishte në buzën e varrit, thoshte: “Bota është aq e bukur, dhe sa gjë e keqe që tani duhet të vdes. Ndërsa gjyshi, kur e ndjeu se i kishte ardhur vdekja ta merrte, doli në oborr t’u jepte lamtumirën drurëve, duke i përqafuar e derdhur lot nga dhimbja, se nuk do t’i shihte më kurrë. “Para anëtarëve të Akademisë Suedeze, që i dhuruan çmimin “Nobel”, ai tregoi se si karakteret e tij “shegertë”, ishin bërë “padronët” e tij të përjetshëm. Një nga romanet më të bukura të shkrimtarit të madh Jose Saramago, është ai me titullin tepër intrigues, “Tjetri si unë”, përkthyer në shqip nga shkrimtari Nasi Lera, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të shënimeve tona. Kritika letrare botërore e ka vlerësuar këtë roman si një nga kryeveprat e letërsisë moderne të shekullit XXI.
Protagonisti kryesor i romanit është Tertuliano Maksimo Afonsoja, mësues historie në një lice, 38 vjeç, i ndarë nga gruaja dhe që jeton vetëm. Një ditë, i tmerruar, zbulon kopjen e tij të përkryer në një film të marrë me qira rastësisht nga një videoklub. I mbërthyer nga një hutim i madh, fillon e sheh filma të tjerë, vërteton zbulimin e vet, pyet producentët dhe shpërndarësit e filmave dhe arrin të gjejë emrin e atij që i ngjan tipar për tipar, Antonio Klaro. Pasi gjen numrin e telefonit dhe vendndodhjen e saktë të aktorit të dorës së dytë, u bind se duhet ta takonte patjetër sozinë e tij. Takimi i tyre, në një vend të veçantë, përfundoi në një mynxyrë, ngaqë secili kuptoi se dy qenie tmerrësisht të ngjashme me njëra-tjetrën nuk mund të bashkëjetojnë. Ata kishte nisur t’i gërryente brenga: cili ishte “ unë” dhe cili ishte “tjetri”. Kjo dilemë e identitetit, që gati bëhet patologjike, sjell trazira shpirtërore psikike dhe drama të mëdha. Atëherë, Saramagoja, si mjeshtër i artit të fjalës, nëpërmjet trillit krijues, për të zbuluar krizën e shoqërisë së kohës, vë në skenë një mit, për ta çmitizuar.
KRIJIMTARIA
Në qendër të brendisë së romanit “Tjetri si unë” shfaqet një nyje, që duhet shpleksur. Përpjekja e autorit për ta zbërthyer atë sa më parë të bën ta lexosh me një frymë. Sapo nis ta shfletosh këtë libër, përpara të shfaqet hija e trishtë e Tertulianos, si një gur varri. Nga që jeton vetëm, ka nevojë të zbutë vetminë e tij depresive. Ishte ndarë nga gruaja dhe s’i shkonte ndërmend të kuptonte, se cilat ishin arsyet misterioze të kësaj ndarjeje. Ishte kolegu i tij i matematikës që, për të zbutur gjendjen depresive, që kishte nisur ta turbullonte, i rekomandoi të shihte filmin-komedi “Kush kërkon, gjen”. “Dëfrimi,- i tha Tertulianos kolegu i matematikës,- është ilaçi i atyre që nuk kanë nevojë për të”. Maksimo Afonso ishte një mësues skrupuloz, që dashuronte pedagogjinë. Por, në të vërtetë, ishte sa trim, aq dhe frikacak, sa i padurueshëm, aq dhe i neveritshëm.
Sapo nis ta shohë kinokomedinë, “Kush kërkon, gjen” sheh një aktor të dorës së dytë, që i ngjante shumë. Aktori, që luante rolin e sportelistit, iu duk fiks si vetja e tij. Dhe, për çudi, para 5 vjetësh paskëshin qenë të dy me mustaqe. I tmerruar i thotë vetes : “Të jem një gabim?! Njëri nga ne, patjetër që është gabim, por kush”,- përfundoi ai i tronditur. Vrerin e bardhë të zemërimit të mësuesit të tyre të historisë e kishin ndier dhe nxënësit e tij, sa herë që hynte e dilte nga klasa. Tertulianoja nuk ishte mësues i keq, por ekzistenca e një “binjaku” të çuditshëm, e kishte tronditur deri në palcë. Gjendja e tij depresive ishte thelluar aq shumë, saqë me vete thoshte: “Nuk e di se kush jam, unë apo tjetri?”
LIDHJA
Edhe lidhja, edhe ndarja me Maria da Pazin, ishte bërë pa arsye të forta. Ndarja erdhi nga një venitje e ngadalshme e dashurisë. “E di,- thotë Tertulianoja,- që fajtor jam unë, për shkak të një gjendjeje depresive që më trazon”. Por ende nuk e tregon shkakun e vërtetë të një gjendjeje të tillë depresive. Në kokë ai mbante “shtrëngatën, që turfullonte në një gotë me ujë”, ku ende nuk shihte të mbytej njeri. E ndiente që në kokë kishte një trazirë shpirtërore, por ishte i paaftë për ta kthjelluar atë. Fuqitë ia ka marrë ai studim i çuditshëm audioviziv, por askush, përveç Tertulianos, nuk e di qëllimin e vërtetë të tij. E kupton që tani e ka humbur plotësisht të dashurën, por është i ndërgjegjshëm se njeriu në jetë nuk mund t’i fitojë të gjitha. Humbja dhe fitimi, si rregull, dalin barazim. Prandaj nis të kërkojë me ngulm aktorin figurant të kinokomedisë “Kush kërkon, gjen”, i cili, me ngjashmërinë e tij të frikshme ia kishte përmbysur rrjedhën e jetës.
Ai quhej Daniel Santa Klaro, fytyrën e të cilit do ta vëzhgonte me imtësi në të gjitha videokasetat e filmave, që ai kishte luajtur. Për ta gjetur atë me çdo kusht kërkon dhe ndihmën e ish-të dashurës së tij, edhe pse kishte kohë që ishte ndarë. Tertulianoja i kërkoi Maria Da Pazit që letra, që do t’i drejtonte drejtorisë së filmave për identifikimin e aktorit Daniel Santa Klaro të firmosej nga ajo. Më në fund, përgjigjia e kësaj letre erdhi. Emri i vërtetë i aktorit Daniel Santa Klaro, ishte Antonio Klaro. Në letër shënohej dhe adresa e saktë e tij. Tashmë, Tertulianoja nis veprimin për takimin me çdo kusht të sozisë së tij të çuditshme. Me gjithë vendosmërinë që kishte për ta takuar, dilemat e brendshme kanë nisur ta trondisin. I tmerruar nga kjo gjendje ankthi, nis të meditojë: “Po sikur Daniel Santa Klaro të më shfaqet para syve, plot hakërrim?! Si të duash, i thotë vetes, por, po të isha në vendin tënd, nuk do ta hidhja këtë hap. Ti do të jesh aty, i pambrojtur, si një peshk në akuarium” (143). Megjithatë, pas shumë vështirësish dhe një dileme të gjatë, Tertulianoja mundi ta realizojë kontaktin e parë telefonik me aktorin Daniel Santa Klaro.
Ja disa nga replikat, që ai shkëmbeu me të ngjashmin e tij të çuditshëm:-Kam parë një seri filmash, ku luani ju, – i thotë Tertulianoja sozisë së tij, – dhe kam vënë re se ne të dy i ngjajmë njëri-tjetrit më shumë se dy binjakë. – Zotëri, nuk ju njoh. Nuk besoj tek e pamundura…Më duket se po bisedoj me një të çmendur, – ia ktheu plot fodullëk Daniel Santa Klaro. Edhe pse Danieli e kundërshtoi takimin me Tertulianon, në të vërtetë, e qortoi veten, pse nuk e pranoi takimin me njeriun që ngjante si dy pika uji. Kjo bisedë telefonike dhe imazhi i çuditshëm i Tertulianos, shfaqur në portën e shtëpisë së shëmbëlltyrës së tij, duke kërkuar të ngjashmin, kishte tronditur jo vetëm Danielin, por dhe bashkëshorten e tij, Helenën. Ky njeri i çuditshëm, me imazhin e tij tmerrësisht të ngjashëm, tashmë u kishte hyrë në shtëpi dhe s’ishte më nevoja t’i hapnin derën. Ai u kishte vrarë gjumin dhe u kishte trazuar thellë shpirtin. Ndaj të dy, burrë dhe grua, vendosën t’i telefononin Tertulianos për t’u takuar me të. – Kam arritur në përfundimin se, duhet të takohemi, – i tha Antonio Klaro, Tertulianos.
Nuk ka asnjë kuptim që dy persona, që ngjajnë kaq shumë me njëri-tjetrin të mos pranojnë të njihen, por jo në publik, se do të më dëmtonte karrierën.
DAKORDËSIA
Të dyja palët ranë dakord të takoheshin. Në fund të fundit, menduan ata, s’mund t’i thuhet çezmës “kurrë nuk do pi ujë nga ti, sidomos kur nuk ke çezmë tjetër.” Të vërtetën e brengës që e trazonte, Tertulianoja nuk ia kishte treguar as nënës së tij. Por erdhi një ditë që ai do të rrëfehet para saj.- Ekziston dhe një tjetër njeri tamam si unë, – nisi t’i tregojë nënës, – saqë edhe ti do të më ngatërroje me të. Që nga dita që e pashë për herë të parë, edhe vetë nuk e kuptoj se kush jam, dhe se çfarë do të ndodhë me mua në të ardhmen. – Mos u trondit kot, biri im, – ia priti nëna. E ardhmja është vetëm një zbrazëtirë shumë e madhe. Në të vërtetë, në këtë jetë nuk ekziston asgjë tjetër, veç kohës me të cilën ushqehet e tashmja e përjetshme (193). Pas shumë hezitimesh, “binjakët” e çuditshëm u takuan. Së bashku vërtetuan se ishin kopja e tmerrshme e njëri-tjetrit. Duart, këmbët, trupi, fytyra, zëri…, deri te gjërat më të imta. Çudia nuk mbaron këtu. Ata paskëshin lindur në të njëjtin vit, në të njëjtin muaj, në të njëjtin ditë! Por, për të përcaktuar se kush prej tyre ishte origjinali dhe kush ishte kopja e tjetrit, vendosën të deklaronin me ndërgjegje edhe orën e saktë të lindjes.
Antonio Klaro, i cili shquhej për dinakëri, i kërkoi Tertulianos të deklaronte i pari. – Në orën dy të pasdites kam lindur, tha, me sinqeritet, mësuesi i historisë Tertuliano Maksimo Afonsoja. Ndërsa binjaku Antonio Klaro, për t’i treguar sozisë së tij se ishte orgjinali, deklaroi se kishte lindur tridhjetë e një minuta para tij. – Unë isha në këtë botë, kur ju lindët, tha Antonio, plot mburrje dhe egoizëm. Për të përcaktuar, se kush prej tyre ishte origjinali dhe kush ishte kopja, ata kërkuan të bëjnë edhe ADN-në. Përmes saj do të vërtetohej nëse identiteti i tyre i njëjtë, ishte një përkim rastësor apo një demonstrim i dyfishtë. Kur nëna e mori vesh shkakun e vërtetë të gjendjes depresive të Tertulianos, i kërkoi të birit të hiqte dorë nga historia e dyshimtë e identitetit dhe të martohej sa më parë me Maria da Pazin. Duke ndier rrezikun që mund t’i sillte kjo histori e trishtë binjakësh, Tertulianos i bëri edhe një kërkesë tjetër me rëndësi jetike: Të mos e takonte përsëri Antonio Klaron. Kjo kërkesë ishte si paralajmërimi i Kasandrës ndaj trojanëve, për të mos e futur brenda kalin e drunjtë, dhuratën monstruoze të grekëve, sepse ai do të digjte Trojën.
Tertulianoja, pasi ia tregoi edhe së dashurës së tij të vërtetën mbi historinë e ekzistencës së një njeriu tjetër të njëjtë me të, vendos të martohet me të, për t’i dhënë fund vetmisë depresive. Por, s’kaloi kohë, që papritur, në shtëpinë e tij shfaqet Antonio Klaroja. Ja disa nga replikat e shkurtra që ata shkëmbyen me njëri-tjetrin:- Thuaj atë që ke për të thënë, i tha Tertulianoja atij, dhe m’u zhduk nga sytë! – Unë do të shkoj te mikja juaj, Maria da Pazi, ia ktheu Antonioja, dhe do t’i tregoj për atë, që ti ia fshehe për mungesë guximi. E kam ftuar të takohemi sot në një shtëpi me qira për të kaluar natën. Do të hakmerrem për turbullirat që futi vegullima jote në marrëdhëniet e mia bashkëshortore. Njëri prej nesh është i tepërt në këtë botë. Po të kisha një armë, do të të kisha vrarë. Por, me që i trembem burgut, do të të çnderoj gruan, në një mënyrë të tillë, që ajo të mos e marrë vesh se ka bërë dashuri me një burrë tjetër. Në se do të kundërshtosh, do të të lë të vdekur në vend (255). Kështu, ky xhelat hakmarrës, me forcën e grykës së pushkës, e detyroi Tertuliano Maksimo Afonson të ndërronin rrobat dhe gjithçka tjetër, për t’u paraqitur tek Maria da Pazi, sikur të ishte i dashuri i saj i vërtetë. Për hakmarrje, të njëjtën gjë bëri dhe Tertulianoja. Veshi rrobat e dublantit të tij Antonio Klaro dhe u nis drejt gruas së tij, Helenës, për të bërë dashuri me gruan e armikut. Por, kur Tertulianoja ndodhet në shtrat me Helenën, dëgjon lajmin e frikshëm: “Maria da Pazi vdiq bashkë me të fejuarin e saj në një aksident me makinë”. Ajo ishte vrarë në një aksident automobilistik, por metaforikisht i kishte vrarë Tertulianoja me unin e tij patologjik, për shkak se nuk kishte pranuar ekzistencën e të njëjtëve të tjerë. Ishte koha kur Tertulianoja kishte nisur ta donte Maria da Pazin si kurrë ndonjëherë. Kishte nisur ta brente vetëdija e fajësisë, që nuk e dëgjoi profetësinë e plakës Kasandër (nënës së tij), e cila e kishte porositur të mos e takonte më Antonio Klaron. Tashmë është i detyruar të mbajë emrin e Antonio Klaros, sepse lajmet thonë, se Tertulianoja qenkësh vrarë aksidentalisht, bashkë me të dashurën e tij, Maria da Pazin.
“Ç’lajm i kobshëm do të jetë për Helenën,- tha me vete Tertulianoja,- kur të marrë vesh se burri që u vra në atë aksident, ishte bashkëshorti i saj i vërtetë.” Kur ia tha të vërtetën, Helenës iu mor fryma: – Unë jam fajtori që vdiqën dy njerëz, – i tha Tertulianoja, Helenës. Ishte paburrëria dhe poshtërsia ime, që shkaktoi këtë mënxyrë. E doja Maria da Pazin dhe kisha vendosur të martohesha me të. Edhe këtu, bashkë me ty, ndodhem nga poshtërsia për t’u hakmarrë me bashkëshortin tënd, që më përdhunoi të dashurën. Por, cili ishte shkaku i vërtetë i aksidentit tragjik, që solli dy të vdekur. Ja si e shpjegon narratori i romanit: “Kur Maria da Pazi po kalonte momente të lumtura me Antonio Klaron, kopjen e Tertulianos (e bindur se bënte dashuri me të dashurin e saj të vërtetë), papritur, në gishtin që ai mbante unazën pa një rreth të bardhë bosh. Ishte e vetmja shenjë, që e bindi se burri me të cilin ajo kishte kaluar natën nuk ishte Tertulianoja, por një tjetër. Prandaj Maria, në përpjekje për të shpëtuar nga kthetrat e këtij mashtruesi, ishte grindur me të në makinë. Kjo grindje kishte sjellë përplasjen e makinës së tyre me një kamion.
PËRPLASJA
Ishte kjo përplasje fatale, që do të pasohej me vdekjen e menjëhershme të tyre. Sapo merr vesh të vërtetën, Helena tenton të largohet për të gërmuar mbi “bëmat” e këqija të Antonio Klaros, të cilat paracaktuan fatin e tij të keq. Në këto çaste dramatike, Tertulianoja e kapi Helenën prej dore dhe dalëngadalë i rrëshqet unazën në gisht. E tërhoqi pas vetes dhe për një çast qëndruan të mpleksur si një trup i vetëm. Tertuliano Maksimo Afonso, tani e tutje do të ishte i detyruar të mbante emrin e aktorit Daniel Santa Klaro. Për një çast, i ulur në vetmi të plotë, duke reflektuar për të kaluarën e hidhur, ndien tingujt haluçinativë të telefonit. Koha e kthyer përmbys ka nisur ta ndjekë pas, bile edhe në gjumë. I kujtohet dita e parë e takimit me Antonio Klaron, për të vërtetuar ngjashmërinë e çuditshme.
Pastaj ai i rishfaqet përsëri i gjallë, duke i telefonuar pa pushim për një takim të ri. Në këto çaste haluçinative, Tertuliano Maksimo Afonsoja, i tmerruar shkoi në dhomën e gjumit, hap sirtarin ku ishte fshehur pistoleta. Futi karikatorin në pistoletë dhe një fishek në fole. Vuri pistoletën në brez dhe doli…”(290). Ky ishte fundi i pashmangshëm i këtij njeriu, që nuk e dëgjoi profetësinë e plakës Kasandër, nënës së tij. Ky ishte fundi i dy njerëzve tmerrësisht të njëjtë, të cilët, në përpjekje për të ruajtur identitetin e tyre të papërsëritshëm, vihen ballë për ballë në një luftë të ashpër plot dredhi e hakmarrje kërcënuese ndaj njëri-tjetrit, gjë që e gjen shprehjen në replikat: “Unë apo ti”, “Ti apo unë”, të cilat arrijnë kulmin me ultimatumin përjashtues absolut e absurd: “O unë, o ti!”/Konica.al