Nora Visoka Weller, historia e studiueses që u bë pjesë e universitetit më të mirë në botë

09 korrik 2020 | 22:10

Kosova është e mbushur nga të rinj, të cilët qoftë edhe në mënyrë indirekte janë bërë promovues të shtetit tonë.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distrie Krasniqi, Akil Gjakova, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, e shumë emra të tjerë të të sportistëve e artistëve e kanë bërë Kosovën shumë herë temë të mediave më të mëdha botërore.

Por, ajo për çka nuk kemi shumë njohuri janë emra politikanësh e ekspertë të fusha e tjera, që lindën ose u shkolluan jashtë Kosovës, por atdheun nuk e harruan kurrë.

E tillë është edhe Nora Visoka Weller, e cila u largua nga Kosova në një moshë shumë të re, por që ka arritur suksese të mëdha, madje duke u bërë pjesë e universitetit më të mirë në botë, Cambridge University, ndonëse ky është vetëm njëri ndër sukseset e jetës së saj profesionale.

Në intervistën e realizuar për Gazeta Scanner, ajo shpalosi rrugëtimin e saj dhe sfidat që e përcollën, si dhe imazhin e saj mbi gjendjen aktuale në trojet shqiptare, dhe veçanërisht përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Gazeta Scanner: Kush është Nora?
Nora Visoka Weller: Unë jam Nora. Jam avokate dhe studiuese e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendet e luftës dhe në shoqëritë e pasluftës pranë Universitetit të Cambridge-it. Kam pasion artin bashkëkohor, merrem me shumë sporte dhe besoj në botën e çudirave.

Gazeta Scanner:  Cili ka qenë rrugëtimi juaj deri tek shkollimi dhe avancimi në karrierë? A keni pasur vështirësi gjatë shkollimit?
Nora Visoka Weller: Kam pasur shumë vështirësi, ishte mbyllja e shkollave, lufta, shpërngulja nga shtëpia dhe largimi nga familja. Por, unë kisha një pasion të paimagjinuar për të mësuar, për të shikuar botën dhe besoja në veten time. Studimet e para në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimet mbi konfliktet i kam përfunduar në Vermont, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së dyti, tërë shkollimin bachelor deri në doktoraturë, e kam përfunduar në Universitetin e Cambridge-it, në Juridik dhe në Arkeologji. Kam bërë studime të profesionalizuara në Universitetin e Capetown të Afrikës së Jugut, dhe në Universitetin Harvard. Ligjëroj periodikisht në Akademinë Ushtarake dhe Diplomatike në Romë (Itali), së fundmi kam ligjëruar në Universitetin e Los Angeles (Kalifornia), si dhe vitin që shkoi kam ligjëruar për herë të parë në Universitetin e Prishtinës, gjë që më bëri shumë të lumtur. Shkruaj dhe kuroj artin bashkëkohor, me qëllim që të trajtoj ndonje temë të rëndësishme për mua, siç është feminizmi, migrimi, konflikti, etj.

Gazeta Scanner: Nëse do të duhej t’i ndanit disa nga sukseset tuaja më të mëdha, cilat do të ishin?
Nora Visoka Weller: Në moshë shumë të re, 25 vjeçe, kam gëzuar status diplomatik brenda Kombeve të Bashkuara, si kryeshefe e kontrollit të armëve. Në atë kohë e shikoja pozitën time si një gjë të natyrshme, tani e mendoj se ishte nje arritje e madhe dhe jam shume krenare me punën që kam bërë. Mund të them se në jetë çdo sukses është shpesh i vështirë, është e rëndësishme të kesh rrjet njerëzish që të perkrahin dhe që e kuptojnë punën tënde. Unë jam shumë e organizuar dhe në përgjithësi kam shume durim, për më shumë, kritikën e konsideroj si miken më të mirë. Arritja ime e fundit është ftesa t’i bashkohem Shoqërisë Mbretërore të Arteve në Londër, një organizatë shumë prestigjioze, që ka mbledhur mendimtarë të shquar në këto 250 vitet e fundit.
Ajo çka më bën të lumtur është se kam arritur t’i gërshetoj dy pasionet e mia: ligjin dhe kulturën. Pra, puna ime është pasioni im, ky është vërtetë një lloj bekimi që i bën të gjitha vështirësitë më të lehta dhe të kenë kuptim. Gjithashtu, punoj në përditshmëri me profesionistët dhe studiuesit më të njohur në botë në fushën e trashëgimisë kulturore, që janë në Cambridge, dhe kjo është arritje e madhe, të jem pjesë e universitetit më të mirë në botë. Prandaj, sfida intelektuale në përditshmëri është diçka që mua më duhet, por gjithashtu diçka që më ndihmon në arritjet e mia.

Gazeta Scanner: Një pjesë e rëndësishme e përkushtimit tuaj i përket fuqizimit të grave, sidomos në politikë. Pse mendoni që është kaq i rëndësishëm roli i grave në politikë e shoqëri?
Nora Visoka Weller: Pjesëmarrja aktive e gruas në politikë dhe në krijimin e politikave është jetike për çdo shoqëri, për Kosovën ndoshta më së shumti. Unë nuk jam e lumtur kur thuhet se 30% e grave tashmë është kuota zyrtare dhe kjo është një arritje e madhe! Jo, duhet të jenë 50% e më shumë, pastaj mund t’i ecim punët në çdo sferë të rëndësishme të shtetbërjes dhe mirëqenies së shoqërisë. Ja një shembull: Gjatë luftës në Kosovë e kam parë që gratë dhe nënat shqiptare kanë pësuar më së shumti. Përveç që duhej të kujdeseshin për veten, ato duhej të kujdeseshin edhe për fëmijët, dhe pleqtë, dhe ajo kujdesje ishte shpirtërore, në formë të kurajos për të ecur përpara dhe në formë të mirëmbajtjes fizike. Për më shumë, ato e kanë pësuar më së keqi edhe pas luftës. Askush nuk i ka përndjekur ligjërisht përdhunuesit e tyre dhe asnjë institucion në Kosovë nuk ua ka lehtësuar jetëm në shoqërinë e pasluftës. Kjo ndodh vetëm në shoqëri thellësisht patriarkale, ku nuk konsiderohet pozita e gruas. Prandaj, unë jam e vendosur të përmirësoj pozitën e gruas kudo që jam, posaqërisht në vendin tim.

Gazeta Scanner: Ju keni udhëtuar e parë shumë gjatë misioneve në të cilat keni qenë e angazhuar, cila ka qenë dhe vazhdon të jetë gjendja e pozita e grave në shtetet që janë në tranzicion dhe ato që sapo kishin dalë nga luftërat e konfliktet?
Nora Visoka Weller: Pothuajse në çdo vend të pasluftës dhe në vendet e tranzicionit, pozita e gruas është e kompromituar. Unë besoj shumë se ka të bëjë me pamundësinë në edukim dhe mosarritja tek resurset ekonomike, dy faktorë që e vënë fatin e gruas në dorë të palës së dytë, fenomen që duhet të luftohet pa ndalë gjithë kohës. Se fundmi kam mësuar se në të gjitha trojet shqiptare ka vajza të cilat nuk kanë akses në edukim. Kjo nuk është çështje vetëm e familjes apo shoqërisë, por është problem institucional. Institucionet përkatëse shtetërore duhet ta bëjnë të mundur edukimin e vajzave dhe përkrahjen e tyre në çdo aspekt financiar. Vlen të theksohet se studimi i saj mbi Trashëgiminë Atrocitare në Kosovë është përzgjedhur studimi me origjinal në vitin 2019 në Universitetin e Cambridge-it dhe trajton statusin e të mbeturave njerëzore nga lufta 1998-1999 në Kosovë. (Intervistoi Fatbardhë Kiçina)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sami Lushtaku i PDK-së ka folur mospërkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje…