Norvegjia dëbon 15 ‘oficerë rusë të inteligjencës’
Norvegjia ka dëbuar të enjten 15 punonjës të ambasadës ruse në Oslo, të cilët ka thënë se po punojnë si agjentë të inteligjencës për Moskën.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, masa vjen si përgjigje ndaj një kërcënimi në rritje të inteligjencës nga Moska dhe një “gjendjeje të përkeqësuar të sigurisë” në Evropë.
Po ashtu është bërë me dije se ky institucion kishte monitoruar 15 punonjësit e ambasadës dhe kishte gjetur se ata ishin “të përfshirë në aktivitete që nuk janë në përputhje me statusin e tyre diplomatik”.
Ata janë deklaruar si persona “non-grata”, ku u është hequr imuniteti diplomatik dhe duhet të largohen nga vendi “së shpejti”, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Norvegjisë.
Dëbimi vjen në mes të shqetësimeve më të gjera të sigurisë mes vendeve evropiane pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Rusia aktualisht paraqet kërcënimin më të madh të inteligjencës për Norvegjinë. Ne e marrim këtë shumë seriozisht dhe tani po zbatojmë masa për të kundërshtuar aktivitetet e inteligjencës ruse në vendin tonë”, ka thënë ministrja e jashtme, Anniken Huitfeldt.
Vendimi vjen një vit pas dëbimit të tre oficerëve të inteligjencës ruse, të cilët po ashtu punonin nën mbulesë diplomatike në Oslo.
“Do të doja të theksoja se Norvegjia po kërkon të mbajë marrëdhënie normale diplomatike me Rusinë dhe se diplomatët rusë janë të mirëpritur në Norvegji. Por Norvegjia nuk do të pranojë që misionet diplomatike ‘të keqpërdoren për qëllime të kryerjes së aktiviteteve të fshehta të inteligjencës”, ka thënë Huitfeldt.