Norvegjia do t’i trajnojë pilotët ukrainas për avionët F-16
Norvegjia do të mbështesë programet e trajnimit për pilotët ukrainas për të fluturuar me avionë luftarakë F-16, tha të mërkurën ministri norvegjez i Mbrojtjes Bjoern Arild Gram.
“Qeveria e mbështet këtë nismë dhe po shqyrton se si Norvegjia mund të kontribuojë së bashku me aleatët dhe partnerët”, tha Gram.
Megjithatë, qeveria norvegjeze nuk ka vendosur nëse do t’i japë Ukrainës ndonjë nga avionët e saj F-16, tha ministri.
Edhe Holanda tha se është e gatshme të trajnojë pilotët ukrainas për avionët F-16 sa më shpejt të jetë e mundur, tha të mërkurën më 24 maj ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren në një letër drejtuar parlamentit.
Trajnimi do të koordinohet me Belgjikën, Danimarkën dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera mund të bashkohen, shtoi Ollongren.
Të martën, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se trajnimi i pilotëve ukrainas në avionët luftarakë perëndimorë F-16 nuk do ta bënte NATO-n palë në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Të premten e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Aëmerikës Joe Biden miratoi programet e trajnimit për pilotët ukrainas në F-16, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e siguroi Bidenin se avionët nuk do të përdoren për të sulmuar objektivat brenda territorit rus.
Perëndimi thotë se dëshiron të ndihmojë Ukrainën të mposht Rusinë, por ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk dëshiron të shkaktojë një konfrontim të drejtpërdrejtë midis aleancës ushtarake të NATO-s dhe Rusisë.
Rusia, e cila nisi pushtimin e Ukrainës 15 muaj më parë, ka deklaruar se transferimi i avionëve F-16 të prodhuar nga SHBA në Ukrainë nuk do të shërbente për asnjë qëllim dhe do të vinte në pikëpyetje rolin e NATO-s në konflikt.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.