Normat e interesit për depozita, ulje drastike
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar raportin për vlerësimin e tremujorit të sistemit financiar për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2017. Sipas këtij raporti, depozitat në sektorin bankar në Kosovë u rritën për 45.6 milionë euro në TM4, karshi tremujorit të njëjtë të vitit paraprak.
“Depozitat në sektorin bankar të Kosovës u rritën për 45.6 milionë euro në TM4 2017 kundrejt rritjes së shënuar në tremujorin e njëjtë të vitit paraprak prej 108.4 milionë eurosh dhe shënuan vlerën prej 3.09 miliardë eurosh”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sipas këtij raporti, rritja më e ngadalshme në kuadër të depozitave kryesisht reflekton zhvillimet në kuadër të depozitave për ndërmarrjet të cilat u zvogëluan për 63.7 milionë euro dhe zbritën në 3.9 milionë euro në TM4 2017. Sipas BQK-së, edhe depozitat për ekonomitë familjare u zvogëluan për 47.8 milionë euro në krahasim me TM4 2016 dhe shënuan vlerën prej 28.5 milionë eurosh në TM4 2017.
“Këto zhvillime në kuadër të depozitave për ndërmarrje dhe veçanërisht depozitave për ekonomive familjare reflektojnë, ndër të tjera, normat e ulëta të interesit të aplikuara nga bankat në depozita. Sipas kategorive të depozitave, depozitat e transferueshme u rritën për 42.8 milionë euro në TM4 2017 krahasuar me rritjen për 60.3 milionë euro në TM4 2016. Depozitat e afatizuara, të cilat janë më sensitive ndaj normave të interesit, duke marrë parasysh normat e ulëta të aplikuara nga bankat, u tkurrën për 39.7 milionë euro krahasuar me TM4 2016, duke qëndruar në vlerë prej 6.6 milionë eurosh në tremujorin e fundit të vitit 2017. Kurse depozitat e kursimit, që janë kategoria më peshën më të vogël në kuadër të depozitave, ishte e vetmja kategori që gjatë TM4 2017 shënoi rënie, duke u zvogëluar për 3.7 milionë euro gjatë këtij tremujori”, është thënë në raportin e BQK-së.
Sipas këtij raporti, normat e interesit në depozita, pavarësisht prej rritjes së lehtë në vitin e fundit, vazhdojnë të jenë në nivele mjaft të ulëta krahasuar me periudhat para vitit 2014. “Normat e interesit në depozita për ndërmarrje vazhdojnë të jenë më të favorshme krahasuar me normat që ofrohen për ekonomitë familjare. Në depozitat e ndërmarrjeve norma e interesit qëndroi në nivel prej 1.6 përqindësh në TM4 2017, një rritje për 0.1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit paraprak. Më konkretisht, rritje shënuan normat e interesit në depozitat e kursimit (0.4 për qind në TM4 2017 nga 0.2 për qind në TM4 2016). Normat e interesit në depozitat e afatizuara për ndërmarrje shënuan ngritje të lehtë, kurse ato të transferueshme mbetën në nivele të ngjashme me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, është thënë në raportin e BQK-së, duke u shtuar se normat e interesit në depozitat e ekonomive familjare vazhduan të jenë në nivel mjaft të ulët (1 për qind në TM4 2017) krahasuar me periudhën para vitit 2014 (rreth 3.5 për qind).
“Normat e aplikuara në depozitat e ekonomive familjare në secilin tremujor të vitit 2017 janë të përafërta me tremujorët e tre vjetëve paraprakë (figura 16). Pra, norma e interesit në depozitat e transferueshme (0.002 për qind), të kursimit (0.2 për qind) dhe ato të afatizuara (1 për qind) në TM4 2017 janë të ngjashme me normat e aplikuara në TM4 2016, dhe pothuajse të pandryshueshme nga tre vjetët e fundit”, është thënë në raportin e BQK-së.
Albulena S. MAVRAJ