Norris: Gjatë garës më dukej sikur fluturoja, rrezikova por kështu fitohet titulli
Fitorja e Lando Norris në Çmimin e Madh të Singaporit i dha mundësi pilotit britanik të McLaren që të ngushtojë diferencën në klasifikimin e përgjithshëm ndaj holandezit të Red Bull, Max Verstappen.
Tashmë kampioni i botës udhëheq me 52 pikë. Pavarësisht se e fitoi garën me 27 sekonda avantazh, nuk munguan rreziqet për britanikun, dy herë kaloi shumë pranë barrierave. Madje ai pati edhe një kontakt të lehtë, por pa pësuar dëmtime që do të komprometonin garën e tij.
“Ishte një garë fantastike. Kam marrë disa rreziqe nga mesi i garës, por mendoj se e kam kontrolluar mjaft mirë makinën. Njëvendëshja që po pilotoja ishte e jashtëzakonshme, dukej sikur fluturoja në pistë”, ka thënë Lando Noris, që korri suksesin e tretë në Formula 1. “Ne fluturuam gjatë gjithë garës. Ishte e vështirë, por më pëlqeu ajo që arritëm në Singapor. E rëndësishme është që nuk kam pasur dëmtime të tepërta nga fakti që po pilotoja në maksimum, por pa rrezikuar nuk fitohet”, ka shtuar britaniku.