Norris: Mendova se mund të shpallesha kampion, këtë vit do të jem më egoist në pistë

27 janar 2025 | 11:29

Vitin e kaluar, piloti britanik i McLaren, Lando Norris, shpresoi se mund të shpallej kampion bote në Formula 1, por një gjysmë e dytë e mirë e sezonit nuk mjaftoi. Gjithsesi, ai nuk heq dorë nga ëndrra dhe shpreson që ky vit të jetë më i mirë. Madje ai i ka idetë e qarta nga ajo që pret nga vetja dhe skuadra.

“Vitin e kaluar titulli ishte i arritshëm. Më duhet të përmirësoj disa gjëra për sezonin e ri. Më duhet të punoj në disa aspekte dhe të kthehem më i fortë. Përveçse dua të fitoj kampionatin e konstruktorëve çdo vit, unë gjithashtu dua të jem egoist dhe të fitoj kampionatin e pilotëve”, ka thënë Norris.

“Për të realizuar ëndrrën time, duhet të kesh një ekip të mirë pas teje dhe mendoj se kjo është pikërisht ajo që kam. Vitin e kaluar iu afrova titullit, e ndjeja erën e titullit dhe kisha ndjenjën se mund t’ia dilja mbanë”, u shpreh më tej piloti britanik i McLaren.

“Mendoj se si skuadër duam të bëjmë një hap përpara që të mund të fitojmë më lehtë garat që janë të favorshme për ne. Gjatë pushimeve dimërore ekipi ishte shumë i fokusuar. Gjëja më e lehtë për të bërë ishte të relaksohej, por ishte e kundërta. Në fabrikë ata e kuptuan se ne duam më shumë dhe ata punuan për t’u përmirësuar”, ka deklaruar Norris.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka pritur sot (e hënë)…