Nominimi im për kryeministër ka thyer tabutë në Maqedoni të Veriut
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i nominuari për kryeministër të këtij shteti, Talat Xhaferi, ka thënë se pret që Kuvendi ta votojë për kryeministër dhe në këtë mënyrë të zbatohet marrëveshja mes partive politike që 100 ditshi i fundit i qeverisjes para zgjedhjeve në vend t`i takoj faktorit politik shqiptar.
Në një intervistë Xhaferi tha se me këtë është thyer tabuja e politikave etnike në Maqedoni dhe se është e mundur që shqiptarët një ditë ta kenë edhe postin e presidentit.
“Nën përkujdesje të faktorit ndërkombëtar është monitoruar marrëveshja e Prozhinos e cila u transformua në ndryshime ligjore dhe u sanksionua me ligjin për qeverinë e cila parasheh së që nga zgjedhjet e 2016 qofshin ato të parakohshme apo të rregullta, 100 ditë para zgjedhjeve duhet të ketë qeveri teknike. Pra besoj shumë që ky vendim të votohet në kuvend, sepse është vendim ligjor”, tha Xhaferi.
Tutje, sipas tij, kjo do të bëhet që të mund shkohet në zgjedhjet e rregullta.
Duke folur rreth mundësisë së kundërshtimit të partive të tjera në Maqedoni që të votohet, ai si kryeministër, Xhaferi thotë se nuk beson që do të dilet nga korniza ligjore, sepse zgjedhjet janë të rregullta.
“Shumica aktuale qeverisëse nuk ka problem me numrat kështu që besoj që edhe kjo do të kryhet. Në këtë kontekst nuk mund të bllokohet procesi dhe zbatimi i normave ligjore”, tha Xhaferi.
Ai foli edhe për prioritetet e tij si kryeministër i qeverisë teknike dhe për vizitën e parë në Prishtinë e Tiranë. /rtk