“Non-paper” nuk prodhon efekte juridike, aplikohet nga shumë shtete”
Nuk u dihet burimi e as autori, prandaj edhe quhen “non-paper”.
Këto lloj dokumentesh janë një nga mjetet e forta diplomatike.
Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, kjo formë përdoret për komunikim të paprotokolluar ndërmjet diplomatëve.
Dy “non-papers” tundën skenën politike kohën e fundit, që kishin të bëjnë me zgjidhjet e mundshme të dialogut Kosovë-Serbi. E kjo është metodë e mirë për ta matur pulsin publik.
“Përmes këtyre qëndrimeve të shprehura në mënyrë abstrakte matet gatishmëria e palëve se sa larg mund të shkojnë”, shpjegon Hoti.
Plotë shtete krijojnë këso dokumente për t’i hapur rrugë proceseve të rëndësishme. Disa të tillë kishin dalë në publik në fillim të procesit të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Por sipas Hotit, këto dokumente mund të përdoren edhe për çështje më minore.
“Polonia e ka përdorur së fundmi një non-paper për shërbimet e digjitalizuara. SHBA përdor shumë shpesh non-paper për t’i dhënë ambasadorit të tyre në OKB qëndrimin e artikuluar për një çështje të caktuar”, thotë ai.
Non-papers nuk kanë vulë, emra institucionesh a autorësh, e as stema të shteteve.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, thotë se këto nuk prodhojnë efekte juridike.
“Si i tillë nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare dhe shtetet nuk marrin përgjegjësi lidhur me përmbajtjen e atij dokumenti”, sqaron Rrecaj.
Në rastin e Kosovës, njëri u tha se është prodhim slloven e tjetri gjermano-francez, por që asnjëra palë nuk e ka marrë përgjegjësinë mbi to.
Kurse kryeministri Albin Kurti ka hedhur dyshime se të njëjtat mund të kenë prejardhje nga Beogradi a Moska.