‘Notere e Kurtit dhe përçarëse’, Klinaku i reagon Osmanit për kritikat ndaj Thaçit
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Faton Klinaku, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani për kritikat që kjo e fundit ia ka bërë Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës.
Klinaku e ka kritikuar Osmanin për deklaratën e saj në lidhje deklaratën se “koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar”.
Ai e ka cilësuar një gjë të tillë si absurde dhe budallaki.
“Përpjekja shtetërore e presidentit Hashim Thaçi që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i gëzojnë të drejtat e njëjta me serbët e veriut, e që synim kishte shpëtimin e atij territori të banuar me shumicë shqiptare e që vit pas viti po tkurret dhe do të mbetet pakicë, paçka nëse kjo përpjekje do të dërgonte edhe në korrigjim kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, të quhet tregti, përveç që është absurde, është budallaki, por dhe e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët”.
“Noterja e Albin Kurtit, përçarësja Vjosa Osmani, sa merret me njerëzit që nuk mund t’i përgjigjen nga paraburgimi në Hagë, le të merret me gjendjen që e kanë krijuar në veriun e Kosovës, e cila është kthyer si në kohën e protektoratit”, ka shkruar Klinaku në “Facebook”.