Norvegjia pritet ta ndihmojë Kosovën me respiratorë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grendahl, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin midis dy shteteve në përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19.
Ministri Zemaj e ka njoftuar ambasadorin Grandahl për masat e qeverisë në menaxhimin e kësaj faze te pandemisë dhe ka shprehur falënderimin e tij për kontributin që populli i Norvegjisë i ka dhënë Kosovës për ballafaqim me Covid-19.
Ai e ka informuar ambasadorin Grandahl për aktivitetet e ndërmarra në tërë territorin e Kosovës me qëllim të tejkalimit të situatës rreth pandemisë.
Ndërkaq, ambasadori Grandahl e ka njoftuar ministrin Zemaj se në kuadër të ndihmave që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në ballafaqim me pandeminë, gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të arrijnë një numër respiratorësh me të cilët ky shtet do ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e kapaciteteve kundër Covid-19.
Bashkëbiseduesit në këtë takim kanë shprehur përkushtimin që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërkohë që qytetarëve u kanë bërë thirrje që të zbatojnë masat e ndërmarra, në veçanti bartjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e higjienës personale e kolektive si mënyrë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
(Q.R / Epoka e re)