“Nominimi për deputet nga lideri Haradinaj, përgjegjësi e madhe për mua”
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dega në Pejë, në praninë e qindra pjesëmarrësve ka bërë prezantimin e kandidatëve për deputet të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.
Në emër të Degës së AAK-së në Pejë, një fjalë rasti e mbajti kryetari i Aleancës, Ali Berisha.
Më pas për t’i uruar suksese deputetëve fjalën e mori kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se po rrugëtojnë drejt një Kosove të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht.
Ai ka thënë se me Qeverinë Haradinaj, Kosova do të jetë në NATO, pagat e punëtorëve do të jenë të dinjitetshme, progresi në ekonomi do të jetë shumë i avancuar, sepse në këtë qeveri është ngulfatur ekonomia, bizneset dhe ardhmëria e këtij vendi.
Ndërkaq Ali Berisha në cilësinë e kryetarit të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Pejë i prezantoi shtatë kandidatët e AAK-së për deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës nga regjioni i Pejës që vijnë nga ky subjekt. Arbër Tolaj, Djellza Kuka, Egzon Kelmendi, Gazmend Syla, Ramush Ahmetaj, Fatmir Gashi dhe Shemsedin Dreshaj.
Secili prej deputetëve të propozuar shpalosi programin e tij dhe treguan për mundësitë e zbatimit të këtij programi në qeverinë e ardhshme Haradinaj.
Deputetët në fjalë, kanë një begraund të fuqishëm dhe janë vlerësuar nga Peja si të suksesshëm dhe meritor për të qenë deputet.
Kandidati për deputet Ramush Ahmetaj, në prezantimin e tij pasi ka përshëndetur të pranishmit, kryetarin Haradinaj, kryetarin e degës në Pejë, Ali Berisha, Aleancën e Gruas së AAK-së, Rininë e AAK-së, Veteranë e UÇK-së, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe të pagjeturve si dhe kandidatët për deputet të ardhshëm, ka theksuar se ai vjen nga fshati historik i Belles së Deçanit dhe se pjesën më të mirë të jetës së tij e ka kaluar në shërbim të popullit.
Ahmetaj ka thënë se asnjëherë nuk është larguar nga përgjegjësitë që ia ka ngarkuar shoqëria për të mirën e vendit.
“Për t’i kryer këto detyra nuk kam kursyer asgjë. Kam qenë i suksesshëm, sepse nuk jam ndalur asnjëherë derisa i kam realizuar detyrat më të cilat jam ngarkuar. Jam çlirimtar, dhe kam punuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Unë vijë nga një familje që ka pasur shumë luftëtarë të zotë, që janë dalluar në luftëra e beteja. Nominimin tim për deputet të Parlamentit të Kosovës nga radhët e AAK-së, nga lideri ynë z. Ramush Haradinaj e konsideroj privilegj, por edhe përgjegjësi të madhe. Jam i bindur që sukseset e mija nuk do të mungojnë në as një kohë. Urime!”, ka thënë Ahmetaj.