Nora fiton medaljen e bronztë
23 janar 2020
| 18:27
Nora Gjakova e ka nisur vitin 2020 me medaljen e bronztë, të fituar sot në Grand Prixin e xhudos, që po mbahet në Tel Aviv të Izraelit.
Kampionia e Evropës 2018 dhe nënkampione e 2019-tës fitoi të bronztën në kategorinë -57 kilogramë, përmes repesazhit. Ajo mposhti në luftën për të bronztën portugezen, Telma Monteiro.
Në luftën e parë mposhti Leung të Kinës, pastaj Kionkinan e Rusisë, për t’u ndalur në çerekfinale nga Receveaux e Francës, ndërsa në luftën e parë në repesazh, mposhti Larisa-Alexandra Florian të Azerbajxhanit.
Krahas medaljes së artë, Nora fitoi edhe 700 pikë Olimpike në rrugën drejt normës Olimpike Tokio 2020.